Ministri Tafaj uron mësuesit për 7-Marsin, nga Liceu Artistik

567
Sigal

Me rastin e ditës së 7-Marsit, festës së mësuesit, ditën e djeshme Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka zgjedhur Liceun Artistik në Tiranë për t’ju uruar këtë festë mësuesve dhe pedagogëve në të gjithë vendin. Ministri theksoi se në këto vite sistemi ynë arsimor ka bërë mjaft arritje, duke u përafruar çdo vit e më shumë me standardet e sistemeve arsimore të vendeve Evropiane. “Është për tu vlerësuar fakti që reformat në arsimin shqiptar po vazhdojnë të ecin me ritme të kënaqshme dhe sërish do të vazhdojnë që të ecin edhe në të ardhmen, për tu afruar sa më shumë me standardet Evropiane” tha Ministri Tafaj në fjalën e tij që mbajti në takim e zhvilluar në ambientet e Liceut Artistik në kryeqytet. Sipas ministrit është për t’u vlerësuar fakti që profesioni i mësuesit në Shqipëri mbetet një profesion i pëlqyer dhe që mjaft të rinj studiojnë në shkollat e larta për profesionin e mësuesisë. “Ende në vendin tonë profesioni i arsimtarit mbetet i preferuar dhe nuk është braktisur nga të rinjtë, dhe duke marrë shkas nga kjo, premtoj se në qendër të politikave të qeverisë do të jetë përmirësimi i vazhdueshëm i statusit të mësuesit, dhe rritja e pagave të tyre” u shpreh ndër të tjera Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj. Në këtë takim e mori fjalën edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës Arjana Bekteshi, e cila falenderoi Ministrin Tafaj për mbështetjen dhe projektet që janë bërë për shumë shkolla në kryeqytet. Në mbyllje të takimit Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, ka shpërndarë dhe disa certifikata mirënjohje për drejtuesit e shkollave të kryeqytetit. Ku ndër të tjera ministri Tafaj vlerësoi punën  e madhe dhe të palodhshme të këtyre mësuesve. Ai ndër të tjera u shpreh se: “ Është për t’u vlerësuar puna e palodhshme e mësuesve që bëjnë çdo ditë me nxënësit dhe që u qëndrojnë pranë atyre”. Po ashtu ministri Tafaj gjatë shpërndarjes së certifikatave mësuesve u ka premtuar se vitin që vjen do të ketë më shumë shkolla të ndërtuara dhe rikonstrukturuara dhe se do të bëhen më shumë përpjekje dhe reforma që do tu vijnë në ndihmë mësuesve dhe nxënësve, pavarësisht se në çfarë vendi ndodhen ato në qytete apo në zona rurale. “Arsimi është  është futur tashmë në rrugën e reformave dhe normalisht që do e vazhdojë këtë rrugë pa asnjë mëdyshje” e mbylli fjalën e tij Ministri Tafaj.

 

Të nderuar mësues dhe pedagogë!

7 Marsi, dita e nderimit të mësuesit, më jep kënaqësinë t’Ju përcjell me shumë respekt dhe mirënjohje urimet më të sinqerta për Ju, familjet tuaja dhe nxënësit e studentët që mësoni.
Me punën, pasionin e dashurinë për profesionin, për dijet, për nxënësit dhe studentët, Ju i keni dhënë një vizion të ri traditës së shkëlqyer të arsimit kombëtar. Me vullnetin dhe këmbënguljen që Ju karakterizon për të realizuar misionin tuaj fisnik, çdo orë e ditë pas dite, Ju po provoni se me mençuri keni garantuar suksesin e reformës arsimore të qeverisë Berisha.
Bashkërisht,me kontributin Tuaj të vyer, ne po e afrojmë, çdo vit e me shumë arsimin tonë me standardet më të mira të arsimit europian. Ju meritoni një përshëndetje të veçantë për të gjitha arritjet e këtyre viteve në fushën e arsimit. Rruga e reformimit të sistemit tonë arsimor është e gjatë dhe e vështirë. Ne kemi provuar se kemi ditur t’ia dalim dhe po ia dalim me sukses.
Ju jeni siguria e procesit të pandalshëm të modernizimit të arsimit dhe të rritjes cilësore të tij.

GËZUAR 7 MARSIN!
Myqerem TAFAJ