Premtoi punë në arsim, në gjyq ish truproja e ministres Nikolla

502
Sigal

Ish shoqëruesi i Ministres së Arsimit është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Korçës për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” me qëllim përfitimi. Andrea Halili gjatë kohës që punonte në Gardën e Republikës dhe ishte shoqërues i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, premtonte të ndërhynte pranë drejtorive arsimore të Korçës dhe Elbasanit, për të punësuar persona të ndryshëm në këmbim të 3 mijë eurove. Shoqëruesi i Nikollës është denoncuar nga dy persona, banorë të Korçës, që pasi i kishin dhënë paratë, nuk kishin arritur të punësonin familjarët e tyre në pozicione pune në varësi nga Drejtoritë Arsimore të Korçës dhe Elbasanit. Sipas dy kallëzuesve korçarë, me Halilin kanë zhvilluar bisedë në fund të vitit 2013 dhe fillim të vitit 2014 për të krijuar mundësinë e sistemit të familjarëve të tyre në punë. Për këtë shërbim që do t’u bënte i pandehuri, ata kanë paguar edhe shumat e parave. Por, duke qenë se nuk ka arritur t’u sigurojë vend pune, dy qytetarët nga Korça kanë bërë kallëzim në fillim të tetorit 2014. Andrea Halili që aktualisht po ndiqet në gjendje të lirë, është pezulluar nga puna si shoqërues i ministres së Arsimit pas denoncimit në polici për mitmarrje dhe më pas është pushuar edhe nga puna në Gardën e Republikës.

Reagimi i Ramës

Pas lëvizjes së Prokurorisë së Korçës, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Kryeministrit Rama në rrjetin social Facebook. “Ja se si çdo qytetar mund të bëjë diferencën- nis komentin e tij Rama. – Fillim tetorin e shkuar, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u njoftua për shqetësimin e një qytetari në Korçë, lidhur me ofertën e bërë prej truprojës së saj për t’i gjetur një punë në arsim përkundër ryshfetit. Ministrja i kërkoi menjëherë Gardës së Republikës largimin e truprojës dhe Garda jo vetëm e tërhoqi atë brenda orës nga shërbimi pranë ministres, po e largoi edhe nga radhët e veta. Sot ky individ i padëshirueshëm është nën akuzë konkrete nga Prokuroria pas një hetimi të thelluar. Ai do të përgjigjet për abuzimin e tij me detyrën shtetërore si dhe cenimin e imazhit të institucionit” -, shkruan Rama, që ka përfituar për të njoftuar edhe një platformë on-line, që do të specifikohet në ditët në vijim, ku qytetarët të mund të denoncojnë në kohë reale çdo rast korrupsioni.