Në 1 janar bojkotohen auditoret e universiteteve në gjithë vendin

505
Sigal

Studentët, protestë para Kryeministrisë kundër rritjes së tarifave. Tafaj: Qeveria i ka kthyer studentët në bashkëfinancues

Studentët e Universitetit të Tiranës kanë kërcënuar Qeverinë me bojkotim të universitetve nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre. Ky ka qenë konkluzioni i protestës së djeshme të studentëve të UT-së, kundër rritjes së tarifave të studimit, para Kryeministrisë. “Qeveria nuk mori parasysh peticionin tonë. Rritja e tarifave është nga 30 % në 95 %. Jemi kundër tarifës 30 % në fillim të vitit akademik”, – kanë thënë studentët. Ata e kanë quajtur një mashtrim deklaratën e MAS-it se tarifat janë rritur vetëm 500 lekë në muaj.Studentët thonë se mesatarisht tarifa është rritur me 30 % dhe për këtë marrin shembujt se sa paguajnë sot studentët në disa programe studimi në Tiranë dhe në universitet të tjera të vendit. “Po të marrim Universitetin Bujqësor të Tiranës në 2013 ka qenë 17 900 lekë, këtë vit është rritur me 95 %, dhe është 35 mijë lekë të reja” thotë një student i Universitetit të Tiranës. Përpara Kryeministrisë studentët protestuan, sepse ndaj peticioneve të tyre të dorëzuar disa ditë më parë për anulim të vendimit të rritjes së tarifave nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata paralajmëruan se në janar do të ketë protesta dhe bojkotim të mësimit. Rritja e tarifave të studimit është përcaktuar nga qeveria në reformën për arsimin e lartë në Shqipëri.

 Rritja e tarifës së studimit i kthen studentët në bashkëfinancues me shtetin për arsimin e lartë shtetëror

 Sipas Buxhetit të vitit 2015, të ardhurat nga tarifat e studimit përbëjnë gati 40 % të buxhetit të universiteteve shtetërore, duke i kthyer studentët në bashkëfinancues të arsimit të lartë shtetëror. Kështu është shprehur prof. dr. Myqerem Tafaj, ish ministri i Arsimit në një prononcim për “Telegraf”. “Shteti i jep universiteteve 35 000 lekë të reja në vit për një student, ndërkohë që kostoja minimale për student në fakultetet shoqërore është 70 000 lekë të reja në vit, ndërsa në ato tekniket 120 000 – 130 000 lekë të reja në vit. Ndaj, ka ardhur dhe kjo rritje e tarifave, falë politikave të qeverisë në pushtet”, shprehet ish ministri Tafaj. Ndërkohë që në gjykimin e tij kjo rritje tarifash është shumë e madhe, jo vetëm për familjet që jetojnë nën minimumin jetik, por dhe të atyre që i përkasin shtresës së mesme të popullsisë. “Rritja e tarifës së shkollimit, sidomos në studimet universitare të ciklit të dytë, është, praktikisht, e pamundur të paguhet nga familjet shqiptare. Por qeveria ka shtuar dhe një barrë tjetër për studentët shqiptarë. Nëse studentët nuk përfundojnë studimet brenda kohës normale të parashikuar në ligj të studimeve, vendimi parashikon dyfishimin e tarifës për çdo kredit (ECTS) të lëndës/modulit të pa përfunduar. Ky është një kriter tejet arrogant dhe me efekte të shumta negative, sepse dihet që mbi 60 % e studentëve të universiteteve publike nuk i përfundojnë studimet brenda kohës normale të parashikuar (2 vite për Masterin e Shkencave dhe 1.5 vite për Masterin Profesional). Ky vendim rëndon aq shumë koston e studimeve, saqë i bën studimet e ciklit të dytë të papërballueshme për pjesën dërmuese të studentëve, çka nënkupton kufizimin e aksesit në shkollimin e lartë të ciklit të dytë për të rinjtë e familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme” shprehet prof.dr. Tafaj. Porse duhen pasur parasysh këtu edhe studentët të cilët vijnë nga rrethet që duhet të përballojnë, përveç tarifave të rritura të studimit, edhe koston e lartë të jetesës në kryeqytet. Ish ministri i Arsimit Tafaj mendon se ky vendim i qeverisë është i pamatur, pasi nuk mund të aplikosh rritje të tarifave, nëse më parë nuk mundëson kreditimin e studentëve për të përballuar koston e shkollimit.

 Financimi, tagër vetëm i qeverisë

Shpeshherë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit për t’iu shmangur protestave të studentëve, ia ka hedhur topin universiteteve për aplikimin e tarifave të larta të studimit. Sipas MAS, rritja e tarifave ka qenë kërkesë e universiteteve dhe se ministria ka miratuar këto klërkesa në respekt të autonomisë së universiteteve. Porse, “financimi është tagër vetëm i qeverisë. Universitetet mund të kërkojnë rritje të tarifave të studimit, edhe jashtë logjikës, por është qeveria ajo që i miraton”, shprehet Tafaj.

 Bojkoti i universiteteve, masë ekstreme. Qeveria duhet të dëgjojë

 Gjatë protestës së tyre para Kryeministrisë, studentët paralajmëruan se në janar do të ketë protesta dhe bojkotim të mësimit, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre për uljen e tarifave të studimit. Kostoja shumë e lartë e studimeve dhe e jetesës së studentëve i ka detyruar ata të paralajmërojnë masa ekstreme. “Bojkoti i mësimit në universitete shtetërore është një masë ekstreme. Qeveria duhet të dëgjojë”, u shpreh Tafaj.

 Rektorët e universiteteve udhëtojnë jashtë shtetit me paratë e studentëve

Kthimi i studentëve në bashkëfinancues me 40 % të buxhetit të universiteteve, do të thotë shkurt e saktë që me paratë e tyre, përpos kostos së studimit, paguhen edhe udhëtimet e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë. Rektorët dhe dekanët e institucioneve të arsimit të lartë shtetëror, duke vjelë tarifa të larta studimore, udhëtojnë jashtë shtetit, gjoja “për arsye pune” me paratë e studentëve. Edhe pse jeta është bërë shumë e vështirë për familjet shqiptare, edhe pse kridhen në banka për kredi shumë milionëshe me interesa shumë të larta për të arsimuar fëmijët e tyre, MAS dhe drejtuesit e IAL-ve shtetërore, s’bëjnë gjë tjetër veçse shtrëngojnë më shumë lakun studentëve dhe familjeve të tyre. Gjithsesi, studentët e dhanë paralajmërimin e tyre. Është MAS-i që do vendosë, nëse udhëtimet e rektorëve do të vazhdojnë të bëhen me paratë e studentëve.

Greqi, arsimi i lartë falas

Dihet kriza që kaloi dhe po kalon shteti ynë fqinj Greqia. Por, edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira për shtetin grek, asnjëherë ky shtet nuk hoqi dorë nga financimi 100 % i arsimit të lartë shtetëror. Politika e këtij shteti fqinj për të pasur një brez sa më shumë të arsimuar, pasi vetëm kështu mund të ecë përpara një shtet, në asnjë moment nuk cenoi financimin në arsimin e lartë. Në asnjë moment nuk rrezikoi ardhmërinë e vet. Përpos gjithë kostos së studimeve, në arsimin e lartë grek, shteti përballon strehimin, por dhe ushqimin e studentëve. Nëse këtu tek ne “Karta e Studentit” është vetëm një copë karton pa vlerë, në Greqi studentët, nëpërmjet kartës së studentit, përfitojnë shërbim shëndetësor falas, transport falas ose me 50 %, shërbime të tjera shtetërore falas etj..