Pezullimi antiligjor i doktoraturave dhe favorizimi i privatëve

536
Pas problemeve që u vërejtën me të drejtë në mbrojtjen e doktoraturave, apo ciklit të tretë të studimeve, Ministria e Arsimit nëpërmjet një vendimi pezulloi me afat të pacaktuar këtë proces, duke lejuar vetëm një të tillë. Sipas këtij urdhri u hiqet e drejta e mbrojtjes së doktoraturave Universitetit Politeknik, Universitetit të Tiranës dhe gjithë universiteteve të tjera në Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër. Pavarësisht problemeve që vëreheshin në këtë cikël të tretë të studimeve, duhet thënë se institucionet universitare publike kanë një përvojë mëse 50 – vjeçare në mësidhmënie dhe kërkimin shkencor, përkundrejt institucioneve të arsimit të lartë jopublik që janë një dukuri e re në vendin tonë, me një përvojë rreth 10-vjeçare. Vendimi i pezullimit të doktoraturave nuk është pritur mirë nga asnjë prej rektorëve të tetë institucioneve dhe natyrisht nga asnjë dekan apo shef departamenti që janë disa fish më shumë dhe për hir të së vërtetës janë më të kualifikuar edhe se vetë Ministrja e Arsimit apo Kryetari i Këshillit të Ministrave që kanë përkatësisht një master të integruar (studime katërvjeçare).
Bllokimi i njëanshëm
Pas këtij bllokimi dhjetëra kandidatë paraqiten në dyert e sekretarive mësimore të fakulteteve për të mësuar nëse ka pasur aprovim kuotash, vendim ky që i hap udhë nisjes së aplikimeve. Por e vetmja përgjigje që marrin është heshtja, pasi për sa kohë nuk ka vendim të miratuar me kuotat e pranimit, nuk mund të ketë as fazë pranimi të dosjeve aplikuese. Burime pranë dikasterit të Arsimit njoftuan se, nuk do të ketë pranime të reja edhe në nisje të vitit të ri akademik 2015-2016 dhe nga ky bllokim përfituan strukturat e arsimit të lartë privat, të cilat kanë ofruar studime të doktoratës, madje duke shtuar edhe tarifat e studimit, krahasuar me ato të aplikuara në vitet e mëparshme. Bllokimi i doktoraturave në publik ka pakësuar edhe nivelin e të ardhurave që sigurojnë universitetet, si rezultat i derdhjes së tarifave studimore nga kandidatët që plotësojnë kushtet për të vijuar studimet e nivelit të tretë. Këto të ardhura shkojnë në shuma të mëdha dhe që nga universitetet përdoreshin për të përmirësuar infrastrukturën dhe zhvillimin e kërkimit shkencor. Sipas KLSH nga procesi i mbylljes së shkollës doktorale dëmi financiar për tre vjet rresht shkon në 1 miliard lekë.
Kalimi në sitë i doktoraturave
Nuk është çudi që mjaft nga doktoraturat e mbrojtura të jenë edhe plagjiaturë apo në gjuhën e popullit të jenë marrë nga dikush tjetër. Edhe në këtë fushë, sipas raporteve të ndërkombëtarëve, Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet me piraterinë më të lartë. Në çdo rast, pavarësisht departamentit, dekanatit, udhëheqësit apo recezentëve, përgjegjës për plagjiaturën është personi që e paraqet atë temë. Por kjo gjë nuk duhet të mbetet vetëm në duart e një personi. Në botën moderne ka një program antiplagjiaturë që mund ta ketë çdo njësi universitare, ndërsa është e domosdoshme që pjesa udhëheqëse e kësaj doktortature të jetë më e përgjegjshme. Asnjëherë nuk është vonë për të ngritur një njësi të posaçme për të verifikuar të gjithë doktoraturat e tranzicionit dhe për të ndarë një herë e mirë kërkimin shkencor nga vjedhja, pirateria apo fitimi i padrejtë i gradës “Doktor i Shkencave”
“Xhevahire” doktoraturash
1. Perceptimi maqedonas për integrimet europiane, mbrojtur në Institutin e Studimeve Europiane.
2. Shpërndarja e mjekëve në Prizren. 
3. Historia e Funksionit të Noterit, mbrojtur në Institutin e Albanologjisë. 
4. Aktrimi në filmin kosovar, mbrojtur në Institutin e Albanologjisë. 
5. Historia e Kosovës në Botën Arabe, mbrojtur në Institutin e Albanologjisë. 
6. Menaxhimi stomatologjik në Rrethin e Tiranës.
7. Tema në gjinekologji “Si të bëhesh mami”, e realizuar nga një mashkull.
Në shtator të vitit 2013 situata, Shqipëria kishte 59 institucione të arsimit të lartë nga të cilat 44 private. 8 herë më shumë se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për 1 milion banorë.
Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë në 2013, një pedagog kishte jo më shumë se 5 studentë në udhëheqje”, në të vërtetë kishte arritur në 15 studentë. Rekordin e mban një superdekan që kishte në udhëheqje 40 doktorantë. 
Sigal