Mimoza Kuqi: Programi i ri nga DAR, fëmijët me aftësi të kufizuara, pjesë gjithëpërfshirëse në shkolla

569
Sigal

Flet për “Telegraf”, znj, Mimoza Kuqi, Drejtore e Drejtorisë Arsimore Rajonale, Tiranë

Arsimi dhe reformat që priten të ndërmerren në ‘të janë një ndër temat dhe më të diskutuara kohët e fundit. Ashtu sikur se dihet, arsimi është kultura e një kombi. Këtë gjë e pohon dhe znj. Mimoza Kuqi, Drejtore e Drejtorisë Arsimore Rajonale, Tiranë, në një intervistë të dhënë për gazetën “Telegraf”, lidhur me situatën më të fundit. Ndër të tjera, znj. Kuqi rrëfen për në rëndësinë e arsimit, disa nga kujtimet e saj, si dhe lidhur me reformat që do të ndërmerren së fundmi në këtë sektor. Sipas saj, përzgjedhja për punësimin e mësuesve të rinj do të bëhet nëpërmjet procesit të konkurrimit.

 Znj. Mimoza, çfarë përfaqëson shkolla për ju?

– Është vendi ku dija, kultura dhe qytetaria të përçohet nga mësuesit (nëpërmjet mësimdhënies) tek nxënësi (nëpërmjet mësimnxënies), me metoda bashkëkohore, aktive dhe frytdhënëse. Pasi, ashtu sikurse thuhet, si është arsimi sot është e ardhmja nesër.

Si do i përcaktonit detyrimet dhe përgjegjësitë mes prindërve, mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore në edukimin e brezit të ri?

– Detyrimet janë të ndryshme, përgjegjësitë janë të njëjta. Si prindërit dhe mësuesit ose drejtuesit e shkollës, kanë pjesën e tyre të përbashkët në edukimin e brezit të ri. Asnjeri nuk duhet të neglizhoj përgjegjësit e veta, duke ja kaluar tjetrit. Edukimin e brezit të ri nuk mund ta quaj detyrë, por duhet të jetë në vetë ndërgjegjen e prindërve dhe mësuesve. Në qoftë se, do konsiderohej vetëm detyrë, sidomos nga ana e mësuesve, atëherë realizimi i saj nuk do të ishte efecient. Mësuesia si profesion drejtohet në radhë të parë nga pasioni dhe dëshira që nxënësve t’i japësh më të mirën tënde. Edukata që jepet në familje është zanafilla dhe më pas arsimi është zhvillimi i mëtejshëm i saj. Për këtë arsye, unë e konsideroj si një ndërlidhje midis këtyre faktorëve të rëndësishëm për edukimin.

Dikur ju keni qenë nxënëse, cilët mësues kanë qenë idhujt tuaj?

– Mësuesit e mi kanë qenë  pasionant dhe të përkushtuar për profesionin e mësuesit. Me mall kujtoj mësuese Afërdita të fillores, mësuese Natashën e historisë, mësuese Elvirën e matematikës, mësuese Sofikën e biologjisë etj..

Kur ishit mësuese a bëtë diçka ndryshe nga mësuesit e tu, diçka që ata nuk e kishin bërë si duhet në logjikën tuaj si nxënëse?

– Po, në qoftë se, në kohën time fjala e mësuesit ishte e padiskutueshme në orën e mësimit, brenda klasës, kur isha vetë mësuese, fjalën e mësuesit se bashku me fjalën e nxënësve mundohesha t’i jepja një frymëmarrje të re, jashtë klasës me projekte në ambiente të tilla si, muze, vende historike etj..

Për herë të parë në Shqipëri, qeveria e “Rilindjes” vendosi konkursin për drejtuesit e drejtorive arsimore, pjesa fitimtare e së cilës ishit dhe ju. Sa e rëndësishme është për ju vlerësimi i stafit pedagogjik, kolegëve tuaj, të cilët votuan për ju që ta çoni në nivele sa më të larta teknike dhe profesionale arsimin në Tiranë?

– Personalisht, vlerësoj mendimet  dhe vlerësimet që vijnë nga stafet pedagogjike për përmirësimin e punës në shërbim të arsimit dhe edukimit të brezit të ri.

Kemi vënë re që, me shumë finesë dhe profesionalizëm po implementoni programin europian të Rilindjes në arsimin parauniversitar në Tiranë (sport, kulturë, aktivitete jashtëshkollore, bashkëpunimin me komunitetin e rendit  etj). Si do të zhvillohet më tej ky program?

– Në shumë drejtime.

Sa të sigurta janë shkollat në Tiranë? A ka plan bashkëveprimi dhe bashkëpunimi me komisariatet e policisë, Drejtorinë e Policisë, apo Ministrinë e Brendshme?

– Siguria në shkolla është një ndër prioritet tona. Kjo vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha që ne kemi ndërmarrë. Siguria vjen si rezultat i bashkëpunimeve të institucioneve të ndryshme. Masat e marra në këtë drejtim përfshin institucione të shumta si, arsimore, policia, informimi publik, ojf, etj. Një nder projektet e fundit ku DAR është pjesë aktive është “Policimi në komunitet, një përgjegjësi e përbashkët”.  Kjo në kuadër të programit “Mbështetja suedeze për policimin dhe komunitetin”, bashkëpunim me ambasadën Suedeze, Policia Shtetit dhe Punonjësit Social. Ky bashkëpunim ka sjell një rezultat pozitiv në sigurinë e shkollave, sepse rrit ndërgjegjësimin e shkollës, komunitetit, policisë etj.

Ndërkohë, a ka ndonjë program të veçantë nga DAR Tiranë me shtresat në nevojë, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar ?

– Ka projekte, të cilat edhe romët edhe fëmijët me AK i bëjnë pjesë gjithëpërfshirëse në shkolla.

A keni bashkëpunim me institucionet e huaja që operojnë në Tiranë, apo  ambasadat?

– Po, kemi projekte me ambasadën e SHBA-së, gjermane, italiane, këshillin britanik,USAID, British Concil etj..

Sa të rëndësishme janë në optikën tuaj provimet e Maturës Shtetërore dhe Provimet e Lirimit?

– Shumë të rëndësishme, sepse kurorëzojnë punën një vjeçare të të gjithë aktorëve të arsimit.

Cilat janë masat që po ndërmerrni për mbarëvajtjen e këtyre provimeve?

– Se pari, në sigurimin e ambienteve, të cilat duhet të jenë të përshtatshme dhe në përputhje me dispozitat ligjore. (largësia dhe hapësira që i takon çdo nxënësi)

Së dyti, në trajnimin e administratorëve të provimit, përgjegjësve të administrimit të provimit, sekretuesve dhe përfaqësuesve të DART. Të gjithë këta aktorë, pjesëmarrës në proces. Së treti, në informimin për rregulloren e Maturës Shtetërore, të gjithë aktoreve si, mësuesve, nxënësve, prindërve, drejtuesve. Informimi bëhet me forma të ndryshme. Se katërti, zbatimin rigoroz në kohë dhe në cilësi të urdhrave të dalë nga Ministria Arsimit dhe e Sportit.

Sa i përket ambienteve, sa ambiente janë në dispozicion për zhvillimin e provimeve të maturës, sa prej tyre i përkasin shkollave shtetërore dhe ku do të jenë?

– 28 ambiente, ku 22 janë vetë shkollat e mesme, 3 ambiente janë shkolla 9-vjeçare dhe 3 janë ambiente të shkollave private

Para zgjedhjeve janë punësuar shumë mësues me kontrata, duke plotësuar vetëm kriterin politik dhe kjo u vu re në protestat për armët kimike, kur nxënësit e shkollave lanë mësimin, të drejtuar nga disa mësues dhe drejtorë shkollash, për të dalë në protestë. A ka ndonjë strategji DAR Tiranë për reformim të këtyre shkollave të qytetit të Tiranës?

– Shkolla do të jetë jo e politizuar në çdo drejtim. Punësimi do të ketë për bazë profesionalizmin. Nxënësit nuk do të përfshihen në aktivitetet politike

Dhe së fundi, do të doja t’ju pyesja për punësimin e mësuesve. Çfarë është bërë me dosjet e tyre që i kishte zënë pluhuri në DAR Tiranë? Cilat janë prioritet në punësimet e reja?

– Dosjet e mësuesve në DART i ka zënë pluhuri vërtet për vite me radhë, sepse një politike e tillë u zbatua, por tani nuk do të ketë një situate të tillë, sepse punësimi do të realizohet nëpërmjet një procesi konkurrimi.