“Po shpërdorojnë lekët e nxënësve, asnjë transparencë nuk bëhet”

491
Disa prindër, fëmijët e të cilëve janë nxënës në shkollat 9 –vjeçare dhe ato të mesme të Elbasanit, i deklaruan “Telegraf” se “tashmë është bërë e modës, marrja nga çdo nxënës e 10 deri 15 mijë lekëve çdo fillimviti shkollor, plus parave që i kërkojnë për blerje librash, revistash dhe lloj-lloj budallallëqesh të tjera, që mbajnë era korrupsion. Por sikur të mos mjaftonte kjo gjë, nuk dihet se ku shkojnë paratë që mblidhen”. Prindërit u shprehën se “edhe komitetet e prindërve që gjoja bëhen me zgjedhje dhe votime të ‘lira’ çdo shtator, janë fiktive, dhe u shërbejnë drejtuesve të shkollave, të cilët mbledhin çdo vit miliona lekë nga xhepat tanë, dhe nuk dihet se ku përfundojnë”. Denoncimet e tyre kanë vajtur edhe në DAR, edhe tek portali “Stop-Denonco Korrupsionin” i MAS, por deri sot ata nuk kanë parë dhe takuar asnjë ekip kontrolli që ka ardhur për të verifikuar dhe pasqyruar destinacionin e milionave që mblidhen çdo fillimviti nga xhepat e tyre. Çdo shkollë e mesme ka e pakta 750 deri 900 nxënës, dhe çdo shkollë 9 vjeçare ka mesatarisht 650 deri 750 nxënës, dhe të llogaritësh sa para mblidhen nga xhepat e prindërve të tyre, është realisht një shumë e madhe parash. Denoncimet e tyre disa prindër i kanë bërë edhe tek Krimi Ekonomik, por deri sot duket se gjithçka ka mbetur në letër dhe nuk duket të ketë nisur ndonjë hetim apo ndëshkim. 
Denocimet bien në vesh të shurdhët
Vitin e kaluar shkollor, u denoncuan në organin e Prokurorisë dy drejtoresha shkollash në Elbasan, të cilat me milionat e mbledhura nga paratë e nxënësve kishin mobiluar banesat dhe garderobat e tyre dhe çështja është në hetim. Ky ishte një skandal që ia vlente të kishte ndëshkimet e veta, por duket se kjo epidemi ka nisur të prekë në heshtje shumë drejtorë të shkollave. Duke parë abuzimet e drejtuesve në shkolla, edhe disa mësues abuzues kanë nisur të gjejnë marifete të ndryshme për të siguruar edhe ato ndonjë “lek xhepi”, duke u shitur nxënësve libra që nuk kanë lidhje me lëndët mësimore dhe që janë materiale të marra nga interneti, duke i shitur me çmime të larta, të pamiratuara nga strukturat arsimore. Shkrehja e punës nga disa drejtues shkollash dhe mësues që kryesisht janë punësuar me mbështetje politike, mbart me vehte edhe fenomene të tjera që bien ndesh me misionin e mësuesit si edukator. Shpesh “gjuetia” shtrihet tek fëmijët e biznesmenëve dhe tregëtarëve, duke i mbajtur ata afër, duke u vënë nota të pamerituara, dhe pastaj duke i kërkuar atyre “sponsorizime” për aktivitete imagjinare, apo udhëtime të pajustifikuara jashtë dhe brënda vendit, e duke e kthyer shkollën në vend ku bëhen pazaret e “ndereve”. 
Justifikimi i parave të mbledhura
Paratë e mbledhura nga çdo drejtori shkolle, arsyetohen dhe justifikohen me “pagesën e rojeve, mblerjes së pajisjeve shkollore, letrës, karrigeve, bojrave, dhe shpenzime të tjera” por në shumicën e rasteve asnjëherë nuk ndodh ç’ka deklarohet dhe ç’ka firmos dhe miraton gjoja “komiteti prindërve”. Ky i fundit gjithmonë përdoret për të justifikuar shpenzimet e kota. Abuzimet dhe mungesa e transparencës me paratë e nxënësve në shkollat e mesme dhe ato 9 vjeçare, është burimi i një korrupsioni të pastër që bëhet ditën me diell, duke u hedhur hi syve stafit të mësuesve dhe komitetit të prindërve, të cilët nuk flasin pasi marrin garancinë e notave të mira për fëmijët e tyre. Mjafton të verifikosh blerjet e shumicës së drejtuesve të shkollave sapo marrin detyrën, duke shitur makinat e vjetra e duke blerë makina të reja, apo duke mobiluar nga e para apartamentet e tyre dhe mbushur me rroba firmato garderobat. DAR dhe strukturat e tjera të hetimit dhe Krimit Ekonomik duhet të ndalen seriozisht në këto probleme (natyrisht edhe tek denoncimet e prindërve) të cilat në dukje janë të thjeshta për ti kontrolluar, por që në fakt duke i lënë pas dore janë kthyer në burime të abuzimit dhe përvetësimit të parave që dalin nga xhepat e atyre që fëmijët i dërgojnë në shkolla për tu edukuar dhe formuar me dijet e nevojshme. 
Ilir DURMISHI
Sigal