Mynyr Koni:Rritja e kuotave të Bachelor-it, në vështirësi procesi i mësimdhënies

546
Sigal

Në fakultetin e Shkencave të Natyrës, nga plotësimi i formularit A2 mbetën jashtë rreth 96 kandidatë, ndërkohë që në formularin A3 janë rreth 170 kuota. Pra, “numri i kuotave, që kemi, është më i madh se numri i mbetur. Sigurisht, ne i kemi marrë masat për ta administruar këtë proces, por realisht, kemi një rritje të numrit në vitin e parë, gjë e cila vështirëson dhe mënyrën e organizimit të procesit të mësimdhënies” shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Mynyr Koni. Edhe pse, për vitin 2013-2014, FSHN ka futur në eficensë të plotë një godinë me 6 kate, me 6 salla leksionesh që kanë një kapacitet nga 120-130 studentë me rreth 720 poste studenti, prof. Koni shprehet se në vijueshmëri, në vitet e ardhshme, do të bëjnë një planifikim të kujdesshëm mbi mënyrën e administrimit të sallave ekzistuese në funksion të numrit të studentëve.

 Profesor, është mbyllur procesi i regjistrimit të studentëve për masterin, ndërkohë që ka filluar dhe procesi mësimor. Në ç’masë ka qenë përthithja e studentëve?

Në lidhje me procedurën e regjistrimit të studentëve në ciklin e dytë të studimeve, në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Arsimit, ne kemi zbatuar në mënyrë korrekte të gjitha afatet kohore. Në datën 7 nëntor janë shpallur kandidatët fitues në secilin program studimi. Ne në përbërjen e fakultetit, në ciklin e dytë kemi 21 programe studimi, 18 Master të Shkencave dhe 3 Master Profesional me 90 kredite. Përthithja  e studentëve në këtë moment ka qenë në masën rreth 75 %. Prioritet dhe e realizuar në masën 100 %, janë studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës sipas  programeve përkatëse, totalisht, pa përjashtim. Ndërsa aplikimet nga universitetet e tjera, pra, jashtë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, kanë qenë të kufizuara për efekt të një vendimi që ka pasur Këshilli i Fakultetit që “të drejtën për të vazhduar në programet master, jashtë fakultetit, e kanë ata studentë me mesatare 7 e lart”. Kështu që, ata pak kandidatë që e kanë plotësuar këtë kriter janë përzgjedhur, të tjerët janë kthyer mbrapsht dhe ka qenë një masë e madhe, të cilën ne nuk e kemi përzgjedhur në zbatim të Vendimit të Këshillit të FSHN-së. Megjithatë, ne kemi organizuar, gjatë periudhës së shtatorit, në zbatim të rregullores së Universitetit të Tiranës, një sezon të veçantë deri në 2 provime, që i shërben studentëve për llogaritjen e krediteve në vitin pasardhës 2013-2014, por, njëherazi, edhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për t’u futur në provimin e Diplomës. Ky sezon ka pasur një efekt pozitiv dhe kanë përfituar gati dhe 150 studentë, që janë futur dhe në mbrojtjen e Diplomës dhe me kuotat e parealizuara ne do t’u mundësojmë atyre, edhe vazhdimin e studimeve “Master”, që shpresoj brenda këtyre dy ditëve do të dalin listat fituese të kandidatëve, që janë diplomuar javën që shkoi, për t’iu atashuar dhe kolegëve të tyre që kanë filluar mësimin. Ajo pjesë e mësimit prej 4 javësh, që është bërë përpara, do të bëhet me një pjesë të diferencuar për këta studentë.

Pra ju thoni që pritet që studentëve të masterit t’i bashkohen dhe këta që janë diplomuar javën që shkoi. Po përzgjedhja e tyre si bëhet?

Përzgjedhja e tyre bëhet përsëri me notën mesatare, se janë studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në dispozicion janë kuotat që kanë ngelur pa realizuar dhe në bazë të notës mesatare të tyre, bëhet edhe përzgjedhja për çdo program studimi.

Për rikujtesë, a janë hapur programe të reja në programin master?

Këtë vit akademik funksionojnë dy programe të reja, që janë: Masteri i Shkencave “Teknologji Informacioni” dhe Masteri Profesional “Teknologji Informacioni”, që janë në vijueshmëri. Programet e tyre janë akredituar në vitin 2012, por për herë të parë u hapën këtë vit.

A pati prurje në këto programe të reja?

Në të dyja programet ka pasur kandidatë, por jo në kapacitetin maksimal të kuotave të miratuara. Janë rreth 20-25 studentë në Masterin e Shkencave dhe rreth 35 studentë në Masterin Profesional.

Mesa unë mbaj mend, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, keni pasur ndërmend për të hapur një program të ri masteri?

Ne jemi duke punuar për një Master të Shkencave “Informatikë ligjore”, program i cili ka kaluar në dy fakultetet, edhe në Këshillin e Fakultetit të Drejtësisë, edhe në Këshillin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Tani jemi duke plotësuar dokumentacionet për ta paraqitur në Senat dhe në rrugë të mëtejshme për t’u akredituar. Koha është e kufizuar për t’u hapur këtë vit, mendojmë për vitin e ardhshëm.

Po për sistemin part-time?

Në lidhje me sistemin part-time, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, këto programe janë të kufizuara. Aktualisht, funksionon një program Bachelor në Biologji dhe një program për ciklin e dytë, Master Profesional për “Mësues biologjie”. Procedurat janë administruar me kujdes. Kemi një numër të kufizuar përsëri, janë rreth 25 veta në të dy programet dhe në Bachelor, dhe në Master Profesional. Presim, sepse në dispozicion të kuotave që kemi, ndoshta dhe brenda kësaj jave, mund të kemi ndonjë kandidat tjetër me mbarimin e A3, për t’ju atashuar këtyre. Mësimi ka filluar para një jave.

Ndërkohë, me daljen e A3, sa kuota të lira keni ju si fakultet?

Sipas publikimi në faqen zyrtare të MAS, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës janë afro 170 kuota të ndarë në programet e studimit, afërsisht 10-20 kandidatë për çdo program, pra një numër që i kalon edhe kufijtë e parashikimit të VKM-së së mëparshme. Në VKM-në e mëparshme kemi pasur të miratuara 1408 kuota, në formularin A2 ne kemi realizuar 95 % të tyre, kanë ngelur afërsisht, në mos gaboj, 96 kandidatë. Numri i kuotave, që kemi, është më i madh se numri i mbetur. Sigurisht, ne jemi të gatshëm, kemi marrë masat për ta administruar këtë proces, por realisht, kemi një rritje të numrit në vitin e parë, gjë e cila vështirëson dhe mënyrën e organizimit të procesit të mësimdhënies, gjë që në vitet e ardhshme do ta shohim me kujdes, në përputhje me  sipërfaqen reale të mjediseve që ofron Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Meqë jemi te mjediset, a janë të mjaftueshme kapacitetet mjedisore për zhvillimin e një procesi mësimor sa më cilësor?

Për vitin 2013-2014 ne kemi futur në eficensë të plotë një godinë me 6 kate, me 6 salla leksionesh që kanë një kapacitet nga 120-130 studentë. Pra, janë shtuar rreth 720 poste studenti. Sallat janë në standarde bashkëkohore me të gjitha parametrat që na ka dhënë mundësi për të përballuar dhe këtë fluks të madh të studentëve. Në vijueshmëri, në vitet e ardhshme, ne do të bëjmë një planifikim të kujdesshëm mbi mënyrën e administrimit të sallave ekzistuese në funksion të numrit të studentëve.

Ndërkohë, si po vazhdon procesi mësimor?

Procesi mësimor po vijon në mënyrë perfekte. Kam kënaqësinë të deklaroj se Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka një orar shumë disponibël, të shfaqur në faqen zyrtare të fakultetit. Orari është i ndarë sipas cikleve, sipas programeve, sipas viteve, sipas klasave, sipas kurseve në mënyrë analitike me emër pedagogësh, me emër sallash. Mësimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bëhet nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20.00 të mbrëmjes, non stop. Janë marrë masat në të gjitha drejtimet; si për shembull të ndriçimit, meqë mësimi zhvillohet edhe pasdite deri në darkë, administrata është në detyrën përkatëse, stafi akademik gjithashtu. Ajo që dua të theksoj me kënaqësi është që, ne u kemi dhënë prioritet studentëve të Bachelor-it që ta zhvillojnë paradite mësimin dhe pothuajse pjesa më e madhe e tyre e ka mësimin paradite, me përjashtim të rastit. Një përparësi tjetër, që kemi pasur, është që studenti të fillojë mësimin në një orë të caktuar dhe të vazhdojë në mënyrë progresive pa ndërprerje dhe këto i kemi arritur falë një pune të madhe, një administrimi të fuqishëm, madje dhe laboratoret i kemi në orar. Nuk ka më laboratore që i dinë vetëm pedagogët, por të gjithë e dinë se kur e kanë laboratorin, edhe pedagogu, edhe studenti. Pra, është bërë një punë shumë e madhe dhe kam kënaqësinë të falënderoj dhe stafin akademik për këtë bashkëpunim dhe për këtë mbështetje që më ka dhënë për këtë operacion të fuqishëm.

A keni mungesa në stafin akademik, po punësime a po bëhen?

Nëse jeni informuar, ne kemi një shkresë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe deri në një urdhër të dytë është ndërprerë procesi i rekrutimit të stafit akademik. Ne kemi disa vështirësi në këtë aspekt, për të cilën kemi marrë masat për t’i përballuar me pedagogët e jashtëm. Kështu që, i kemi realizuar 100 % deficensat në mungesën e stafit. Sasia e orëve është goxha e madhe, por masat janë marrë të plota dhe unë besoj që, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nuk ka asnjë humbje ore mësimi.