Penalizimet për mësuesit që nuk kalojnë testin në Provimin e Shtetit dhe afati për ritestim

2082
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Provimeve të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve Niko Terezi për vlerësimin e mësuesve 

Ditën e djeshme ka qenë dita e parë e Provimit të Shtetit për profesionin e mësuesisë. Në lidhje me testin dhe procedurat për këtë provim ka folur në një intervistë për “Telegraf” Drejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi. Zoti Terezi, e cilëson si mjaft të rëndësishëm provimin e shtetit që po mbahet këto ditë për profesionin e mësuesisë. Sipas tij, Ministria e Arsimit është e përgatitur për mbarëvajtjen e këtij provimi dhe ka publikuar edhe programin e saj para afatit të mbajtjes së provimit. Ajo që ka më shumë rëndësi është që nëse mësuesi nuk arrin t’i marrë pikët për të kaluar këtë provim, ai mund t’i nënshtrohet përsëri këtij provimi dhe provimi mund të jepet deri në pesë herë. Sipas zotit Terezi nëse mësuesit nuk marrin këtë provim për herë të parë, ato do të kenë mundësi tjetër në muajin gusht ose shtator për ta dhënë këtë provim përsëri. Po ashtu nëse nuk merret provimi mësuesit që janë të papunësuar nuk mund të punësohen. Po ashtu zoti Terezi, ka shtuar se, shumë shpejt do të ketë dhe profesione të tjera që do t’i nënshtrohen këtij provimi shteti, ku provimit të radhës do t’i shtohet profesioni i inxhinierisë.

 -Zoti Terezi, ditën e djeshme ishte data e parë për provimin e mësuesisë, si shkoi ky provim dhe sa është numri i mësuesve që do futen në provim?

-Po, dje ishte data e parë e Provimit të Shtetit për degën e mësuesisë. Numri i mësuesve është 197. provimi ashtu siç e kemi thënë edhe herë të tjera provimi do të zhvillohet nga data 17 deri në 24 dhjetor. Janë 19 profile, ditën e djeshme u zhvillua provimi për degën e Gjuhë-Letërsisë. Rezultatet ishin të kënaqshme në këtë provim.

 -Si ishte niveli i mësuesve që u paraqitën ditën e djeshme më provim?

-Po niveli ishte i mirë do të thoja unë. Ditën e djeshme kalueshmëria ishte mbi 80% të atyre që morën pjesë.

-Po ato që nuk e kalojnë testin për herë të parë, kur do të paraqiten përsëri në testim?

-Po, ata që nuk e kalojnë testin për herën e parë do të ketë një mundësi të dytë për dhënien e provimit. Nuk është përcaktuar ende afati tjetër, por mund të ju them me përafërsi që do mund të jepet në muajin gusht ose shtator të vitit të ardhshëm, në mënyrë që ta kenë dhënë provimin para se të fillojë viti akademik.

 – Çfarë penalizimesh ka për këto mësues në momentin që nuk e marrin testin herën e parë?

-Po, ka masa penalizuese si për mësuesit që janë të punësuar, po ashtu edhe për mësuesit që nuk janë të punësuar. Në qoftë se nuk janë në punë mësuesit nuk mund të punësohen nëse nuk e marrin provimin herën e parë. Ndërsa nëse janë të punësuar ato nuk do të marrin dot shtesat që bëhen për këtë profesion.

 -Para pak ditësh u zhvillua edhe provimi i Infermierisë, si ishin rezultatet për këtë kategori?

-Infermieria ka pasur nivel më të lartë. Por kryesorja është që kishte masivitet, u regjistruan rreth 1200 veta. Rreth 1030 vetë morën pjesë dhe u licencuan rreth 550 infermiere, dhe ishin më shumë se dy sezonet e para.

-Cila është mënyra e vlerësimit për këtë provim dhe çfarë duhet të kenë parasysh pjesëmarrësit?

-Sikurse edhe në provime të tjera në fushën e mësuesisë edhe provimi që filloi dje dhe që do të vazhdojë deri në  datë 24 dhjetor do të ketë 50 pyetje. Ku 20 pyetje do të jenë të pjesës së përbashkët dhe 30 pyetje do të jenë të pjesës profesionale. Këto 50 pyetje kanë në total 100 pikë dhe që një mësues të kalojë provimin duhet të ketë marrë në provim 50 pikë. Ndërkohë që nëse nuk i plotëson pikët për ta kaluar në provim, ministria ka përgatitur një rregullore dhe si e tillë një mësues ka të drejtë që ta japi një provim deri në pesë herë. Provimi do të bëhet njëherë në vit, por mund të bëhet edhe dy herë në vit. Por nuk besoj që një mësues do të shkojë deri në pesë herë, pasi ata që kanë mësuar e kanë marrë që herën e parë, dhe e shumta kanë shkuar deri herën e dytë. Tarifa për këtë provim është 10000 lekë të reja dhe tarifa paguhet sa herë që mësuesi e jep provimin.

 -Përkrah këtyre profesioneve si mësuesi dhe mjekësi, cilat janë profesionet e tjera që do të përfshihen në këtë provim?

-Po do të ketë dhe një sërë profesionesh të tjera që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Më konkretisht do të përfshihen profesionet e inxhinierisë. Ku më konkretisht do të përfshihen inxhinieria e ndërtimit, inxhinieria elektrike, arkitektura, inxhinieria mekanike, inxhinieria e ambientit.

-Ju theksuat që do ketë dhe profesione të tjera që do të përfshihen në provimin e shtetit, kur do të fillojë aplikimi i provimeve për këto profesione?

-Ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës jemi gati për të bërë pjesën tonë, për mbajtjen e këtyre provimeve edhe për profesione të tjera përkrah mësuesisë dhe mjekësisë. Pjesa tjetër i përket ministrive të tjera, por më lejoni që të theksoj që edhe nga zoti Olldashi kemi marrë shkresë zyrtare që janë të përgatitur. Por vitin tjetër besoj që do të fillojë të aplikohet edhe për profesione të tjera provimi i shtetit. Janë 35 profesione, deri më tani janë 6 profesione nga mjekësia, janë dhe tre të tjera nga infermieria, që përfshin logopedi, imazheri dhe teknik laboratori, është mësuesia me tre profesione dhe bëhen 12 profesione deri më tani. Pjesa tjetër nuk janë zhvilluar, por ne si ministri po përgatisim programet dhe në vitet në vazhdim do të shtohet edhe pjesa tjetër e profesioneve që do t’i shtohen provimit të shtetit.

Vlerësimi dhe përmbajtja e testit

Nga data 17 deri në 24 dhjetor është vendosur që të jepen provimet për profesionin e mësuesisë. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit nga e cila varet edhe Drejtoria që zhvillon provimin e shtetit, janë shpallur të gjitha programet për lëndët si Kimi, Matematikë, Gjuhë, Biologji etj. Do të jenë 15 provime dhe programet janë shpallur disa muaj përpara. Ndërkohë që, për gjuhën angleze 40 % do ta ketë ana pedagogjike, ndërsa pjesa e gjuhës angleze do ta ketë 60%. Sikurse edhe në provime të tjera në fushën e mësuesisë edhe ky provim do të ketë 50 pyetje, ku 20 pyetje do të jenë të pjesës së përbashkët dhe 30 pyetje do të jenë të pjesës profesionale. Ndërkohë që nëse nuk i plotëson pikët për ta kaluar provimin, ministria ka përgatitur një rregullore dhe si e tillë një mësues ka të drejtë që ta japi një provim deri në pesë here

Tarifa e provimit që duhet paguar

Pagesa e tarifës së Provimit të Shtetit për herë të parë- 1000 lekë

Pagesa e tarifës së Provimit të Shtetit për herë të dytë- 12500 lekë

Pagesa e tarifës së Provimit të Shtetit për herë të tretë 15000 lekë