Përparim Hoxha: “Nota mesatare që duhet për Doktoraturën dhe procedurat për aplikimin”

1329
Sigal

INTERVISTA/Flet dekani i Fakultetit të Gjeologji –Minierave Prof. Dr Përparim Hoxha  për aplikimet e Doktoraturës

Ashtu si edhe fakultete të tjera edhe Fakulteti i Gjeologji-Minierave ka kriteret e tij për pranimin e studentëve për ciklin e Doktoraturës. Por cilat janë kriteret për studentët që duan të aplikojnë për Doktoraturën? Në lidhje me kriteret dhe tarifat që duhen për ciklin e Doktoraturës ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Prof. Dr. Përparim Hoxha. Sipas zotit Hoxha, një ndër kriteret më të rëndësishme për studentët që duan të ndjekin studimet në ciklin e Doktoraturës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, është nota mesatare, e cila duhet të jetë 8 ose mbi tetë.

 -Zoti Hoxha, a kanë filluar aplikimet për Doktoraturën në Fakultetin e Gjeologji-Minierave?

-Ne si fakultet na ka ardhur njoftimi që është miratuar numri i kuotave për Doktoraturën nga Këshilli i Ministrave. Por nuk ka ardhur ende numri i kuotave që është miratuar për fakultetin tonë. Jemi në pritje të kësaj shkrese dhe pastaj fillojnë aplikimet nga studentët. Normalisht që do të ngrihen edhe grupet e punës pranë fakultetit tonë për shqyrtimin e kërkesave që do të bëhen për shkollën e Doktoraturës. Është viti i katërt që ne pranojmë studentë që të ndjekin studimet e Doktoraturës me sistemin e ri që është futur. Në vazhdimësi kriteret tona kanë qenë të kombinuara sipas nevojave. Po ashtu kriteret janë të vendosura edhe nga aktet e nxjerra nga institucionet që janë më lart se ne, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

 -Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë studentët që duan të ndjekin studimet në ciklin e Doktoraturës për vitin 2012-2013 në fakultetin tuaj?

-Më konkretisht kushti bazë i vendosur është ai i notës mesatare. Pra studentët që do të aplikojnë për Doktoraturën, duhet të kenë mesataren e diplomës së integruar 8 ose mbi 8. Ky është një kriter shumë i rëndësishëm. Ky kriter është përcaktuar jo vetëm nga ne, por është përcaktuar edhe nga institucione që janë më lart se ne, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës apo dhe nga senati. Kriter tjetër i rëndësishëm është edhe marrja me kërkime shkencore, pra kandidati duhet të jetë duke u marrë me kërkime shkencore në institucione të rëndësishme si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Po ashtu kriter tjetër i rëndësishëm është edhe mesatarja e lëndës së specialitetit që ai ka zgjedhur, dhe kjo ka mjaft rëndësi.

 -A ka ndonjë rëndësi anglishtja, a është renditur si kriter ajo për të ndjekur studimet e Doktoraturës?

-Anglishtja është kriter, por këtë studentët mund ta mbrojnë në momentin që ato janë duke ndjekur studimet e Doktoraturës. Pra ajo nuk është pengesë për të mos u pranuar në shkollën e Doktoraturës. Madje, ka qenë vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës që ka bërë një ligj, për të mos i penguar studentët që duan të ndjekin shkollën e Doktoraturës nëse ato i plotësojnë kriteret.

 -Kush ka më shumë përparësi që të pranohet në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, përkrah notës mesatare që përmendët ju më lart?

-Përparësi kanë më shumë pedagogët dhe asistentët që japin mësim pranë fakultetit tonë. Së dyti kanë përparësi të gjithë ata studentë që kanë mbaruar studimet në universitet publike të vendit. Pastaj kanë përparësi edhe pedagogë, akademikë, kërkues shkencor që janë në institucione të rëndësishme të tjera që janë kërkime shkencore.

 -Po kuotat e trojeve sa vend zënë në kuotat që përcaktohen për Doktoraturën?

-Po edhe trojet kanë kuotat e veta. Në përgjithësi edhe vitet e kaluara kanë qenë 3 kuota nga trojet. Por sivjet realisht unë nuk e kam parë ende numrin e kuotave që janë miratuar, por në përgjithësi nga 3 kuota janë për trojet për çdo shkollë që kemi.

 –Sa është tarifa që duhet të paguaj një student që dëshiron që të ndjek studimet e Doktoraturës?

-Po unë do të thoja që tarifa është relativisht e vogël. E them këtë pasi tarifa nuk mbulon as kostot që ka fakulteti jonë për një student të Doktoraturës. Tarifa për të gjitha vitet e studimit të Doktoraturës është 200 mijë lekë të reja.

 -A është zgjidhur problemi i ambienteve pranë fakultetit tuaj, pasi keni një numër të madh studentësh?

-Aktualisht raporti pedagogë–studentë1- 25 studentë. Kjo pasi numri në total i studentëve është 1570. Kjo gjë në kushte inxhinierie është shumë e vështirë dhe kërkohet një staf i dyfishuar.  Ndaj dhe punimet laboratorike ne i bëjmë në grupe të mëdha dhe jo me 5 apo 10 studentë. Them se ka ardhur koha që në arsimin e lartë publik të behën investime më të mëdha për të përballuar të gjitha këto probleme që unë përmenda pak më lartë. Ne kemi kërkuar dhe hartuar strategji të fakultetit për marrjen e projekteve të ndryshme. Natyrisht ne kemi marrë në konsideratë se kush janë aspektet kryesore të tregut të punës. Ne kemi gjykuar se në përmbushjen e këtyre objektivave na duhen dhe ca pajisje dhe laboratorë të rinj. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se ne i njohim sado pak mundësitë konkretë që ka ekonomia e shtetit. Projektet që ne i kemi marrë duke konkurruar me mjaft instance, qoftë me Bankën Botërore, qoftë me projekte Tempus. Këtu dua të përmend dhe faktin se për rreth 2 vite ne si Fakultet përfitojmë një fond nga buxheti i shtetit, i cili lidhet me fondin e Ekselencës. Ky fond kryesisht përdoret për kualifikimin e stafit akademik dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitete shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Për këtë vit ky fond është pezulluar nga Dega e Thesarit pasi është bllokuar nga Ministria e Arsimit. Ky problem është i lidhur me dy faktorë së pari; edhe ata që kanë përgatitur projektin dhe kanë investuar për të realizuar diçka akademik nuk mund të rimbursohen dhe së dyti; një pjesë e stafeve tona iu është miratuar projekti, i kanë zhvilluar ato nëpër auditorë brenda dhe jashtë vendit dhe asnjë shpenzim nuk iu është rimbursuar.

Kuotat e pranimit për kandidatët brenda dhe jashtë vendit

Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit, të përcaktuara në germën a) të pikës 1 të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në kolonën D të tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi. Kuotat e pranimit për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit, të përcaktuara në germën b) të pikës 1 të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në kolonën E të tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi. Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në germën c), të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe  Shkencës nga persona të interesuar.