MSH-MAS zgjidhje për specializantët Ndryshohet rregulli për gjuhën e huaj

92

TIRANË – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla kanë zhvilluar paraditen e sotme një takim për çështjen e gjuhës së huaj të mbrojtur nga ana e aplikantëve të kandidatëve për specializantë.

Në përfundim të takimit u vendos që të pranohet për aplikim dokumenti i njohjes së gjuhës së huaj, në nivel B2, ose ekuivalenti përkatës për gjuhët e tjera, të parashikuar në rregulloren e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me test ndërkombëtar ose me certifikatë të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

Takimi i sotëm mes dy ministrive ka ardhur pas protestës se kandidatëve për specializantë në mjekësi, të cilët ishin kundër kriterit që i penalizonte ata në garë.

“Kandidatët do të aplikojnë brenda afateve të parashikuara në Udhëzimin përkatës Nr.57, datë 04.12.2014 Specializantët kanë detyrimin e mbrojtjes së gjuhës së huaj deri në përfundimin e specializimit afatgjatë  sipas Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore në fuqi.”- thuhet ndër të tjera në vendimin që i është përcjellë Universitetit të Mjekësisë, Tiranë me shkresë zyrtare.