Sigal

Nisin aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë master profesional, shkencor dhe master i arteve të bukura.

Sipas vendimit  të miratuar nga qeveria, studentët të cilët janë të pajisur me një diplomë të vlefshme në një program të ciklit të parë në Shqipëri, po ashtu edhe ata jashtë Shqipërisë, por të njehsuar, kanë mundësi të aplikojnë pranë universiteteve publike deri në datë 12 tetor, ndërsa një afat kohor më i gjatë është lënë për studentët të cilët zgjedhin të vazhdojnë masterin në universitetet private, data 19 tetor.

Institucionet arsimore publike do të afishojnë listat, e fituesit brenda datës 22 tetor ndërsa ato private në 29 tetor.

Aplikantët kanë mundësi të mësojnë nëse janë fitues apo jo nëpërmjet listave që do të afishojnë universitetet në datat e sipërpërmendura, të cilat do të vendosen në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe në faqet web të IAL-së, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara.

Për studentët e shpallur fitues regjistrimet do të bëhen pranë sekretarive mësimore përkatëse në datë 30 tetor në IAL publike dhe 6 nëntor në ato private.

Kandidatët do të paraqiten me dokumentacionin e duhur të bërë tashmë publik në faqen e institucioneve përkatëse arsimore.

Sipas vendimit, studenti nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi, me përjashtim të atyre që janë të shkëlqyer.

Dokumentacioni për regjistrim:

-Diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë.

-Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me:

-Fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin

-Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave

-Formulari i aplikimit

-Fotokopja e dokumentit të identifikimit

-Dy fotografi personale

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

-Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës

-Curriculum Vitae

Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

-Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë

-Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.

-Kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian.