Pedagogët, kundër ligjit: Të shfuqizohen nenet për financimin e universiteteve private

65
Përfaqësuesit e Forumit për Liri Akademike u kanë dorëzuar deputetëve të komisionit parlamentar të Medias memorandumin e firmosur nga më shumë se 200 pedagogë të cilët kundërshtojnë projektligjin e arsimit të lartë. Profesor Artan Fuga ka theksuar se në këtë projektligji nuk respektohet autonomia.
“Ne nuk mundemi të pranojmë që buxhetet publike të shkojnë tek operatorët privatë në kushtet kur diplomat po zhvlerësohen. Dhe ato diploma në treg kanë një vlerë reale gjithnjë e më të ulët, sepse papunësia intelektuale, këtë investim të madh që bën familja shqiptare dhe që mund të bëjë buxheti i Republikës së Shqipërisë, të shkojë në prodhime diplomash që në treg nuk kanë vlerë”, tha prof. Artan Fuga.
“Ne duhet të ecim me dy linja. Universitetet publike pastërtisht publike, dhe universitetet private, pastërtisht private. Ato kalimet nga njëri status tek tjetri mendoj se janë shumë të parakohshme dhe do të krijojnë shumë probleme në Shqipëri. Konkurrenca e ndershme mes universiteteve publike dhe private unë e shoh si një burim të zhvillimit të mendimit shkencor në Shqipëri”, u shpreh prof. Zyhdi Dervishi.
“Financimet publike do të shkojnë vetëm tek operatorët publikë dhe jemi duke parë me vëmendje nëse ka ndonë nen të ligjit që e prek këtë deklaratë. Sigurisht, që ne do të reagojmë, duke iu përmbajtur fort deklaratës politike dhe pozicionit të maxhorancës që financimet publike të shkojnë vetëm tek institucionet publike”, tha znj. Hafizi.
Profesor Mark Marku tha se ky projektligj është autik dhe po ndihmon një grup të caktuar.
“Nuk ekziston autonomia universitare, madje, ishte një nga vërejtjet bazë që tha specialisti europian që tha: ky ligj nuk është për universitetet, figura ‘universitet’ nuk ekziston në ligj. Ekziston figura e ministrit, drejtorëve të agjencive, kryeministrit, por është ligj jo për universitetet. Tha tekstualisht: Është një rregullore e shtetit për universitetin”, tha prof. Mark Marku.
Senati i Universitetit, por edhe Forumi për Liri Akademike kërkojnë rishikimin e disa neneve të këtij projektligji dhe kanë kundërshtuar tërësisht kapitullin 12, i cili sipas tyre, e fut universitetin publik në një rrugë të rrezikshme dhe krejtësisht të panjohur.