Ministrja Shahini: “Shumë shpejt me një regjistër formal të mësuesve shqiptarë në diasporë”

693
Sigal

– Nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, u zhvillua “Seminari i XV Kombëtar” me mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Ky është viti i 15-të i organizimit të kësaj veprimtarie arsimore – kulturore dhe vazhdon të mirëpritet nga të gjithë pjesëmarrësit.
Në një prej seancave të këtij seminari ishte e pranishme edhe ministrja Besa Shahini, e cila gjeti rastin të theksonte rëndësinë e këtij organizimi.
“Nëpërmjet këtyre seminareve synojmë drejtpërdrejtë aftësimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë, të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe nxënies, si dhe të promovojmë praktikat më të mira në diasporë”, u shpreh Znj. Shahini teksa shtoi gjithashtu:
“Diaspora tashmë trajtohet si një dhe e pandarë dhe për çdo vit shikojmë qartë një rritje të ndërveprimit mes mësuesve njëri me tjetrin si rezultat i shkëmbimit të përvojave më të mira. Shumë të rëndësishme gjithashtu janë edhe konkluzionet që dalin nga këto seminare, të cilat shërbejnë gjithmonë si pika udhërrëfyese në politikat e ministrisë”.
Në fjalën e saj, Ministrja Shahini përcolli njëkohësisht para pjesëmarrësve edhe nismën më të fundit të ndërmarrë nga MASR për krijimin e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.
“Tanimë kemi hedhur një hap të rëndësishëm për krijimin e këtij regjistri, i cili formalizon mësuesit në diasporë dhe do të shërbejë si një hartografi shumë e nevojshme për të forcuar më tepër komunikimin, ndërveprimin dhe aspektet organizative me këto mësues. Në këtë kuadër, gjej edhe rastin t’i bëj thirrje të gjithë mësuesve në diasporë të regjistrohen në këtë platformë duke ndjekur procedurat përkatëse”, u shpreh Znj. Shahini.
Organizimi i këtij seminari në mënyrë periodike ka në fokus të veçantë përkrahjen e mësimdhënësve nëpër botë gjatë punës së tyre të përditshme, si dhe mbështetjen e nevojave të tyre me qëllim zhvillimin dhe përparimin e shkollave me mësim plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.