Nikolla: Brenda qershorit, pasqyrimi i cilësisë për të gjitha universitetet

520
Sigal

 Takimi midis ministres Nikolla dhe ministrit Buja, bashkëpunim mes dy vendeve për cilësinë e arsimit

Brenda muajit qershor, do të jetë gati pasqyrimi i cilësisë për të gjitha universitetet e vendit. Siç bëri me dije ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla gjatë një takimi me homologun e saj nga Kosova Ramë Buja, të dy vendet do të bashkëpunojnë për njohjen e universiteteve. “Ky bashkëpunim mes dy vendeve tona, do të garantoj cilësinë e diplomave në përputhje me standardet europiane. Deri në qershor do të kemi një tablo të qartë që do të vij nga investigimi i një agjencie të huaj që do të merret me akreditimin e të gjithë universiteteve. Aktualisht ka përfunduar ekspertiza e parë”, -tha ministrja Nikolla.

Ministrja shqiptare e arsimit vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe e cilësoi si një dhuratë, ofrimin e eksperiencës së Kosovës në fushën e arsimit. “Ekspertët kanë punuar dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer në kalendarin e veprimtarive, mbi kornizën kurrikulare, duke garantuar ekspertizën. Kjo vjen dhe si shenjë e vullnetit të dy qeverive tona. Ne do të mundësojmë jo vetëm lehtësimin, por dhe ndryshimet ligjore që nevojiten për të bërë unifikimin e sistemeve tona arsimore”, tha ajo.

Pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve do të jetë dhe njohja e studentëve për cilësinë e diplomave, marrëveshjet që do të nënshkruhen që diplomat të jenë të njohura nga dy vendet. “Pjesë e marrëveshjes sonë do të jenë dhe shkëmbime të profesoriatit, formatim i ri i kërkim shkencor që akademikët të kenë habitatin e tyre për të orientuar zhvillimin shkencor në përputhje me projektet dhe interesat e përbashkëta të dy vendeve”, tha ministrja e Arsimit.

 Cilësia e diplomave konform standardeve europiane

“Diskutuam për një moment të veçantë që ndoshta përbën shqetësim për shumë familje dhe studentë nga Kosova që ndjekin studimet në universitetet private në Shqipëri, përsa i përket njohjes së këtyre diplomave. Një shqetësim që u përcoll tek unë, nga z. Buja dhe stafi i tij. Unë do të doja të ndaja me ju atë që garantova ministrin e Kosovës për një vendosmëri dhe dëshirë të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në këtë moment të rëndësishëm që lidhet me njohjen e diplomave të këtyre studentëve, ne të njohim publikun dhe çdo familje në Shqipëri dhe në Kosovë për cilësinë e këtyre universiteteve. Është i rëndësishëm informimi, por shumë i rëndësishëm për ne është që të garantojmë realisht cilësinë e diplomave konform standardeve europiane. Për ta qartësuar më thjeshtë, ne besojmë se deri në muajin qershor do të kemi një tablo të qartë që vjen nga investigimi që do të kryeje një agjenci e pavarur, anëtare e ENKA-s (Organizata evropiane e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë), për akreditimin e universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri. Ky do të jetë momenti i parë me interes publik për të parë sa dhe si këto universitete në Shqipëri mundësojnë garantimin e parametrave të cilësisë sipas standardeve evropiane dhe sigurisht hap pas hapi ne do të ndërtojmë gjithë vëmendjen e nevojshme në mënyrë që të operojmë me këto kërkesa të studentëve dhe problematikat që kanë ardhur nga vështirësitë që lidhen me akreditimin e këtyre universiteteve. Është një proces që ka filluar dhe po operohet shumë shpejt. Ka përfunduar ekspertiza e parë dhe më pas do të vij agjencia e huaj, kështu brenda qershorit ne do të mundësojmë një pamje të plotë transparente të gjithë situatës”,- tha ministrja Nikolla.

Ministrja Nikolla: Sistemi parauniversitar të ketë strukturën 5+4+3

 Ndër të tjera Nikolla tha se po mendohet që dhe arsimi parauniversitar në Shqipëri të ketë tashmë strukturën 5+4+3, dhe jo më 6+3+3. Nga ana e tij, Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja vlerësoi se “ky bashkëpunim mundëson arritjen e synimit tonë drejt Europës. Njehsimi i kurrikulës na mundëson një cilësi më të lartë Europiane dhe ne së bashku do ja arrijmë”, tha Buja. Në qendër të takimit dhe bisedimeve dypalëshe mes ministrave të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, ishin përafrimi i Kurrikulave për Arsimin Parauniversitar, njohja e diplomave të arsimit të lartë privat si dhe njohja e diplomave të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.

Ministri Buja: Njehsimi i kurrikulës të synojë cilësinë

 Jam sot i gëzuar për faktin shumë të rëndësishëm që ne ia mbërritën në një cak marrëveshjeje që e kemi ëndërruar dhe tani mbi bazën e raportimit të dy palëve të ekspertëve për afrimin e kurrikulës së dikurshme, tashmë drejt njehsimit të saj. Përafrimi dhe njehsimi i kurrikulës sonë të synojë cilësinë e nivelit më të lartë europian dhe unë besoj që kjo do të arrihet. Këmbimi ynë, i ekspertëve, i hulumtuesve edhe i dydiplomësisë, ose dhënies së diplomave dyshe të universiteteve tona dhe bashkëpunimin e profesorëve andej e këtej kufirit do të jetë në vijimësi dhe i pandërprerë.