Maturantët testojnë sot dijet e tyre në provimet me zgjedhje

47

Me përfundimin e dy provimeve të detyruara të Maturës, rreth 52 mijë maturantë do të testohen sot për dy provimet me zgjedhje, nga të cilat varet e drejta e tyre për të konkurruar në universitete. Provimi nis në orën 10.00 dhe do të ketë një kohëzgjatje prej katër orësh.

Testi

Testi për këtë provim do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë. Në total, një maturant për të marrë notën maksimale duhet të mbledhë 40 pikë nga përgjigjet e dhëna. Numri i lëndëve që do të jepen si provime me zgjedhje këtë vit është 17. Edhe për këto provime ekspertët pohojnë se mbi 80 për qind e pyetjeve do të jenë nga temat e listuara në programet orientuese për secilën nga lëndët. Zgjidhja e ushtrimeve dhe kërkesave me shtjellim do të zërë një pjesë të rëndësishme të pyetjeve që do të përmbajë testi final. Për këtë janë përcaktuar edhe kapitujt e temat, të cilave nxënësit duhet t’u japin më shumë përparësi në këtë fazë përgatitore. Edhe për provimet me zgjedhje është konfirmuar se maturanti nuk do të penalizohet me heqje të pikëve, në rast se përgjigjet që do të japë nuk janë të sakta. Këto pyetje do të vlerësohen me zero pikë.

Formulari A2 në korrik

Për të vijuar studimet e larta, çdo maturant do të duhet të marrë notë kaluese në dy provimet me zgjedhje dhe ato me detyrim. Me shpërndarjen e formularit A1 dhe A1Z, nxënësit përcaktuan në muajin mars dy lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Sipas rregullores, me mbylljen e të gjitha provimeve të Maturës, nxënësit do të mësojnë se cilat lëndë dhe shkolla kanë koeficiente më të larta në fakultetet që dëshirojnë. Në bazë të këtyre rezultateve, maturantët do të plotësojnë në muajin korrik Formularin A2, i cili shpërndahet pas provimeve.

Universitetet

Të drejtën për të vijuar studimet e larta pranë fakulteteve publike për vitin e ardhshëm akademik do ta gëzojnë më shumë se 23 mijë studentë, sipas vendimit të qeverisë për kuotat e 11 universiteteve publike, të cilat ofrojnë më shumë se 190 programe studimi. Për këtë vit rreth 1600 studentë më shumë do të ulen në auditorët publike, ndërsa gjithsej do të vijojnë studimet me kohë të plotë 23 325 studentë. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë vitit të shkuar, numrin më të lartë të kuotave pritet ta ketë Universiteti i Tiranës, me mbi 6 mijë kuota, të ndara për të tetë fakultetet përbërëse. Fakulteti i Drejtësisë dhe Ekonomiku do të kenë numrin më të madh të të drejtave të studimit që do të ofrohen nga Universiteti i Tiranës për maturantët e këtij vitit.

Maturantët takohen me përfaqësues të MAS

Një grup maturantësh në kryeqytet janë takuar dje me këshilltaren e Ministrisë së Arsimit. Ata kanë paraqitur ankesa për mënyrën e vlerësimit në provimin e parë të maturës, atë të Gjuhë-Letërsisë. Sipas maturantëve, nuk përputhet çelësi i përgjigjeve me testin. “Ka pasur diferencë në vlerësim, ne, që punuam, u penalizuam. Ka pasur komunikim kur zhvillohej provimi”, thonë ata. Burime zyrtare të ministrisë kanë konfirmuar se ministria ka vënë në dispozicion dhe në rrjetin social Facebook sqarimin mbi procedurat e vlerësimit të testit. Ndërkohë, sipas MAS, maturantët do të kenë çdo sqarim të mundshëm mbi testin dhe mënyrën e vlerësimit.

   Universitetet publike kërkojnë anulimin e draftit për Arsimin e Lartë

Studentët dhe pedagogët e universiteteve publike i kanë kërkuar Kryeministrit të shpërbëje komisionin e ngritur për të reformuar arsimin e lartë, pasi ka konflikt interesi. Në kërkesën që ia kanë dërguar zyrtarisht edhe shefit të qeverisë, studentët dhe pedagogët vënë në dukje se zgjidhja nuk vjen duke i lënë kohë komisionit aktual të punojë për reformën edhe gjatë sezonit verore, por sipas tyre duke formuar një komision të ri, i zgjedhur mes universitetesh, i cili për hartimin e draftit të bazohet duke marrë në analizë kushtet aktuale të arsimit në vend.