Përparim HALILI/ Astrit Hajdini, profesori i heshtur tepelenas, që “flet” prej 40 vitesh me punën e tij

1165
Sigal

Jetojmë mes vlerave dhe nuk i evidentojmë, për shkak të ambientimit me to. Dhe vjen një moment, kur këto vlera krejt natyrshëm, pa thirrje, pa lutje, pa bujë, të “shkundin” prej ambientimit e të nxisin t’i publikosh, t’i bësh pjesë të shoqërisë. Kjo më ndodhi disa ditë më parë, pas një bisede telefonike me ish-mësuesin tim, mikun tim të mirë Astrit Hajdini. Në 15 shtator, në ditën e parë të fillimit të vitit mësimor, u telefonave disa ish-mësuesve të mi, për t’i uruar. Ata që u përgjigjën, më falënderuan. Ajo ç’ka më bëri përshtypje, ishte përgjigja e njërit prej ish-mësuesve, që më ka dhënë mësim 4 vite radhazi, në gjimnazin e Memaliajit të viteve ‘70. E kam fjalën për mësuesin e Matematikës, profesorin veteran Astrit Hajdini, ende mësues në Tepelenë. Çfarë më ndodhi, kur e urova për vitin e ri mësimor? Ai nuk më falënderoi që e urova për nisjen e vitit mësimor, por më falënderoi që e kujtova! Të them drejtën, m’u krijua një gjendje shpirtërore si i zënë në faj, që ai u ndje më tepër i kënaqur që e kujtova, se sa e urova.

 “Mësimi” që i jep shoqërisë, profesor Astrit Hajdini

 Mund t’i kisha shkruar shumë kohë më parë disa fjalë nderimi, vlerësimi e respekti për ish-mësuesin tim Astrit Hajdini, por më “frenonte” penën një fakt: Qysh prej 15 shtatorit, po e “bluaj” në mendje thënien e tij: “Nuk të falënderoj që më urove, por që më kujtove”. E kam fiksuar si “sinjal” reagimi këtë mesazh, që më shërbeu e më mbeti natyrshëm si një “mësim popullor”, që ai ma dha krejt natyrshëm. Çfarë të veçante kuptimplotë, ka tek ky mesazh? Ka diçka domethënëse, përgjigja e profesor Astritit dhe rikthen në vëmendje të opinionit, një temë shoqërore, një realitet që bënë apel, për një sjellje ndryshe ndaj mësuesit prej shoqërisë, prej politikës dhe shtetit shqiptar. Është fjala, për harresën ndaj mësuesit! Sa jemi nxënës, ata na mësojnë! Sa shkëputemi prej tyre, i harrojmë! Mund të harrohet çdo gjë, por jo prindi e mësuesi. Mendoj se është me vend të kujtoj një përcaktim filozofik e shpirtëror, të të madhit Edmondo de Amiçis, i cili lidhur me kujtesën e ish-nxënësve, për ish-mësuesit e tyre, ka thënë: “Shqiptoje me nderim emrin “mësues”, i cili mbas emrit të prindërve është më i ëmbli emër”. Ne ish-nxënësit, duhet të kuptojmë që kujtimi i mësuesve nuk kërkon “investime”, por veç kthim dhe përcjellje mirënjohjeje e nderimi, tek zemrat e atyre që na kanë mësuar lëndët mësimore, por dhe edukatën shoqërore. Gjatë punës si gazetar terreni, në takime me mësues të shumtë, kam konstatuar se mësuesit kanë një “shqisë” të fshehur psikologjike, të cilën nëse ua “gjen” e ua “ngacmon”, ata ndihen të plotësuar shpirtërisht: T’i kujtosh! Kaq mjafton për ta dhe siç thotë populli, ata “të mbajnë në krahë”. Duket sikur u ke falur botën! E kam përjetuar vetë këtë moment, sa herë takoj ish-mësuesit.

Sa herë takoj dhe kujtoj profesor Astritin…

Për shembull, sa herë shkoj në Tepelenë, kërkoj dhe takoj profesor Astritin. Ndihem mirë me të edhe pse ka qenë i “ashpër”. Por ka qenë mësimdhënës profesionist dhe metodist shoqëror i zoti. Është sjell si shok e vëlla më i madh, me ne nxënësit. Pas kaq vitesh, kur takohem e komunikoj në rrjetet sociale me bashkëmoshatarët e mi, ish-nxënës të atyre viteve në gjimnazin e Memaliajt, të cilët sot gjenden në çdo cep të globit, kujtojmë ish-mësuesit tanë, por i pari është Astriti, ky intelektual i formuar, ky mësues specialist Matematike dhe njeri “babaxhan” me botë të madhe shpirtërore, që nuk vuan as nga smira, as nga nepsi për karrierë, as nga ligësia. Sa herë e takoj në Tepelenë, ulemi e bisedojmë si dy shokë e miq të mirë. E përsëri, unë i them “profesor”, sepse ashtu e kam “skalitur” në mendje këtë njeri si “profesor”. Sepse i tillë ka qenë e ka mbetur ky mësues për mua dhe për të gjithë ata që e kanë patur mësues: Një profesor i zoti, një njeri dhe mik i mirë. Sa herë e kujtoj apo e takoj, ai ndihet i lumturuar, nxjerr natyrshëm prej xhepit ato pak “qindarka” rrogë mujore, të “rezervuara” për kafe miqsh e shokësh e të qeras me… “dhunë”. Vazhdoj dhe do të vazhdoj ta kujtoj e takoj përherë Astrit Hajdinin, njeriun dhe mësuesin e mirë tepelenas. Këtë “detyrim” ma imponon “historia” e sjelljes së tij ndaj nxënësve, sidomos ndaj ne nxënësve, që e kishim mësues kujdestar. Me brezin tim, me orën e parë të mësimit si mësues në klasën time e ka nisur Astrit Hajdini profesionin e mësuesit përpara 40 vitesh. Si unë, profesor Astritin e kujtojnë dhe e nderojnë ish-nxënës kudo që gjenden. E vlerësojnë nxënësit, të cilët ai sot mëson në Gjimnazin “Abaz Shehu” në Tepelenë e po kështu mësues kolegë të tij, me të cilët ai punon. Unë nuk e di edhe se sa vite do të jetoj fizikisht profesor Astrit Hajdini, por di që ai do të jetojë përherë në kujtesën tonë, si mësuesi që na donte shumë.

 Flasin ish-nxënës të Astrit Hajdinit

 VLADIMIR HOXHA: E takoj shpesh në Tepelenë, ish-profesorin tim Astritin. Çuditërisht, më shumë respekton ai. Vazhdon të jetë ai njeri i ëmbël, paqësor, dashamirës, këshillues. Ne ish-nxënësit e tij, ruajmë në kujtesë mësuesin e përkushtuar e të dashur, na trajtonte si shok, por nuk na toleronte në mësim.

 ADNAND KANANI: Kam vite pa e takuar profesor Astritin, por shpesh i dërgoj përshëndetje, jo thjesht si ish-mësues, por si njeriu që në ato vite shkollore na respektonte, edhe kur gabonim. Nëpërmjet gazetës “Telegraf”, po i dërgoj përshëndetje mësuesit tim të mirë.

 JANI GJIKA: Unë ndjej nostalgji për vitet e gjimnazit dhe brenda kësaj nostalgjie, që më kthen shpesh në kujtimet e atyre viteve të gjimnazit të Memaliajit, me duket sikur jam në klasë e sikur kam përballë profesor Astritin, ashtu serioz, të përqendruar e të zot në orën e mësimit dhe të përkushtuar shoqërisht pas mësimit.