Ministri Tafaj, prezanton Strategjinë e Arsimit të Lartë 2013-2020 në Peshkopi

491
Sigal

 Takime më mësuesit e disa qyteteve për strategjinë e arsimit parauniversitar në vend

 Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ishte I pranishëm ditën e djeshme në një takim në Filialin e Universitetit të Durrësit në Peshkopi. Në këtë takim ministri Tafaj, premtoi vazhdimin e reformave në arsim. Po ashtu një vëmendje të veçantë sipas ministrit Tafaj, do të ketë edhe rritja e pagës së mësuesve në katër vitet e ardhshme. Në këtë takim u diskutua edhe pjesa e Strategjisë së Arsimit të Lartë 2013-2020, zhvilluar në Tiranë. Në fjalën e tij, ministri Tafaj, falënderoi të gjithë personelin akademik të arsimit të lartë në vend për bashkëpunimin dhe për organizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, për promovimin e objektivave dhe vizionit të strategjisë së arsimit të lartë shqiptar. Ministri Tafaj, theksoi se, kjo strategji është strategji e cilësisë së arsimit të lartë. Ai u shpreh se sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri, ka pësuar zhvillime të vrullshme në dekadën e fundit, ku numri i studentëve është trefishuar krahasuar me vitin 2004, sot kemi 160,300 studentë në dy ciklet e para të studimeve dhe 10,652 staf akademik, me kohë të plotë dhe të pjesshme. Ministri Tafaj, nënvizoi se, janë bërë hapa të rëndësishëm ne drejtim të cilësisë, por ajo prapë mbetet shtylla kryesore e kësaj strategjie. Tafaj theksoi se, katër boshtet e strategjisë janë, përmirësimi i cilësisë në arsimin e lartë, publik dhe jo-publik, profilizimi i ofertës universitare dhe orientimi i studimeve drejt tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik për të rritur punësimin dhe vetëpunësimin e të rinjve, optimizmi i burimeve financiare që në nivel kombëtar investohen në arsimin e lartë, konsolidimi i sistemit të menaxhimit të arsimit të lartë, duke kombinuar autonominë me mirëqeverisjen dhe llogaridhënien. Ministri Tafaj, theksoi se në rritjen e cilësisë, ka ndikuar hartimi i kornizës kurrikulare dhe prioritet e zhvillimit të vendit janë reflektuar në kurrikula si dhe kuotat e pranimeve. Ai tha se janë miratuar dhe po monitorohet zbatimi i standardeve shtetërore të cilësisë, është forcuar roli dhe kapacitet e APAAL, ka pjesëmarrje të ekspertëve të huaj në Këshillin e Akreditimit, janë vlerësuar dhe akredituar mbi 150 programe studimi, është rritur mobiliteti i studentëve dhe akademikëve, zbatohet prej 6 vjetësh “Fondi i Ekselencës”. Është mundësuar administrimi i regjistrimit, numri kombëtar i regjistrimit te studentëve, si dhe financimi i AL u rrit me 63% gjatë 2007-2012, shoqëruar me përmirësimin e kuadrit ligjor. Ministri Tafaj u shpreh se, është thelbësore zhvillimi i vazhdueshëm i burimeve njerëzore, ku prioritet duhet të marrin, rritja e numrit dhe cilësisë së stafit akademik, rekrutimi dhe promovimi i stafit mbi bazën e ekselencës akademike, mobiliteti dhe kërkimi shkencor. Ministri Tafaj bashkëbisedoi me mësues dhe pedagogë. Të pranishmit në takim bënë edhe pyetje për ministrin.  Ministri theksoi se vërejtjet, sugjerimet, opinionet e tyre por dhe të diskutimeve të tjera që do të vijojnë do të merren në konsideratë për të pasur ashtu siç quhet kjo strategji, një strategji të cilësisë së arsimit të lartë.

Shtyhen aplikimet për Doktoraturën në universitetet publike

Rektorati I Tiranës, në një njoftim për mediat ditën e djeshme ka bërë të ditur se janë shtyre deri në datën 20 mars aplikimet për sistemin e Doktoraturës. Në njoftim thuhet se: “Data përfundimtare për aplikim në studimet e doktoratës do të jetë 20 Mars, 2013”. Po ashtu bëhet e ditur se në dokumentacionin e aplikantëve nuk është e nevojshme të përfshihet emri i udhëheqësit shkencor të propozuar nga aplikanti (dosjet e aplikantëve do të pranohen edhe ne rastet kur nuk është propozuar udhëheqësi). Përcaktimi i udhëheqësve do të bëhet pasi Këshilli i Profesorëve të fakulteteve të miratojë kandidatët fitues.