Mbyllen 12 gjimnaze part-time Malaj: Nuk përmbushnin standardet

462
Sigal

TIRANE– Dymbëdhjetë shkolla të mesme të cilët ushtrojnë veprimtarinë mësimorë për studimet me kohë të pjesshme do të mbyllen. Këtë e ka shprehur zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj në një deklaratë për mediat. Pas inspektimeve të bëra në shkollat e mesme private në vend, Ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e këtyre gjimnazeve për shkak të mospërmbushjes së standardeve. Kështu, shkollat e mesme private që do të mbyllen janë: shkolla “Talenti” në Durrës, “Migjeni” në Durrës, “3 Janari” në Durrës, “Iliria T” në Elbasan, “Daka” në Lushnjë, “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Mat, “Vitrinat” në Tiranë, “Eurovizion IS” në Tiranë, “Inkus network” në Tiranë, “Vëllezërit Frashëri” në Vlorë, “Sami Frashëri” në Kuçovë, “Arianiti” në Elbasan. Ndërkaq, zëvendësministrja Malaj ka përmendur edhe detyrimet që këto institucione private duhet të përmbushin në bazë edhe të ligjit për arsimin. Këto shkolla të mesme private duhet t’i pajisin nxënësit me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që ata të transferojnë studimet në një shkollë të mesme publike për sistemin part-time, brenda 10 shtatorit 2014. Malaj theksoi se të gjitha detyrimet financiare për realizimin e këtyre detyrimeve duhet t’i përmbushë vetë personi juridik që përfaqëson shkollën përkatëse. “Këto institucione kanë edhe detyrime. Ato duhet të mbyllin detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin 2013-2014 brenda afateve ligjore në fuqi. Duhet të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshme për transferimin e tyre në një institucion tjetër publik, me kohë të pjesshme, brenda 10.9.2014. Duhet të vënë në dispozicion të drejtorive arsimore çdo informacion të nevojshëm, si dhe të kryejë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të studimit dhe çdo detyrim të papërmbushur ndaj nxënësve. Po kështu, të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e këtyre nxënësve duhet të kryhen nga vetë personi juridik privat i këtyre institucioneve”, tha Nora Malaj.