Nëse të duhet një temë diplome mund ta porositësh… në Facebook në këmbim të 400 eurove

881
Tregtimi i punimeve të diplomave, projekteve apo punimeve shkencore nga sekserët është bërë një biznes fitimprurës, i cili së fundmi ka lulëzuar edhe në rrjetet sociale. Një punim të tillë mund ta “porositësh” në Facebook në këmbim të një vlerë prej 400 apo 500 euro. Sekserët që kanë gjetur rrugën e lirë në këtë treg nuk shqetësohen nga askush edhe pse bëjnë një punë të jashtëligjshme. Edhe pse një temë diplome është një punë që duhet të bëhet nga një student, punë e cila kërkon një kohë të konsiderueshme, këta të fundit kanë gjetur një treg të jashtëligjshëm të tregtimit të këtyre punimeve. Mjafton të kesh një llogari në rrjetin social Facebook dhe e merr punimin të gatshëm. Problemi qëndron në prezantimin e këtyre punimeve, që edhe pse dihet fare mirë që kjo punë “temë” diplome është punuar nga dikush tjetër apo që është blerë, asnjë nga pjesëtarët e komisionit të vlerësimit nuk merr masa për të denoncuar këtë fenomen, madje në vlerësimet përfundimtare, studentët që kanë blerë një punim të tillë tek një “sekser” online marrin dhe vlerësimin më të lartë. Asnjë pedagog nuk merr masa për të denoncuar këtë fakt shqetësues, i cili lulëzon, madje në konkurrencë të plotë. Ky fenomen shqetësues nuk lulëzon vetëm në rrjetet sociale, por edhe në dyert e qendrave të internetit apo gjetja e sekserëve me miqësi, të cilët të sigurojnë një punim brenda pak ditëve në këmbim të një vlerë të majme parash. Edhe pse nga ana e pedagogëve, (ky fenomen është i njohur, madje jo në pak raste disa të tilla të sugjerojnë dhe sekserin) nuk merret asnjë masë për ta evituar këtë fenomen. Shitja e temave të diplomave në vendin tonë është bërë si tregu i shitjes së aboneve të autobusëve dhe për këtë nuk shqetësohet askush, ndërkohë që “ekspertët” e kësaj fushe zhvillojnë aktivitetin e tyre të paprekur nga askush edhe pse këta të fundit janë të njohur nga të gjithë për aktivitetin që ata zhvillojnë. 
Kurse private dhe shitje tekstesh, pa asnjë faturë 
Në kundërshtim me “Kodin Etik të Mësuesit” dhe në informalitet të plotë, kurset private nuk ndalohen nga askush edhe pse ky aktivitet është i jashtëligjshëm, kjo me hyrjen në fuqi të të “Kodit të Etikës së Mësuesit” më 10 dhjetor të viti 2013. Por sot, ende kurset private janë një mundësi e mirë e fitimit të të ardhurave, jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por dhe në informalitet të plotë. Shumë kurse private që operojnë në kryeqytet në hyrje pallatesh apo në shumë raste në banesat private, zhvillojnë aktivitetin e tyre pa u shqetësuar nga askush. Një kurs minimalisht e ndjekin 40-50 persona në muaj, çka do të thotë se shiten po kaq tekste, por këto tekste në momentin që blihen nga kursanti nuk shoqërohen me faturë tatimore. Madje në shumë raste këto tekste nuk kanë as çmim, por kush pyet… askush? Përveçse çdo muaj duhet të paguash për zhvillimin e kursit një shumë prej 40-50 mijë lekësh, duhet të blesh një libër, i cili nuk përmban asnjë çmim dhe që nuk shoqërohet me asnjë faturë. Ministria e Arsimit u zotua se do bënte maksimumin që këto kurse të mos ekzistonin më, por realiteti është shumë herë më ndryshe. Këto të fundit jo vetëm që nuk janë mbyllur, përkundrazi janë shtuar dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në informalitet të plotë. 
Sigal