Në Universitetin Marin Barleti : Dijet e auditorëve si zgjidhje për shoqërinë !

791
Prof. Assoc. Reis Mulita, PhD 

Shef i Departamentit të Shkencve Politike në Universietin “Marin Barleti”,Tiranë 
Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis nivelit të zhvillimit ekonomik e shoqëror, të mirëqenies, sigurisë sociale dhe përkujdesjes së shoqërisë ndaj mjedisit natyror në një vend, me nivelin e cilësinë e edukimit në përgjithësi dhe të universiteteve e kërkimit shkencor në veçanti. Pothuajse në të gjitha vendet më të zhvilluara, me mirëqenie dhe përkujdesje të lartë të shoqërisë ndaj mjedisit natyror, niveli i edukimit universitar dhe kërkimit shkencor, është më i lartë. Midis argumenteve të tjerë të lidhura me kushtet historike, traditën, sistemin ekonomik e shoqëror etj, përgjithësimi dhe vlerësimi kryesor në lidhje me këtë fakt qëndron në argumentin se dijet universitare dhe gjetjet e kërkimit shkencor në vendet me nivel të lartë të arsimit universitar, janë transferuar dhe përkthyer në rritje ekonomike, mirëqenie, drejtësi dhe mundësi të barabarta për shoqërinë. Sa dhe si e kryejmë këtë mision ndaj shoqërisë dhe mjedisit natyror, nëpërmjet veprimtarisë sonë profesionale, sa dhe si e kryejmë këtë mision ndaj brezave të ardhshëm, por edhe trashëgimisë së shoqërisë? Janë dhjetëra mijëra shqiptarë të mirë edukuar në auditorët dhe qendrat studimore e kërkimore të universiteteve ndërkombëtare me përvoja të arrira dhe në universitetet shqiptarë. Për fat të mirë, eksperienca e universiteteve dhe qendrave studimore e kërkimore ku jemi edukuar dhe ndajmë eksperiencat profesionale, na kanë dhënë dijen se si pushtetin në fjalë ta transferojmë dhe jetësojmë në auditorët e jetës së përditshme mes shoqërisë në vendin tonë dhe në nivel rajonal. Janë disa fjalë kyçe të cilat artikulohen në fjalorin politik e qeverisës të shoqërisë bashkëkohore, të tilla si “qeverisja e mirë”, “drejtësia sociale”, “zhvillim i qëndrueshëm,” të cilat janë shndërruar njëherazi edhe sfida të qeverisjes bashkëkohore. Ndërkohë, duke vlerësuar misionin e botës së dijes dhe shkencës, përkthimi i dijeve shkencore në zgjidhje mbi artikulimet e mësipërme, është kthyer në sfidë të botës akademike e shkencore. Fatmirësisht, gëzojmë pushtetin dhe mundësinë që këto fjalë kyçe me gjuhën e dijes ti artikulojmë në auditorë mes studentëve të cikleve të ndryshme nëpërmjet programeve të mirëfillta të edukimit dhe kërkimit shkencor, si pjesë e programeve universitare. Pa u ndalur në aktorë dhe faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në procese, do të përmend disa argument se si në departamentin e shkencave politike në Universitetin “Marin Barleti” kemi synuar të përkthejmë dijet në produkte për shoqërinë në nivele të ndryshme territoriale, kryesisht në hapësirat urbane. Mes komuniteteve dhe qeverisësve vendorë, institucioneve të nivelit qendror kombëtare dhe atyre ndërkombëtare, duke filluar nga viti 2009, nëpërmjet një sërë veprimtarish të mirëfillta me karakter studimor kemi përcjellë idetë dhe ofruar zgjidhjet përkatëse për çështjet që kemi konsideruar si domosdoshmëri për zgjidhje. Zgjidhjet në fjalë midis të tjerash i kemi ofruar duke u fokusuar në disa drejtime, midis të cilave do të dalloja hartimin dhe zhvillimin e programeve akademike si edhe veprimtaritë e mirëfillta studimore e kërkimore në mjedisin human dhe natyror të vendit dhe në rajon. Duke u ndalur në hartimin dhe zhvillimin e programit akademik, vlerësoj faktin se nëpërmjet tyre kemi projektuar edukimin me perspektivat e zhvillimeve politike e qeverisëse në vendin tonë si pjesë e zhvillimeve kombëtare, rajonale dhe më gjerë. Kësisoj, nëpërmjet edukimit kemi synuar të ofrojmë zgjidhje për modelet e politikë bërjes, zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisit të vendit për të përmbushur sfidat si pjesë e shoqërisë bashkëkohore të shekullit XXI. Në këtë aspekt do përmendja hartimin dhe zbatimin e syllabusit “qeverisje dhe zhvillim i qëndrueshëm”. Programi në fjalë është fokusuar në politikat dhe modelet e zhvillimit në nivel vendor, kombëtar, rajonal e global, çka ka përkuar me një nga fokuset e veprimtarisë sonë studimore e kërkimore këtu në universitetin “Marin Barleti”. Nëpërmjet programit në fjalë, përballë mënyrës se si ishte zhvilluar Shqipëria pas viteve 1990, nën argument shkencorë shtruam pyetjen kërkimore se cili model zhvillimi i duhet Shqipërisë, me qëllim që të rrisim mirëqenien shoqërore, të kemi rritje dhe zhvillim ekonomike si edhe njëherazi të përkujdesemi për mjedisin human dhe atë natyror. Zbatimi i modelit të zhvillimit të qëndrueshëm është tejet i domosdoshëm dhe jetik për edukimin e klasës politike, qeverisësve dhe shoqërisë sonë në përgjithësi, e cila deri më tani në përgjithësi ka aplikuar një model ndëshkues për mjedisin natyror, por edhe për shoqërinë dhe mirëqenien e shumicës së saj. Parë kështu, në auditorë synojmë të përgatisim qeverisës dhe politikë bërës të së ardhmes, të cilët mund të kontribuojnë për ndërtimin e një Shqipërie ndryshe nga deri më tani. Në ndihmesë të këtij qëllimi sikundër edhe do e përmend në vijim kemi zhvilluar një serë veprimtarish të mirëfillta me synim që dijet dhe eksperiencat mbi modelin e zhvillimit të qëndrueshëm ti përcjellim dhe përkthejmë në nisma konkretë midis institucioneve dhe aktorëve në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal. Veprimtari të mirëfillta ndërkombëtare shkencore mbi zhvillimin e qëndrueshëm, janë zhvilluar në Universitetin “Marin Barleti”, në partneritet me universitete perëndimore dhe në bashkëpunim me universitete nga rajoni. Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria si Model Rajonal i zhvillimit të Qëndrueshëm”, prezantuam idenë se vendi ynë duhet të zhvillohet sipas një modeli ndryshe nga ai i deritanishmi, një model i cili vendos në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën, ndërsa zhvillon ekonominë dhe rrit të ardhurat duke i shpërndarë ato sa më gjerë për shoqërinë. Në rastin tjetër kemi zhvilluar një program edukimi ekstrakurrikular rajonal mbi zhvillimin e qëndrueshëm me lektorë të huaj të certifikuar dhe me kreditë të transferueshme evropiane (ECTS). Programin e edukimit nga auditorë e kemi transferuar në mes komuniteteve vendore, profesionale dhe grupeve të interesit, të medias dhe qeverisësve në Shqipëri por edhe në rajon. Nën logon e Universitetit “Marin Barleti”, studentët e shkencave politike dhe qeverisjes kanë prekur dhe komunikuar drejtpërdrejtë realitetin shoqëror dhe mjedisin natyror në vend dhe rajon, duke njohur situate, prezantuar ide, debatuar dhe ofruar zgjidhje për çështje konkrete. Me qeverisësit dhe të zgjedhurit në bashkinë e Durrësit, Vorës dhe Tiranës, me Këshillin e Qarkut të Shkodrës e komunitet e tyre, shoqërinë civile, median dhe aktorë të tjerë në këto hapësira urbane, kemi diskutuar, trajtuar realitete dhe mendësi e praktika mbi zonat me intensitet zhvillimi dhe pasojat për shoqërinë e territoret urbane, sikundër është hapësira urbane Tiranë-Durrës apo qarku i Shkodrës. Udhëtimi në realitete sociale, politike dhe ekonomik i studentëve tanë ka shkuar edhe përtej territorit kombëtar të Shqipërisë, duke u fokusuar edhe në gjendjen e shqiptarëve në rajon, zhvillimin e ekonomisë, arsimit, infrastrukturës dhe ato politike në Republikën e Kosovës, Maqedonisë, Malin e Zi, dhe së afërmi në Serbi në Luginën e Preshevës dhe Bujanovës. Me Ministrin e Infrastrukturës së Kosovë, kemi zhvilluar leksione dhe bashkëbisedime mbi zhvillimin e infrastrukturës në Republikën e Kosovës dhe rolin e saj në integrimin evropian të, me Prof. Rexhep Qosen në Prishtinë kemi bashkëbiseduar dhe asistuar këshillat e Tij, mbi zhvillimet në Kosovë, çështjen shqiptare në shtetet e veçanta dhe në rajon, ndërsa në Republikën e Maqedonisë kemi zhvilluar një serë veprimtarive të përbashkëta edukimi në partneritet me universitete dhe qendra studimore e kërkimore, ashtu sikundër edhe kemi njohur dhe prekur realitetin e shqiptarëve në Malin e Zi. Mobiliteti i përmendur, ka pasur edhe një mision e vlerë tejet të veçantë për studentët tanë: ata kanë njohur dhe prekur vetë hapësirën dhe identitetin shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një tjetër program të cilin synojmë ta bëjmë pjesë të edukimit në universitetin tonë është edukimi mbi “Open Innovation”, i mbështetur nga projektet “Erasmus Mundus” i BE, në këtë rast UMB është partner në një rrjet të gjerë evropian të institucioneve të kërkimit dhe arsimit të lartë universitar. Certifikimi i dijeve nga institucione autoritare të konsoliduar ndërkombëtare në kohë dhe eksperienca, mbetet sfidë për të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend. Duke e konsideruar këtë argument, përmend faktin se programet e reja të edukimit të sipërpërmendura, janë certifikuar dhe mbështetur nga institucionet e edukimit dhe arsimit të lartë të vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore, të tilla si ato të vendeve skandinave, vendeve të ulëta, UK Francë etj. Më konkretisht programi “Qeverisje dhe Zhvillim i Qëndrueshëm”është mbështetur nga Rrjeti i Universiteteve të Evropës Qendrore, nën asistencën e kolegëve të universitetit të Triestes dhe Udines në Itali, ndërsa syllabusi i “Open Innovation” është ndërtuar në partneritet me 52 institucione evropiane të edukimit dhe kërkimit, me partner lider universitetin e Lappeenranta të Finlandës. 
Sigal