Ministrja Nikolla, mbetësve: Do të ketë Formular A3

475
Sigal

Diploma fiktive, Nikolla: Rishikim licencave të disa shkollave të mesme part-time

Ministrja e Arsimit dhe Sportit dha dje lajmin e mirë për maturantët mbetës se do të ketë Formular A3. Pra, maturantët të cilët për një arsye apo tjetër kanë rezultuar mbetës në provimet e maturës, apo kandidatët që vijnë nga jashtë (emigrantët), potentë për studentë në arsimin e lartë në Shqipëri, nuk do të duhet të presin një vit për të qenë pjesë e garës për në universitet shqiptare, gjë e cila tashmë është konfirmuar dje nga Ministrja e Arsimit, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Medias. Ndërsa përsa i përket Formularit A2, ministrja Nikolla ka pranuar se ka një vonesë, për shkak të kontrollit të ligjshmërisë së shumë programeve të studimit në shumë institucione të arsimit të lartë.

Matura Shtetërore

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla raportoi dje në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për Maturën Shtetërore. Gjate fjalës së saj ajo njoftoi heqjen nga katalogu i teksteve të 120 teksteve dhe verifikim të licencave për shkollat fiktive. Sipas ministres Nikolla tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, për shkak të gabimeve të shumta, kanë qenë shpeshherë në qendër të kritikave dhe për këtë arsye Ministria e Arsimit, duke filluar që nga ky shtator, ka nxjerrë jashtë tregut plot 120 tekste.

Verifikimi i licencave

Numri i lartë i ngelësve gjatë maturës shtetërore dhe kryesisht nga shkollat private ka vendosur në alarm Ministrinë e Arsimit. Inspektimet kanë filluar në ato shkolla private ku kishte fiktivitet dhe ngelës të shumtë maturantësh. Në njërën prej tyre nga 280 maturantë në provimin e matematikës, asnjë prej tyre nuk mundi të kalonte, ndaj dhe Ministrja e Arsimit për këtë shkollë ka propozuar masën e heqjes së licencës, ndërsa po vijon inspektimet në shkolla të tjera te vendit. Gjatë raportimit në Komisionin e Medias Ministrja Nikolla deklaroi se do të verifikohet çdo licencë shkolle fiktive. Ministrja ka deklaruar se do të rishikohen licencat e disa prej shkollave të mesme private të cilat rezultojnë të jenë fiktive, qoftë nga cilësia, por edhe nga pjesëmarrja e nxënësve në mësim, që, sipas saj, janë pajisur edhe me diploma. Nikolla ka deklaruar se inspektimet ndaj këtyre shkollave kanë qenë inekzistente, përsa i përket nxjerrjes së të vërtetës. “Në totalin e maturës shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të licencuara private part-time, shkolla që rezultojnë të jenë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës por dhe pjesëmarrjes së nxënësve në mësim. Inspektimet ndaj tyre në vitet e fundit kanë qenë inekzistente në kuptimin e nxjerrjes së të vërtetave. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë duke ndërhyrë, duke parë edhe licencat e këtyre shkollave”, deklaroi Nikolla.

Administrimi

Gjithashtu, Ministrja e Arsimit theksoi se këtë vit pati risi në administrimin e maturës shtetërore. “Për herë të parë u bë i qartë kufiri për kalimin e maturantëve. Posta dhe policia kanë rol me rëndësi në maturën shtetërore. Pati probleme, por morëm masa”, tha Nikolla. Për ministren Nikolla mirëadministrimi i Maturës Shtetërore solli një standard të ri të largimit të kopjes dhe ndëshkim të penalizuesve si dhe mos luhatje të mëdha të notave nga 3 vitet e gjimnazit me atë përfundimtare të privimit të maturës shtetërore.

 Tekstet

Nikolla premtoi largimin nga tregu dhe shkolla e të gjithë atyre librave alternativë të cilat konstatohen me gabime qoftë edhe nga mësuesit e shkollave. “Që këtë shtator 120 tekste me probleme do të hiqen nga katalogu i teksteve dhe së bashku me botuesit kemi rënë dakord që çdo tekst i papërmirësuar të nxirret jashtë sistemit”, tha ministrja.

 Kualifikimi i mësuesve

Gjithashtu Nikolla është ndalur edhe te provimi i kualifikimit të mësuesve, ku 30% e mësuesve nuk e kanë kaluar këtë provim dhe sipas saj kualifikimi që do të bëhet tani do të jetë ndryshe. “Kemi shifrat mbi 30 për qind e mësuesve nuk kaluan dot provimin. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot, që kishte promovuar njerëz dhe këshilltarë të ish-kryeministrit”, tha Nikolla.

Deputeti i PS akuza ministres Nikolla: Kreu i arsimit në Tepelenë i paaftë, e ke patur shok klase

 Deputeti i Partisë Socialiste për Tepelenën akuzoi ministren Nikolla në Komisionin Parlamentar se mban në Drejtorinë arsimore te Tepelenës shokun e saj të klasës së paaftë. Deputeti Dashamir Kamberi, drejtues vendorë dhe prefektura kanë kërkuar largimin e këtij drejtori, pasi arsimi në këtë qark është në kushtet dhe gjendjen më skandaloze. Për socialistin Kamberi, drejtoret e shkollave nuk plotësojnë asnjë kusht, ndërsa mësuesit japim mësim jashtë profilit, ndonjëherë edhe në gjendje të dehur. “Mësues që kacafyten, rrihen, mësues dhe drejtorë nën efektin e pijeve, nxënës që rrahin mësues. Është jashtë rolit, nuk kryen detyrën në rolin e më të pafatit përgjegjësi i zyrës arsimore. Ka qenë shoku i klasës së ministres, po mbahet arbitrarisht nga ministrja”, deklaroi Kamberi.

Akuzat e deputetit Kamberi për një seksion arsimor të emëruar politikisht dhe me njohje personale e kanë vendosur në vështirësi ministren Lindita Nikolla, ku oponenca në komisionin, ku mungonte opozita, i bëhej nga mazhoranca. “Ka qenë në kurs me mua krahas 80 të tjerëve. Një drejtor që fitoi konkursin pa asnjë lloj ndikimi nga ministrja e Arsimit. Drejtuesi i arsimit në Tepelenë është ndër 5 më të vlerësuarit në Shqipëri. Tepelena iu kthye ca serioziteteve që jo gjithkush i pëlqen”, u shpreh ministrja. Deputeti Dashamir Kamberi në kërkesën drejtuar ministres për largimin e drejtorit të zyrës Arsimore Tepelenë rendit edhe disa fakte ku ai si përgjegjës nuk ka reaguar. Një ndër to është edhe vjedhja e regjistrave në qytetin e Memaliaj nga vetë maturantët.