Ph. D. Dr. Altin Shegani:E vërteta e shtimit të ambienteve te Fakulteti i Drejtësisë dhe kriteret për Doktoraturën

609
Sigal

INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Ph. D. Dr. Altin Shegani, për kriteret e doktoraturës

 Problemi i ambienteve në Fakultetin e Drejtësisë nuk ka marrë ende zgjidhje. Edhe pse u është premtuar që do ti jepen dy katet e godinës së Shkencave Sociale, përsëri ky projekt duket se nuk është gati. Fakulteti i Drejtësisë po vijon që të zhvillojë mësim me dy turne, ashtu si edhe shumë fakultete të tjera që e bëjnë mësimin me turne. Por edhe pse nuk i janë vënë në dispozicion ambientet shtesë, në Fakultetin e Drejtësisë janë bërë ndryshime thelbësore, duke filluar që nga rregullimi i ambienteve dhe deri tek shërbimi që u ofrohet studentëve pranë sekretarive të këtij fakulteti. Në lidhje me situatën e ambienteve që pritet t’i kalojnë këtij Fakulteti, ka folur në një intervistë për “Telegraf” dekani i këtij fakulteti Ph. D. Dr. Altin Shegani. Përkrah të tjerave zoti Shegani ka folur dhe për kuotat e Doktoraturës për Fakultetin e Drejtësisë.

 -Zoti Shegani, Fakultetit të Drejtësisë i është premtuar që do të ketë një shtesë ambientesh, duke marrë dy katet e godinës së Shkencave Sociale. Çfarë po bëhet aktualisht?

-Ashtu sikundër është premtuar në fillim Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ka rritur cilësinë e punës dhe ka rritur edhe cilësinë e shërbimeve në funksion të rritjes së standardeve të mësimdhënies. Kjo nënkupton së rritjen e hapësirave të mësimdhënies. E thënë më qartë nënkupton rritjen e hapësirave të mësimdhënies. Pra përmirësimin e infrastukturës fizike dhe me këtë fundit ne nënkuptojmë mjediset e specializuara për leksione dhe seminare, por dhe mjediset e tjera që nga pikëpamja e funksionit që kanë kanë një rëndësi jo aksesore, por rëndësi kardinale. Këto mjedise janë mjediset e bibliotekës, janë mjediset administrative të shërbimeve që kryejnë sekretaria  dhe pjesë të tjera të administratës, por dhje pjesë të tjera që u shërbejnë pedagogëve që kryejnë punimet shkencore. Sigurisht që në fillim ishte premtuar që Fakulteti i Drejtësisë do të marrë dy katet e godinës aktuale në të cilën ne ndodhemi.

 -Po atëherë si po procedohet për kalimin në godinën që u është premtuar?

-Është duke përfunduar godina në të cilën do të shkojnë Fakulteti i Shkencave Sociale. Është  një godinë e dhënë nga qeveria shqiptare për Universitetin e Tiranës, më qëllim përmirësimin e hapësirës në këto dy fakultete. Kështu që në këtë kuadër Fakulteti i Shkencave Sociale do të kalojë në ish godinën e NPV-së, ose ndryshe siç njihet ish rrobaqepësia ushtarake. Atje janë duke përfunduar punimet për transferimin e përgjithshëm total të studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale. Këto dy kate deri në periudhën prill, maj që shpresohet që mund të fillojë transferimi deri në shtator mendohet që do të jetë një periudhë ku do rikonceptohet edhe nga ana e Fakultetit të Drejtësisë që do të rikonceptohet hapësira e mjedise shtesë.

 -Pra sipas planeve që thatë më lart, a rrezikon që edhe për këtë vit akademik Fakulteti i Drejtësisë të mos i ketë këto ambiente?

-Normalisht marrja e këtyre mjediseve për këtë vit akademik mund të mos jetë shumë e sigurt. Po përse e them këtë që mund të mos jetë i sigurt? E them për shkak të faktit se ne llogarisim edhe kohën në të cilën duhet të kryhen punimet që duhet të plotësojnë standardet. Por vitin tjetër 2013-2014, absolutisht ai do të fillojë me një format totalisht të rikonceptuar të cilësisë që do të ofrohet. Por edhe në vitin akademik që jemi ne kemi filluar me standarde të reja. Ku mund të ju përmend këtu rregullimin dhe shërbimet që ka pësuar zyra e sekretarisë për studentët. Ajo është konceptuar sipas traditave të fakulteteve evropiane. Po ashtu është dhe hedhja e informacionit të të dhënave të studentëve në rrjet. Po ashtu ne kemi dhe përmirësuar edhe standardet e informacionit. Përsa i përket informimit ne kemi përfunduar zyrën e re të informacionit e cila do të fillojë nga funksionimi pas disa ditësh. Po ashtu kemi përfunduar dhe zyrën e re të burimeve njerëzore. Po ashtu kemi dhe një risi pasi do të hapim zyrën e këshillimit të karrierës.

 -Mund të na thoni diçka më konkrete në lidhje me zyrën e karrierës që do të hapet pranë fakultetit tuaj?

-Kjo zyrë do të ridimensionojë punën e Fakultetit të Drejtësisë, nga pikëpamja e cilësisë që ofron, por njëkohësisht do të ridimensionojë edhe dobishmërinë e këtij shërbimi pas daljes së studentëve nga Fakulteti i Drejtësisë. Në çfarë pikëpamje? Ne e kemi konceptuar zyrën e shërbimit të karrierës, si një zyrë e cila do të ofrojë shërbimin e informacionit të nevojshëm lidhur me mundësitë e punësimit dhe lidhur me pikat e kontaktit qoftë të personave juridik apo privatë për të rekrutuar jurist cilësor. Kjo është një dimension i ri që është zbatuar fillimisht në Fakultetin e Ekonomisë dhe ne jemi të dytët që po e fusim këtë risi. Është një projekt i udhëhequr nga zëvëndësrektori i Universitetit të Tiranës Prof. Ervin Demo.

 -Le t’i rikthehemi edhe njëherë çështjes së ambienteve, sa e vështirë ka qenë për fakultetin tuaj, që të koordinoni punën për zhvillimin e mësimit në një kohë që keni nevojë për më shumë ambiente?

-Sigurisht që, harmonizimi i hapësirave aktuale ka sjellë vështirësi, por ne kemi parë me optimizmin e vullnetit, por edhe me pesimizmin e arsyes faktin që duhet që të shtonim patjetër ambientet. Ne realisht e zhvillojmë mësimin në formatin nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 9:00 të darkës. Ky format në fakt nga pikëpamja e mësimdhënies është një format normal edhe në universitetet europiane. Sepse kudo për shkak të masivizimit të studimeve universitare ka nevojë për ambiente. Por unë nuk mund të themi që jemi të kënaqur me këto ambiente. Por mund të themi që ne më së fundmi bëhet realitet ëndrra e gjatë e stafit të këtij fakulteti për shtimin e ambienteve. Pasi shtimi i ambienteve do të thotë edhe më shumë standard edhe më shumë cilësi. Besoj që kjo do t’i japi më shumë mundësi harmonizimi edhe godinës tjetër që ne kemi në godinën e Qytetit Studenti. Por besoj që gjithmonë do të ketë nevojë për shtimin e ambienteve.

-Jemi në momentet që janë miratuar nga qeveria kuotat për Doktoraturën. Cilat janë kriteret dhe kuotat për Fakultetin e Drejtësisë?

-Përsa i përket kritereve të Doktoraturës, unë mund të ju them se këto kritere janë të parashikuara në rregulloren për organizimin e programeve të Doktoraturave. Por këto kritere mund të vijnë edhe me udhëzim të posaçëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ne kemi tre programe Doktorature që janë: Doktoraturë në Shkencat Penale, në Shkencat Publike dhe në shkencat civile. Udhëzimi i MASH, nuk ka arritur ende, por kemi marrë informacione që shumë shpejt do na vijnë ne në Fakultete.

Tarifat dhe shpërndarja e kuotave për Drejtësinë

Për Fakultetin e Drejtësisë janë miratuar 90 kuota në total për Doktoraturën. Këto kuota janë ndarë 27 kuota për Shkencat Publike, plus tre për trojet. 27 kuota janë për Shkenca Penale 27 kuota plus tre për trojet dhe E drejta Publike 27 kuota plus tre për trojet. Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë të doktoratës, të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Kuotat e pranimit për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit, të përcaktuara në germën b) të pikës 1 të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në kolonën E të tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në germën c), të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe  Shkencës nga persona të interesuar.