Policia kërkon dosjet e 2008-2013 nga Rektorati

414
Sigal

Dyshohet për rekrutime korruptive të pedagogëve

Dega e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, ka kërkuar zyrtarisht nga Rektorati i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të gjitha dosjet e punësimeve të pedagogëve, nga ky institucion i arsimit të lartë, për periudhën 2008-2013. Kjo sipas burimeve nga policia bëhet për faktin se hetimet lidhur me veprimtarinë korruptive të disa pedagogëve, kanë nxjerrë fakte të reja, që implikojnë personat që kanë bërë punësime në këtë universitet jashtë kritereve të përcaktuara me ligj. Prej disa vitesh në universitetin “A.Xhuvani” në Elbasan punësimet  e pedagogëve dhe emërimet në fakultete, bëhen sipas preferencave dhe jo sipas ligjit, duke krijuar  një rreth të gjerë familjar, që do ta kishte zili edhe një universitet privat në Shqipëri. Në këtë kontekst edhe ekipi kontrollit nga KLSH, ardhur 1 muaj më parë ka zbuluar dhe konstatuar mjaft shkelje lidhur me metodat e rekrutimit të pedagogëve dhe punësimet e reja të bëra nga ky universitet. Burimet policore thanë se, “hetimet janë në rrugën e mbarë dhe se priten zhvillime të reja lidhur me pretendimet tona, të cilat do të bëhen shumë shpejt publike”. Universiteti  i Elbasanit, i këtij qyteti me tradita në fushën e arsimit, ka qenë djepi që ka “përkundur” breza të shumtë mësuesish dhe profesorësh që kanë bërë epokë, por që çuditërisht vitet e fundit po njolloset nga elemente që nuk i lidh asgjë me këtë institucion. Bëhet fjalë për njerëz anonim, pa asnjë vlerë në fushën e arsimit, dhe duke mos plotësuar asnjë kriter profesional, që sot janë punësuar e graduar pedagogë dhe që janë ndër njerëzit më të bindur ndaj drejtuesve të Rektoratit. Hetimet e policisë po shtrihen edhe tek mënyra e zgjedhjes së dekanit të Ekonomikut, pasi sipas burimeve mësohet se atje ka pasur presione ndaj administratës dhe pedagogëve (të punësuar pas 2008) për të votuar për kandidatin e preferuar dhe jo atë që e meritonte. Pritet që pas pak ditësh Drejtoria e Policisë Qarkut Elbasan, të bëjë të ditura rezultatet e hetimit të nisur disa muaj më parë, duke finalizuar bashkë me organin e akuzës një operacion për goditjen e veprimtarisë korruptive në këtë universitet. Policia nga ana e saj ka kërkuar edhe nga Rektorati bashkëpunim ligjor dhe institucional, gjë, e cila ka marrë edhe miratimin e kësaj të fundit.