Në 15 tetor shpallet formulari A3

539
Sigal

Në 15 tetor, do të shpallet formulari A3, mundësia e vetme e çdo të riu që nuk fitoi në fazat e mëparshme një vend në universitete, të rifutet sërish në garë për një degë në institucionet e arsimit të lartë. Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve thonë se brenda kësaj date, pasi të kenë mbaruar të gjitha regjistrimet, të gjitha universitetet publike janë të detyruara të deklarojnë pranë AKP-së kuotat e mbetura bosh, të cilat do të jenë pjesë e formularit A3. Deri tani, sipas përllogaritjeve ka më shumë se tre mijë kuota bosh, pasi shifrës që raportoi Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i shtohen edhe kuotat bosh të mbetura, si pasojë e largimit të të rinjve jashtë vendit. Gjithashtu nuk pritet të ketë surpriza për A3, pra në ndryshime në formatin e tij, ndërkohë që ai do të plotësohet online. Megjithatë, të gjitha detajet do të bëhen publike për të rinjtë nëpërmjet një udhëzimi që ministria pritet të nxjerrë brenda këtyre ditëve. Ajo çka e dallon këtë fazë nga të tjerat, është se të rinjtë tashmë do të futen në sistem për të konkurruar me pikë vetëm për kuotat e shpallura bosh në degë që ndoshta ata nuk mund t’i kenë preferuar t’i ndjekin, por që janë të kushtëzuar t’i zgjedhin, pasi ky është i vetmi shans që ata të behën pjesë e studentëve të universiteteve publike në vend. A3 do të jetë faza e fundit e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë.

 Sistemi part-time

Të gjithë ata studentë që nuk rezultojnë fitues në sistemin me kohë të plotë kanë mundësi të aplikojnë në sistemin part-time. Ministria e Arsimit ka miratuar kuotat për këtë sistem part-time, ku mund të aplikojnë ata që nuk shpallen fitues në sistemin e ditës. Ndërkohë në total për të gjitha universitete publike të vendit janë aprovuar rreth 8,522 kuota studimi për ciklin part-time.