Paralelisht me reformat modernizuese në arsim, vlerësim financiar për mësuesit si zbatues të tyre

498
Sigal


Ministrja Lindita Nikolla: “Jemi të vendosur për t’i
çuar reformat deri në fund, mësuesit meritojnë të mbështeten në çdo aspekt 

 

Përparim HALILI

 

Takimi i djeshëm i kryeministrit Rama, zhvilluar me
mësuesit nga të gjithë zonat e vendit, ka përcjellë mesazhin e qartë se
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zonja Lindita Nikolla, në këto 3 vite të
drejtimit të arsimit shqiptar prej saj, ka ndërtuar një politikë reformuese
arsimore me tregues konsolidimi të institucionit arsimor në çdo nivel, të
fuqizimit të personalitetit të mësimdhënësit, të transparencës së punësimeve
nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, të bashkëpunimit me pushtetin
lokal, të nivelit shkencor të kurrikulave, të modelit avancues të maturës
shtetërore, të reformës në universitete, të ligjit të arsimit të lartë, të
mësimdhënies bashkëkohore, të standardizimit të AKP, të bashkëpunimit me
komunitetin dhe të drejtimit bashkëpunues në çdo strukturë të sektorit të
arsimit, në përshtatje me standardet evropiane. Ky progres, këta tregues
“rilindës” të arsimit me objeksion final, instalimin dhe aplikimin funksional
të standardeve europiane, duket se e kanë “detyruar” kreun e qeverisë shqiptare
t’i kushtojë vëmendje të serioze e të mëtejshme mbështetjes së sektorit të
arsimit, jo vetëm me investime infrastrukturore dhe liri reformash progresiste
brenda e prej sistemit arsimor, për të cilat duhet thënë, se janë një tregues
ndryshimi. Por në takimin e djeshëm me mësuesit, bashkë me vazhdimësinë
mbështetëse të reformave arsimore, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar
përpjekjet e Ministres së Arsimit, zonjës Lindita Nikolla, për të nisur
zbatimin e reformës financiare në pagat e mësuesve, si vlerësim për punën që
ata bëjnë me mësimdhënien e tyre edhe mes vështirësive, për të zbatuar reformat
e modernizimit të sektorit të arsimit. Reformat arsimore, nuk bëhen as në 1
orë, as në 1 ditë, as në 1 muaj, as në 1 vit e as në 1 mandat qeverisës, por
çdo ditë, javë, muaj e vit hidhen piketat dhe nisin e realizohen gradualisht
ndryshimet. Kjo është bërë në këto 3 vitet e fundit në sistemin arsimor
shqiptar! Duhet pranuar fakti, që arsimi është një sektor i vështirë për të
konkretizuar plotësisht në harkun e përcaktuar kohor të një apo disa modeleve
të reja të mësimdhënies, të kualifikimit të drejtuesve rajonalë, të drejtuesve
të rretheve e të shkollave, të rinovimit të kualiteteve të specialistëve, të
kualifikimit dhe monitorimit periodik sistematik të mësuesve, të cilët janë
stacioni i fundit ku matet rezultati. Siç shprehen, mësues e drejtues arsimi në
Tepelenë, Fier, Vlorë, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Burrel, Pogradec, Lushnjë,
Sarandë etj., MAS e ka konceptuar drejt platformën reformuese që ka ideuar,
hartuar e hedhur për zbatim dhe po kërkon prej çdo drejtuesi e mësuesi, zbatim
të plotë, me korrektësi e cilësi, për ta çuar deri në fund këtë proces kompleks
dhe me përgjegjësi për rilindjen e arsimit shqiptar! Këtë e konfirmoi në fjalën
e saj në takim edhe Ministrja Lindita Nikolla… 

 

Ministrja Nikolla: “Jemi të vendosur për t’i çuar
reformat deri në fund.”

 

“Reforma e ndërmarrë nga qeveria ka ndryshuar rrënjësisht
arsimin në Shqipëri. Sot kemi një arsimim real dhe jo si dje, kur kishim shitje
të diplomave dhe certifikatave fiktive. Përmes kësaj reforme sot kemi ngritur
gjimnazin e gjeneratës së re. Kjo është reforma e arsimit edhe për regjistrimin
në universitete. Jemi të vendosur për t’u shkuar reformave deri në fund. Të
dashur mësues, ju meritoni respektin maksimal. Krahas mbështetjes me trajnim,
qeveria ka vendosur që padyshim t’ju mbështesë edhe me rritjen e pagave. Do të
jetë ministri i Financave që do të tregojë, se sa dhe si do të rriten pagat për
mësuesit dhe pedagogët, pedagogët që nuk kanë shënuar rritje page që nga viti
2005”.

 

Kryeministri Edi
Rama: Ishte emergjent “operacioni” në arsim

 

“Vetëm 3 vjet më parë kur morëm detyrën gjetëm 35 milionë dollarë borxhe në
arsim. Borxhe që shteti u detyrohej të tretëve. Gjetëm edhe një infrastrukturë
arsimore shumë të vështirë, me 177 mijë nxënës të arsimuar me deformime, jo për
faj të tyre, por të politikës qorre. Gjetëm një analfabetizëm institucional
prej 60 për qind dhe një arsim të transformuar në një sistem grabitjeje të
parave të prindërve dhe ëndrrave të të rinjve
. Në këtë situatë ishte i
nevojshëm një operacion i thellë në arsim, për të riparuar një sistem
kanceroz”.
E përsëris, për inatin e të gjithë atyre që pasi kanë
dështuar për vite të tëra, kanë drejtuar gishtin e akuzës ndaj ministres së
Arsimit, duke theksuar, se është falë lidershipit të saj që ne sot jemi në
kushte të tilla, ku mund të themi se në arsim kemi shënuar një kthesë historike
në çdo aspekt. Kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur për ta transformuar
arsimin në Shqipëri në një instrument rritjeje ekonomike e shoqërore”.

Sot, fëmijët shqiptarë mësojnë me tekste të njëjta me ato të fëmijëve në Angli
apo kudo qoftë në BE. Gjithashtu, nuk emërohet më mësues kush paguan më
shumë. Garantimi i karrierës së mësuesit e kthen atë në figurën që duhet të
jetë”
.

 

Edi Rama: “Nikolla, bëri në arsim, atë që nuk e bëri një
karvan burrash në 20 vite”

 

“Një zysh si të gjitha gratë dhe vajzat
këtu, mundi të bënte në krye të ministrisë, atë që një karvan i tërë burrash me
grada shkencore, nuk e bënë dot kurrë në 20 e kusur vite me radhë. Hynë në atë
institucion me grada në kraharor dhe siç hynë dolën, duke lënë pas rrënimin e
sistemit tonë arsimor. Mjafton të shikojmë rezultatet e operacionit në
arsim për ta konfirmuar me fakte këtë që thashë, duke filluar nga tekstet, 650
tekste u fshinë nga bankat, falë pjesëmarrjes së të gjithë mësuesve që për herë
të parë patën të drejtën të japin mendimin e tyre që për vite të tëra me imponim
absurd nga lart u detyruan të jepnin mësim, kur vetë mësuesit ishin të
vetëdijshëm që nuk ishin për mësim”

 

MAS: Vlerësim për punën e mësuesit, rrije pagash 10%

 

Prej 1 marsit të vitit 2017, mbi 34 mijë mësues në vend,
do të përfitojnë rritje pagash me 10%. Kjo u bë e ditur në një takim që
ministria e Arsimit, e Financave dhe Kryeministri zhvilluan dje me mësues nga
gjithë qarqet e vendit. Rritje pagash do të përfitojnë dhe pedagogët, ku 18
milionë dollarë do të përdoren për rritjen e pagave të mësuesve. Pagat e
mësuesve, do të rriten me minimumi 3 mijë lekë të reja. Sipas llogaritjes, pas
kësaj rritjeje jo të vogël, paga e mesatare e mësuesve do të bëhet 58 mijë e
300 lekë, nga 53 mijë lekë që është aktualisht. Paga mesatare në arsimin bazë
nga 54 mijë lekë, do bëhet 59 mijë lekë, ndërsa paga mesatare e mësuesve në
arsimin e mesëm nga 60 mijë, bëhet 66 mijë lekë. Pagat e mësuesve në ciklin e
ulët, nga 32 mijë bëhen 35 200 lekë.

 

Rritje pagash edhe për pedagogët

 

 Rritje page mujore, do të përfitojnë jo vetëm 34 mijë mësuesit dhe punonjësit e sistemit
parauniversitar, por do të përfitojnë edhe pedagogët e universiteteve publike.
Në sistemin Universitar nuk është rritur paga që nga viti 2005 dhe kjo sipas
kryeministrit “është e pakonceptueshme”. Janë 5 milionë dollarë të planifikuar,
që do të shkojnë për rritje pagash në sistemin universitar publik. Rritje
pagash në total, e cila është më e larta e të gjitha kohërave.