Pranimet e studentëve nga vetë universitetet, që nga viti akademik 2016-2017

668
Sigal

MAS prezanton draftin përfundimtar të arsimit të lartë. Kule: Shumë nga kërkesat tona reflektohen në këtë draft

Rektorët dhe dekanët kanë tashmë në dorë variantin e fundit të draftit të arsimit të lartë. Ata e kanë kundërshtuar fuqimisht më herët, duke thënë se dokumenti i përgatitur cenonte autonominë dhe funksionin e Universiteteve. Për reflektimet e bëra nga Komisioni, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, tha se pjesa më e madhe e kërkesave të akademikëve janë vendosur në këtë draft, por do të ketë dhe dy ditë kohë që të njihen imtësisht me këtë dokument dhe të bëjnë sugjerimet përfundimtare. Ndërsa akademikët e universiteteve jopublike në vend kanë kundërshtuar disa pika të draftit. Madje, duke u nisur edhe nga nocionet bazë, ata nuk hezituan t’i quajnë naive.

Kryetari i Komisionit për Arsimit e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, Arjan Gjonça tha se procesi për hartimin e ligjit të ri ka respektuar gjithëpërfshirjen duke dëgjuar çdo zë. “Një nga kritikat që i është bërë këtij projektligji ka qenë ajo se autonomia e universiteteve nuk ishte reflektuar aq sa duhej siç ishte prezantuar në raportin përfundimtar të reformës në arsimin e lartë. Ju garantoj se në këtë version që keni sot, liria akademike shprehet përmes së drejtës për të organizuar veprimtarinë e mësimdhënies, atë kërkimore shkencore, për të hartuar dhe zhvilluar programet, për të menaxhuar procesin e dhënies së titujve. Këto reflektohen qartë në këtë projektligj”, tha Gjonça. Ndërsa Ministria e Arsimit tha në përfundim se duhet të këtë një ligj që të jetë jetëgjatë dhe jo thjesht një ligj që i shërben sistemit aktual. Disa nga sugjerimet e momentit të akademikëve janë përfshirja e studentëve në procesin e zgjedhjes së autoriteteve, agjencia e kërkimit shkencor të merret me thithjen e investimeve të huaja dhe jo vetëm me fondet publike vendase dhe ngarkesa arsimore e pedagogëve të mos rregullohet nga Ministria e Arsimit, por nga departamentet përkatëse.

  Pranimi i studentëve sipas cikleve të studimit në IAL-të publike

 Pranimi i kandidatëve (studentëve) në të gjitha programet e studimit, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë, do të kryhen sipas përcaktimeve të këtij ligji në vitin akademik 2016-2017 e në vijim. Ndërsa pranimi për studentët e vitit akademik 2015-2016 do të kryhet sipas ligjit në fuqi të arsimit të lartë.

 Pranimi në ciklin e parë të studimeve

1. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.

3. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar.

Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve

1. Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të institucionit të arsimit të lartë, ku ata aplikojnë.

2. Pranimi në programet e integruara të studimeve është i mundur për kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Nenin 73, pika 1.

3. Kriteret e pranimit të kandidatëve në programet e ciklit të dytë të studimeve përcaktohen nga njësia bazë ofruese e programit. Bëjnë përjashtim nga ky rregull programet e integruara të studimit. Kriteret bëhen publike nga njësia kryesore dhe QShA.

4. Institucionet e arsimit të lartë mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i Shkencave”.

5. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në QShA listën e studentëve të regjistruar.

 Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve

1. Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Master i Shkencave” dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë.

2. Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë përcaktohen nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë. Këto kritere bëhen publike nga IAL dhe i përcillen QShA-së, si dhe Ministrisë përgjegjëse për arsimin.

3. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht), e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.

4. Lista e studentëve fitues dërgohet në QShA-së, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.

5. Lista e të diplomuarve në programet e ciklit të tretë përcillet nga institucioni i arsimit të lartë në ministrinë përgjegjëse për t’u pasqyruar në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë

 Programet e studimit në fushën e arteve dhe sporteve

Forma e organizimit të studimeve, pranimi i studentëve dhe financimi në institucionet e arsimit të lartë me status të veçantë që ofrojnë programe studimi në fushën e arteve dhe të sporteve realizohet në përputhje me këtë ligj dhe specifikat përkatëse të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë përgjegjëse për arsimin.

 Kohëzgjatja e studimeve

1. Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi.

2. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë në një institucion tjetër për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.

 Kreditë studentore

1. Ministria përgjegjëse për arsimin ndërmjetëson kreditimin e studentëve, me qëllim mbështetjen financiare për përballimin e kostos së studimeve.

2. Kredia studentore është e hapur për aplikim, për të gjithë studentët që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Bachelor” dhe në programet e integruara, në institucionet e arsimit të lartë.

3. Skema e kreditimit studentor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ekuivalentimi i diplomave sipas ligjit të ri

1. Diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Bachelor”.

2. Diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Master i Shkencave”.

3. Diplomat e integruara të nivelit të dytë (DIND) të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Master i Shkencave”. Diplomat e nivelit të dytë (DND) të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Master i Shkencave”.

4. Diplomat e studimeve universitare “Master i Nivelit të Parë” janë ekuivalente me diplomat “Master Profesional”.

5. Diplomat e fituara në studimet në kuadër të “Shkollës pasuniversitare të studimeve të thelluara” dhe “Master i Nivelit të Dytë” janë ekuivalente me diplomat “Master Ekzekutiv”.

4. Diplomat e fituara në kuadër të shkollës së Magjistraturës janë ekuivalente me diplomat e studimeve të specializimeve afatgjata.