Portali “Mësues për Shqipërinë”, nis testimi i informatizuar

1357
Sigal

Sot ka nisur faza e dytë për punësimin nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, ajo e testimit të informatizuar. Ky testim, i cili është përgjithësisht i organizuar në 4 seanca provimi gjatë një dite, do të zhvillohet pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) duke filluar nga data e sotme deri më datë 22 Gusht, 2019, sipas një kalendari i cili gjendet i publikuar në faqen e QSHA.

Paraprakisht, numri i kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit është rreth 4,700 kandidatë. Ndërsa profilet ku do të zhvillohet testimi i informatizuar i mësuesve është: gjuhë shqipe dhe letërsi; arsim fillor; arsim parashkollor; arsim special; gjuhë angleze; gjuhë frënge; gjuhë gjermane; gjuhë italiane; gjuhë greke; edukim fizik; muzikë AMU; muzikë (shkolla artistike); shkenca sociale; matematikë; fizikë; biologji; kimi; TIK; histori; gjeografi; art pamor dhe art pamor (shkolla artistike).

Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-tës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë” ka shkelur ligjin. Ky mekanizëm është ngritur në funksion të emërimit të mësuesve në bazë meritokracie duke u siguruar që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Ai siguron: transparencë, efikasitet, vetë-menaxhim, portabilitet dhe cilësi të dhënash.

Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1,700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar rreth 6,104 mësues, shifër e cila është në ndryshim të vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues. Çdo vit janë rreth 600-700 pensionistë që lirojnë vendet e punës (me kontrata afatgjata). Ndërkohë janë edhe 600-700 të tjerë me kontrata të përkohshme që lirojnë vendet e punës (ato me leje lindjeje ose pushim mjekësor). Pra, janë rreth 1300-1400 mësues që pritet të punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.