Petrit Brahollari/ Mjerë kush prek “ujërat e ndenjur” në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë!

655
Sigal

Dalipaj: Epoka e Merove dhe Jasharve, ka ikur përgjithmonë, ka rreth 23 vjet që në Shqipëri ka hyrë për gjithmonë epoka e lirisë

Agron  Dalipaj ishte student i vitit të fundit i degës Gjuhë-Letërsi, në Fakultetin e Edukimit dhe të Filologjisë të Universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë. Natyrshëm mezi e priste ditën kur do të merrte diplomën dhe do të kurorëzonte ëndrrën e tij për t’u bërë me djersën e tij dikush në gjuhësi. Por, në të njëjtën kohë përjetonte edhe ankth dhe makth për kurajon që kishte treguar, duke iu kundërvënë hapur atyre që do ta firmosnin dhe vulosnin diplomën  e tij, ashtu si të qindra të tjerëve. Me këtë hap, frymëzuar nga dëshira e mirë për t’i shërbyer gjuhësisë shqipe, kombit dhe të ardhmes së tij më me prosperitet dhe europianizëm bashkëkohor, ai i kishte hapur derën e vet të keqes, hakmarrjes dhe ndëshkimit të saj. Kjo nuk vonoi t’i vinte, fshehur pas një zarfi, pas një letre e pas posteve e një vule shtetërore, si në kohën e diktaturës enveriane e në vende të tjera autokratike, ku idealizmi, ndershmëria dhe meritat vlejnë fare pak në krahasim me servilizmin, konformizmin, partishmërinë dhe pragmatizmin korruptiv. Agroni e hapi letrën dhe nisi ta lexonte. Rreshtat e shkruar mbi firmën dhe vulën e zezë i shkaktuan dhimbjen e një heshte ngulur mbi trupin e tij nga një dorë e padridhur.  Letra e bardhë i njoftonte vendimin e zi të rektoratit për përjashtimin  përjetësisht nga Universiteti “Fan S.Noli” të studentit Agron Dalipaj. Përjetësisht do të thoshte njëkohësisht sa të ishte ai gjallë dhe sa të ishin mbi fronet e rektorit dhe të dekanit Gjergj Mero dhe Ali Jashari. Ata që e merrnin me mend dhe e dinin mirë arsyen e vërtetë pse u ndëshkua kaq rëndë, morën qartësisht mesazhin se sa shtrenjtë kushtonin guximi dhe debati demokratik në Shqipërinë e sotme, që aspiron dhe kërkon të marrë statusin e vendit kandidat në BE duke u qeverisur nga njerëz me nostalgji, reminishenca dhe atavizma enveriste. Vetë Agroni shprehet me sinqeritet: “Nuk kam fyer askënd. Nuk kam ngritur dorën kundër askujt. Mungesa dhe kopjime nuk kam bërë. Nuk e kam shkelur etikën dhe rregulloren për asgjë. As fotografinë e Enverit s’ia kam hequr dikujt nga xhepi.” Rektori dhe dekani e justifikojnë vendimin e tyre duke u shprehur me fyerje ndaj tij: “Agron Dalipaj është mendjemadh, aq sa guxon të bëjë shkencë para nesh dhe të vërë në dyshim ato që kemi mësuar dhe thënë ne nëpër auditorë gjatë jetës sonë si studentë, pedagogë dhe drejtues”. Pas këtyre fjalëve, nuk është e vështirë të  kuptohet se Agroni u ka shkelur në kallo me oponencën dhe kritikat e tij, “heretike” e të pafalshme për një student, ka turbulluar “ujëra të ndenjur” në tekstet dhe leksionet e tyre dhe ka bërë publik raste të veprimeve të tyre abuzuese dhe korruptive me notat dhe postet. Agroni shkollën 8 -vjeçare dhe të mesmen i ka mbaruar shkëlqyeshëm. Ka mbaruar studimet dhe është diplomuar me nota shumë të larta në Fakultetin Ekonomik. Zotëron tri gjuhë të huaja, pra edhe më shumë se rektori dhe dekani. Së shpejti do të nxjerrë nga botimi librin e tij studimor, voluminoz “Bazat e etimilogjisë së gjuhës shqipe dhe indoeuropiane”. Për disa vite ka jetuar dhe punuar si emigrant në Greqi. Në Athinë hapi librarinë  “Iliria”, e pasur me libra të autorëve më të njohur shqiptarë dhe botërorë. Ambiciet, vullneti dhe forcat për t’i përmbushur nuk i mungojnë. Krahas librarisë, boton në gjuhën shqipe gazetën “Iliria”, me tirazh 2.000  kopje dhe shpërndarje në të gjithë Greqinë. Pasi kthehet në atdhe, babai i dy fëmijëve regjistrohet për gjuhë-letërsi në Universitetin “Fan S. Noli”. Arrin me sukses e me meritë, pa u futur në moçalin e tregtisë së provimeve e të notave, deri në vitin e katërt. Dëshira dhe kërkesat e brendshme për të qenë vetvetja, për të guxuar të bëjë pyetje dhe kontestime “heretike”, që vënë në siklet lavdinë dhe meritat, pushtetshmërinë shkencore e akademike si dhe veprime abuzive të “Perëndive të Olimpit”, e bëjnë student sherrxhi e të padëshiruar. Agroni i kishte turpëruar para dhjetëra studentëve disa pedagogë, duke u bërë pyetje, që ata nuk kishin ditur t’u përgjigjeshin. Sikur të mos mjaftonte kjo Agroni kishte këmbëngulur, duke u kërkuar përgjigje edhe kokë më kokë, pastaj edhe debat më publik, në auditor. Rasti i Agron Dalipajt është sa “heretik” aq edhe kompleks. Rektori Gjergj Mero dhe dekani Ali Jashari, si dhe pedagogët që u mbajnë iso, duan raportin klasik e rutinor profesor-student e jo liri për mendim dhe shprehje “ndryshe”,  për debat shkencor e demokratik. Fjalët, veprat dhe tezat e pedagogut dhe të pedagogëve të  tij, ashtu si jo më larg se 25 vjet më parë mësimet e shokut Enver,  janë të padiskutueshme e të paprekshme, të dhëna një herë e përgjithmonë. Kush guxon t’i prekë ndëshkohet shumë rëndë, ashtu si jo më shumë se 25 vjet më parë ”në emër të partisë e të popullit”. Këto nuk i kishte mësuar mirë dhe nuk i kishte pasur parasysh studenti Agron Dalipaj, kur kishte guxuar t’i kundërvihej “kunetërve të shokut Xhemal”, në rastin tonë jo nga Shkodra, në veri-perëndim, por nga Korça në jug-lindje të Shqipërisë së dekadës së dytë të shekullit XXI ose ndryshe, në prag marrje të statusit të vendit kandidat në BE. Rasti apo çështja “Agron Dalipaj” kundër Universitetit “Fan S. Noli”, ka kaluar në disa seanca dhe nivele gjyqësore. Gjykata e shkallës së parë, Aurela Kristo, provoi shkelje nga Rektorati me vendimin për përjashtimin e përjetshëm të studentit Agron Dalipaj. Më dt. 03.07.2013, bazuar në nenet 126, 306-310 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata dha vendimin “Pavlefshmëri absolute e vendimit të rektorit” dhe kërkoi “Kthimin e menjëhershëm në universitet të studentit Agron Dalipaj”. Rektori dhe dekani të zemëruar shumë edhe me këtë trup gjykues që guxon të hedhë poshtë vendimin e tyre, e apelojnë çështjen në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë, që me sa duket i njihte “kunetërit e shokut Xhemal”. Natyrisht Agroni e apeloi çështjen e tij në Gjykatën e Lartë. Ai pret me besim një vendim të drejtë prej saj, bazuar në respektimin e parimit të barazisë para ligjit të të gjithë shtetasve. Ai ka besim edhe tek Ministrja e Arsimit, Lindida Nikolli. Me të drejtë ajo ka hedhur idenë dhe ka kërkuar nga trupat pedagogjikë dhe akademikë që të nxisin marrjen e mendimeve dhe të ideve nga nxënësit e studentët, si faktor që do të ndikojë edhe për rritjen e cilësisë e të efektivitetit në shkollat e të gjitha niveleve. Kështu patriarkët e rektoratit dhe të dekanit të Universitetit “Fan S. Noli”, Merot dhe Jasharët, besojnë se ashtu si “në epokën e tyre të artë” do të mbetet në fuqi vullneti dhe vendimi i tyre. Nga ana tjetër, studenti Agron Dalipaj, beson dhe shpreson se epoka e Merove dhe Jasharve, ka perënduar një herë e përgjithmonë dhe se ka rreth 23 vjet që në Shqipëri ka hyrë për gjithmonë epoka e lirisë, demokracisë, e barazisë së vërtetë para ligjit dhe e drejtësisë.