Pëllumb Pipero:Ndryshojnë procedurat për specializimet tek mjekësia, ja kuotat dhe kriteret

695
Sigal

 INTERVISTA/Flet Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë

Së shpejti pritet që të fillojnë përgatitjet për fillimin e specializimeve në Universitetin e Drejtësisë. Në lidhje me kriteret dhe afatet për specializimet ka folur në një intervistë në gazetën “Telegraf”, Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas zotit Pipero, pas miratimit të kuotave nga Këshilli i Ministrave pritet që të fillojnë puna për fazën e pranimit për specializimet në fushën e mjekësisë. Për këtë vit akademik pritet që të miratohen 197 kuota, të ndara këto, sipas specialiteteve të ndryshme.

 -Zoti Pipero, a do të ketë ndryshime për sistemin e specializimeve në mjekësi për këtë vit?

-Unë besoj që në mbledhjen e kësaj jave të qeverisë do të miratohen kuotat që janë të planifikuara për specializime afatgjata për Fakultetin e Mjekësisë. Janë afërsisht 200 kuota. Ose e thënë më saktë janë 197 kuota të ndara sipas specialiteteve të ndryshme, të cilat janë nevoja të domosdoshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Por natyrisht, procesi i specializimit është një proces me tre aktorë të rëndësishëm në të.

 -Kush janë aktorët e rëndësishëm që luajnë rol në procesin e specializimit?

-Po, ndër faktorët e rëndësishëm përfshihen kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat vijnë në përputhje me nevojat e shtuara për shërbimet shëndetësore të specializuara të Ministrisë së Shëndetësisë, veçanërisht në nivel qarku. E them këtë në nivel qarku sepse kemi mungesa në disa qarqe të theksuara në specialist apo në specialitete. Aktori i dytë i rëndësishëm i këtij procesi është Ministria e Arsimit, sepse bëhet fjalë për një specializim afatgjatë, apo ndryshme për një shkollë të tretë pas fakultetit. Po ashtu një aktor i rëndësishëm është dhe aktori i tretë është Universiteti i Mjekësisë i Tiranës. Pra, janë këto aktorë që mundësojnë realizmin e procesit të specializimeve afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Qendrën Spitalorë “Nënë Tereza”.

 -Në qytetet të ndryshme vihet re një mungesë e theksuar e specialistëve të specialiteteve të ndryshme. A është menduar për ndonjë zgjidhje për plotësimin e nevojave me specialistë në rrethe?

-Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit Ministria e Shëndetësisë, duke pasur në konsideratë vështirësinë e plotësimit të stafeve nëpër rrethe me specialistë ka gjetur një rrugë tjetër më të suksesshme mendoj për këtë çështje. Është vendosur që studentët që vijnë nga rrethet për të bërë specializimin të kthehen përsëri atje ku duhen specialistë. Pra, duke ditur që Berati ka nevojë për një numër të caktuar specialistësh, bëhet një plan dhe në bazë të kësaj studentët që do të vijnë për specializim duhet të kthehen sërish pas përfundimit të specializimit atje. Kjo do të bëhet e mundur edhe në bazë të një kontrate paraprake kontratë paraprake që do të bëhet me spitalet që këto kontingjente që mbarojnë specializimin të kthehen përsëri për të punuar atje ku janë nevojat për specialistë. Në këtë mënyrë ne mendojmë që do të evidentojmë sadopak mungesat e theksuara që janë në rrethe për specialistë të specialiteteve të ndryshme. Pra, me anë të kontratës bëhet e mundur që studenti të kthehet në qytetin që ai vjen pas specializimit.

 -Kjo praktikë për plotësimin e nevojave me specialistë me bazë rajonale po bëhet për herë të parë?

-Kjo bëhet për herë të parë, ne e patëm plotësuar edhe para dy vjetësh në fakt, por nuk na u miratua nga kryeministri. Ai pati të drejtë në fakt dhe ka dhe sot, nëse ne themi që secili duhet të marri atë që meriton në bazë të meritokracisë, apo sipas pikëve. Por është më logjike në raport me performancën. Por edhe rajonalizimi i kërkesave ka po të njëjtën logjikë brenda, sepse ato do të konkurrojnë brenda tyre dhe kush është më i miri do të shkojë për specializim natyrisht. Por kjo ka më shumë lidhje me qarkun dhe njerëzit e tjerë. Duke qenë nga qarku specializanti dhe duke pasur një kërkesë paraprake të pagueshme apo jo besoj që ka më shumë mundësi për t’u kthyer atje përsëri.

 -Cilat janë kriteret bazë që do të përdoren për përzgjedhjen e fituesve?

-Natyrisht, procesi i specializimeve afatgjata është një proces kompleks. Ministria e Shëndetësisë vetëm bën kërkesën për kuotat, ashtu siç bëjnë edhe Ministria e Drejtësisë etj.. Ndërkohë që, Këshilli i Profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë, Rektorati i Universitetit të Tiranës dhe dekanati i Fakultet të Mjekësisë mblidhen dhe përcaktojnë kriteret. Mbas përcaktimit të kuotave nga Këshilli i Ministrave, mblidhet Këshilli i Fakultetit që përcakton kriteret. Ndër kriteret kryesore janë nota mesatare, mosha, konkursi. Mosha, natyrisht është deri në 35 vjeç, sipër kësaj moshe nuk mund të pranohen persona për specializim.

 -Çfarë të risish të tjera do të ketë këtë vit për specializimet?

-Këtë vit ne do të mundësojmë diçka tjetër në bashkëpunim me spitalet rajonale, siç është ai i Durrësit, i Elbasanit, i Shkodrës. Ne këtë vit në mund të fuzionojmë praktikat mjekësore të specializantëve në spitale, të cilët ofrojnë shërbime në nivelin universitar. Kjo ka të bëjë me praktikat e reja që do të futen këtë vit në spitalet rajonale.

 -A do të ketë ndonjë ndryshim në afatet kohore për këto praktika. Sa vjet do të zgjasin specializimet?

-Specializimet do të zgjasin tre dhe katër vjeçar sipas kurikulave të përcaktuara nga vendimet e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë përsa i përket tarifës unë mund të them që nuk është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë çështja e përcaktimit të tarifës. Propozimi bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për tarifën dhe vendimin e merr Këshilli i Ministrave.

 -Po në lidhje me specializimet jashtë Shqipërisë, a ka ndonjë projekt Ministria e Shëndetësisë që mund ta mbështesë?

-Specializimet jashtë Shqipërisë, nuk janë specializime të mirëfillta. Po ashtu, unë mund t’ju them që ne kemi tërë kapacitetet për specializimet brenda vendit dhe kjo është një arritje e sistemit arsimor shqiptar dhe e sistemit shëndetësor shqiptar. Jashtë shtetit përgjithësisht preferohen që të bëhen kualifikime pas specializimeve, por ka dhe iniciativa personale që një pjesë të specializimit e bëjnë jashtë shtetit. Fakulteti i Mjekësisë ka thithur një pjesë të konsiderueshme projektesh në bashkëpunim me universitetet analoge në Europë, veçanërisht për studentët e ekselencës. Por gjithsesi kombinohen specializimet një pjesë këtu, ose një pjesë bëhen jashtë pra flasim për ato raste kur ka bashkëpunime me fonde të ndryshme.

Procedura e konkursit për specializimet

Konkursi bëhet në Fakultetin e Mjekësisë sipas degëve. Pra, mund të vendoset që të bëhet sipas specialiteteve apo mund të bëhet edhe një konkurs i përbashkët. Pra kjo është një vendimmarrje e këshillit të profesorëve. Në përgjithësi merret në konsideratë nota mesatare e cila ka qenë konvertuar me 50 për qind të pikëve, ndërsa sivjet ajo mund të konvertohet me 30% të pikëve, 50-60 % mund t’i lihen konkursit dhe 10-20% e pikëve mund t’i lihen intervistës.