Ministrja Nikolla uron fëmijët: Do punojmë shumë, që jeta e tyre të jetë plot ngjyra

443
Sigal

Fëmijët në gjithë vendin festuan dje ditën e tyre, 1 Qershorin e bashke me ta edhe prindërit, Ditën Botërore të Prindërimit. “Fëmijë të lumtur, Prindërim i suksesshëm, Shoqëri e realizuar” është motoja me të cilën ka zhvilluar Ministria e Arsimit aktivitetet e ditës së djeshme. “Fëmijë, prindër dhe mësues! Çdo buzëqeshje e fëmijës është fryt dhe shpërblimi më i mirë për punën tonë, si prind e si mësues, në familje e në shkollë”- shkruan ministrja e Arsimit ne profilin e saj në Facebook. Kushtuar 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare të fëmijëve, si dhe në kuadër të promovimit të vlerave të aktivitetit fizik e sportiv në zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës, Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Federatat Shqiptare të  Sportit, organizoi në ambientet e Agjencisë së Zhvillimit të Sportit (ish kompleksi “Dinamo”) aktivitetin festiv e sportiv  “Sport, festë, ngjyra”, në të cilin morën pjesë fëmijë të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Tiranës. Ministrja Nikolla, duke uruar të gjithë fëmijët për festën e tyre të 1 Qershorit, u shpreh se: “Sot është një 1 Qershor ndryshe. Shikoni sa shumë festë, sa shumë fëmijë, sa shumë gëzim, sa shumë përgatitje, sa shumë partnerë për të bërë të mundur këtë 1 Qershor, të mbushur me aktivitete, plotë sport, plotë ngjyra, plotë festë. Përgëzoj të gjithë mësuesit e edukimit fizik, të gjithë partnerët tanë të rëndësishëm që mundësuan një aktivitet me kosto zero për buxhetin e shtetit. Sot në këtë ditë uroj nga zemra çdo familje shqiptare, çdo fëmijë, duke u angazhuar dhe i premtuar të gjithëve se ditët e tjera do të punojmë shumë që çdo ditë e jetës së tyre të jetë e mbushur me sport, festë dhe ngjyra”. Në këtë aktivitet, fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave mundësuan një sërë performancash si, Organizimi i kuadrateve “1 Qershor” dhe “Dita Jonë” dhe koreografisë së përbashkët nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Më tej u zhvillua kuadrati koreografik me fëmijë përfaqësues të Federatës Shqiptare të Dancit sportiv, duke vazhduar me shfaqje me numra muzikorë dhe koreografikë nga fëmijët e Qendrës Kulturore  Kombëtare të Fëmijëve, për të përfunduar eventin me një sërë aktivitetesh të ndryshme sportive, lojra lëvizore popullore etj. etj.. Me rastin e festës së 1 Qershorit, Ministria e Arsimit dhe Sportit nën moton “Fëmijë të lumtur, Prindërim i suksesshëm, Shoqëri e realizuar”, zhvilloi një sërë aktivitetesh në të gjithë territorin e vendit.

 Ministria e Mbrojtjes, aktivitet me fëmijët e ushtarakëve

 Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar dje me rastin e 1 Qershorit një aktivitet festiv me fëmijët e ushtarakëve. Fillimisht ministrja Kodheli dhe të pranishmit e tjerë ndoqën një demonstrim sportiv nga fëmijët e grupeve sportive të karatesë dhe të lojërave me dorë të QKMBM, ndërsa më pas vizituan nga afër ekspozitën me punime nga fëmijët e grupit të pikturës. Në vijim, grupet e fëmijëve të këngës, instrumenteve, recituesve etj., dhanë në sallën e shfaqjeve një koncert. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke i uruar fëmijëve të ushtarakëve gëzuar 1 Qershorin, theksoi se, “çdo fëmijë është më shumë se një engjëll, është diçka që i tejkalon kufijtë e humanes, që të lidh me një diçka që është shumë e rëndësishme, që është trashëgimi që kemi lënë nëpërmjet dashurisë që transmetojmë për të rritur fëmijët qytetarë të denjë të shoqërisë dhe kjo është gjëja që nuk duhet të na mungojë kurrë”.

  Berisha uron 1 Qershorin: Një urim të përzemërt për fëmijët shqiptarë

 Me rastin e 1 Qershorit, në mbarë vendin po zhvillohen aktivitete të ndryshme për fëmijët, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Rajonale. Pjesë e kësaj feste është bërë edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka postuar një urim në rrjetin social Facebook, bashkangjitur me një foto, ku është bashkë me nipërit dhe mbesat e tij. “Sot është dita e fëmijëve. Një urim të përzemërt për të gjithë vogëlushët, fëmijët shqiptarë dhe prindërit e tyre!”, shkruan Berisha në Facebook.

 Prefekti Vorpsi, uron fëmijët nga Kopshti Nr.6 në Tiranë

 Prefekti, Sadi Vorpsi ka zgjedhur të marrë pjesë të dielën në ditën e 1 qershorit të festës së fëmijëve në kopshtin nr. 6 në kryeqytet i cili, duke folur për ditën e fëmijëve theksoi se “edukatorët e kopshtit Nr. 6 u kanë dhënë fëmijëve alternativa të mrekullueshme të mësimdhënies, pasi fëmijët jo vetëm duhen mësuar se çfarë të mendojnë, por edhe si të jenë inovatorë në idetë e tyre”. Nën shoqërinë e stafit mësimdhënës, të prindërve dhe fëmijëve, Prefekti Vorpsi vizitoi ekspozitën me punimet artistike të fëmijëve, në thelb të së cilës ishte përdorimi i materialeve të riciklueshme.

  Avokati i Popullit feston me fëmijët rom

 Me rastin e 1 Qershorit, Festës së Fëmijëve, institucioni i Avokatit të Popullit, organizoi një festë dhe hap dyert për fëmijët. Në festë, ishin të pranishëm fëmije nga shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe fëmijë nga komuniteti rom. Në hapje të kësaj feste, mbajti një fjalë përshëndetëse, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili u shpreh se “kjo ishte një ditë emocionuese dhe mjaft e veçantë në institucionin që ai drejton”. Më pas, festa ka vazhduar me muzikë dhe animatorë, personazhe të preferuara të fëmijëve, të cilëve në fund u janë shpërndarë dhe dhurata të ndryshme.