Ndriçim Mehmeti:“Testimi i shkollës 9-vjeçare duhet parë si një testim i së ardhmes”

520
Sigal

Intervistë/ Ndriçim Mehmeti, Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në MASH, flet për betejën që duhet bërë për arsimin profesional

Klasat e nënta edhe këtë vit testuan dijet e tyre me anë të provimeve të lirimit që për z.Ndriçim Mehmetit, Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në MASH, ishin inkurajuese. Por Z, Mehmeti, në një intervistë për gazetën “Telegraf” tregon se “testimi i shkollës 9-vjeçare duhet parë si një testim i së ardhmes” dhe gjithashtu ai shpreh shqetësimin për nënvlerësimin që i bëhet shkollave profesionale, kryesisht nga prindërit, të cilët e shohin arsimin e lartë si të vetmin promotor të jetës së fëmijëve të tyre. Sipas Mehmetit, arsimi profesional “është një betejë që ne nuk e fitojmë dot nesër, në këndvështrimin tim, ne mund ta hapim që sot dhe mund ta fitojmë shumë shpejt, në rast se kemi një vizion të qartë dhe një politikë të ndërthurjes së të gjithë aktorëve dhe faktorëve”.

Z.Mehmeti, si kanë shkuar Provimet e Lirimit dhe për çfarë vlen ky testim në shkollat 9-vjeçare?

Rezultatet e Provimeve të Lirimit, në fakt, janë inkurajuese. Duhet të kini parasysh një gjë, që në përgjithësi testimi i shkollës 9-vjeçare duhet parë si një testim i së ardhmes, sepse është një testim që në vetvete nuk krijon një peshë të rëndë. Përveç nxënësit që ka emocion, nuk krijon një peshë të rëndë mes familjes dhe nxënësit dhe as në opinion, sepse në fund të fundit si të marrësh 8, si të marrësh 10, do shkosh nga një shkollë në një tjetër dhe që varësisht nuk është nga rezultatet e tua, sepse në Shqipëri ne nuk kemi të ndara shkolla elitare. Pra në këtë kuptim nuk ka ndonjë ndryshim, por nga ana tjetër, ajo të krijon mundësinë e këshillimit me nxënësin, që do të thotë se një nxënës që ka marrë 6 në matematikë, nuk mund të vijë në gjimnaz, pavarësisht respektit që duhet të kemi për gjithsecilin prej tyre, nuk mund të marrë matematikën e thelluar se do t’i krijojë vështirësi vetes, ky është problemi. Pra problemi është që edhe nga prindërit, edhe nga shkolla, kjo duhet parë si një mundësi që ata të testojnë veten, pra të shohin se sa i kanë forcat. Ai mund të ketë prirje në arte dhe kështu të marrë atë drejtim, që edhe atë e ndihmon dhe e lehtëson nga një barrë e presionit, edhe neve na krijon një mundësi për të krijuar balancat mes përgatitjes së tij. Sepse gjithmonë do të ketë pastaj një konfrontim mes mësuesit, nxënësit, dhe prindit, i cili natyrisht kërkon maksimumin, por fëmija që nuk arrin dot përpiqet, ndërkohë mësuesi ka pozicionin e vet dhe thotë që kaq ka mundësi, se nuk e ka as kapacitetin, as kohëzgjatjen, se janë bërë 9 vjet dhe ai nuk ka mbushur disa boshllëqe, ose është treguar indiferent ndaj lëndës.

Besoj kjo do një analizë në veçanti.

Po dhe në këtë këndvështrim, unë mendoj, se vetë shkolla 9 vjeçare ka vlerat e veta për t’u parë. Ka për  t’u parë sa prej nxënësve kanë bërë dy gjuhë të huaja, sa prej nxënësve kanë bërë vetëm një gjuhë të huaj, sepse ne jemi një vend i vogël, ndaj unë mendoj se ajo çka mund të tregojmë në arenën ndërkombëtare, ose në këtë ekonomi rajonale, në këtë konkurrim vlerash, teknologjish dhe njohurish, është patjetër arsimi. Ne kemi mundësi për ta bërë këtë gjë, pra që të mundësojmë mësimin e sa më shumë gjuhëve të huaja, teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit të shkencave natyrore. Dhe aq sa e kemi mundësinë, të krijojmë një shoqëri elitare për të nxjerrë nesër një matematikan, apo fizikan shumë të mirë, natyrisht fëmijë sa më shumë të edukuar me parime demokratike, me parime shoqërore të shëndosha, me vlera morale, të cilat nuk i mungojnë shoqërisë sonë. Pra duhet parë dhe në këtë këndvështrim. Në aspektin arsimor duhet parë, nëse Provimet e Lirimit, krijojnë një mundësi të mirë. Unë them se krijojnë një mundësi të mirë, sepse menaxhohen vetë nga Drejtoria Arsimore, është një lloj decentralizimi që krijoi mundësinë për ta njohur situatën nga afër, pikërisht nga Drejtoria Arsimore në mënyrë që të vendosë pastaj disa nivele në shkollat e tyre dhe pse jo të bëjë një lloj politike, t’i tregojë prindërve që  fëmija e tyre, mund të shkojë fare mirë në një shkollë profesionale.

Në fakt këtu doja të ndërhyja pak, a janë shqiptarët të tërhequr nga shkolla profesionale?

Shiko, ne duhet të kemi parasysh një gjë, nëse ne flasim dhe ndalemi këtu për të folur sinqerisht, është që ne kemi ende deficite në arsimin profesional dhe këtë se mohon dot kush, të jemi realist, por ne do të marrim parasysh disa faktorë. Cilët janë faktorët? Pa dashur fare të justifikohet situata, a kemi ne një shoqëri të gatshme të ofrojë fëmijët në arsimin profesional? Dhe kjo ngre një pikëpyetje shumë të madhe, se të gjithë prindërit kërkojnë t’i bëjnë fëmijët me arsim të lartë, dikush thotë “shkolla e lartë është një pajë për vajzën”, dikush tjetër thotë që “shkolla e lartë i krijon mundësinë djalit tim të jetë i suksesshëm”, gjë që nuk është e vërtetë, absolutisht nuk është e vërtetë, sepse dhe në shkolla të larta, po të vesh re, nuk ka prind që të kërkojë ta çojë fëmijën për veteriner, zooteknik në bujqësi për të cilët ne kemi shumë nevojë, kemi probleme të mëdha të themi në mënyrën e kultivimit të tokës dhe kërkohen specialistë, ne kemi probleme të mëdha në mënyrën e mbarështrimit të bagëtive dhe kërkohen specialistë, ne kemi probleme të mëdha në krijimin e atyre që quhen ferma blegtorale. Që të gjitha këto duan një tjetër këndvështrim, një tjetër politikë.

A është bërë sa duhet në këtë aspekt?

Jemi përpjekur, por nuk kemi arritur dot të bëjmë, sepse duhet të kemi dhe një interesim të pushtetit lokal në këtë rast, pra një presion, i cili duhet të përpiqet të ofrojë disa politika të veta. Për shembull, ne këtë vit kemi ofruar disa module që vijnë nga grupe interesi, siç është bërë për shembull moduli i ekonomisë, nga Dhoma  e Tregtisë së Durrësit dhe është zbatuar, është bërë nga UNICEF dhe është zbatuar. Këto janë mundësi për të rritur dhe shpirtin e sipërmarrjes, i cili ende nuk është i gjallë ndër të rinjtë tanë. Nuk them si popull, se si popull e kemi të zjarrtë shpirtin e sipërmarrjes, është një popull që nuk ka frikë, nuk pyet, e merr rrezikun dhe kjo është një gjë e mirë, por kjo duhet shtuar te të rinjtë, sepse nuk ka dyshim që të rinjtë tanë kanë një përgatitje shumë të mirë, nuk ka dyshim që ata në teknologjinë e informacionit janë shumë të mirë, nuk ka dyshim që ata janë një brez shumë më i mirë seç kemi qenë ne, flas në formim, në përgatitje. Tani si ta kanalizojmë? Mendimi im është që me ato nota që ke, 6 apo 7, pa paragjykuar për shumë arsye, ti mund të bëhesh një kamerier shumë i mirë, një elektricist shumë i mirë, një mirëmbajtës i rrjeteve kompjuterike, një mirëmbajtës i rrjeteve ftohëse dhe ngrohëse, pra ne kemi nevojë për profesionistë. Ne në jetën tonë e kemi shumë të vështirë, marrim 5 veta për të gjetur një hidraulik të mirë. Nuk kemi për shembull një shkollë apo agjenci të veçantë për babysitter, për gurvernante, që është tjetër gjë, që s’ka lidhje fare me babysitter-in, pra për ato që dikur ishin tutoret dhe për të cilat kishte një respekt të veçantë, më shumë se për nënat e tyre. Të formojmë një shtresë të tillë, që jo vetëm krijon vetëpunësim, një mundësi të paparë të shërbimeve, por nga ana tjetër krijon edhe mentalitetin që jo gjithmonë shkolla e lartë të bën të suksesshëm. Edhe një profesion, të bën të nderuar dhe të mirëqenë, sepse çështja është e mirëqenies dhe i mirëpagesës. Pra për një djalë të ri që merr 500-600 mijë lekë të vjetra, promovimi i tij vjen në mënyrë galoponte, krahasuar me një punonjës administrate, i cili ka një përgjegjësi të madhe dhe ngelet në nivele rrogash të kënaqshme, por jo në nivele krahasimisht me profesionistin. Kjo është çështje e tregut, shteti nuk mund të konkurrojë dot me ekonominë e tregut, nuk ka diskutim. Por e dhashë këtë krahasim për të parë që shkollat profesionale janë shumë të rëndësishme. Kemi një reagim shumë pozitiv të biznesit, por shumë të vakët. Unë ftoj gjithë shtypin, ku të ketë si objekt shkollat hoteleri-turizmi, që shteti ynë i ka ngritur dhe i ka shumë të mira në pikëpamje të infrastrukturës, dhe të shohë se sa prej nxënësve, punojnë në turizmin e qytetit të tyre? Sa në restorante, sa në hotele si recepsionistë, se ata dinë shumë mirë gjuhët e huaja, si kamerier që ka një kulturë shumë të saktë të servirjes së ushqimit e kështu me radhë, pra duhen parë të gjitha. Them se është një betejë që ne nuk e fitojmë dot nesër, në këndvështrimin tim, ne mund ta hapim që sot dhe mund ta fitojmë shumë shpejt, në rast se kemi një vizion të qartë dhe një politikë të ndërthurjes së të gjithë aktorëve dhe faktorëve.