Maturantët nuk e pranojnë gjuhën e huaj si provim mature të detyruar

568
Sigal

Maturantët e Tiranës protestojnë kundër dhënies së gjuhës të huaj si provim mature të detyruar. Ashtu siç tashmë është bërë e ditur, Matura Shtetërore parashikohet që këtë vit do të përbëhet nga pesë provime në total dhe jo katër si vitet e mëparshme, ku do të shtohet një provim me detyrim, që është gjuha e huaj. Në përqindjen më të madhe të gjimnazeve të vendit, gjuhë e huaj e parë është anglishtja. Ata kanë filluar ta kundërshtojnë këtë parashikim të Ministrisë së Arsimit shumë ditë më parë, por “askush nuk e ka bërë të ditur shqetësimin tonë” shprehen disa prej gjimnazistëve.

Ja si i përgjigjet një gjimnaziste në shkollën “Qemal Stafa”(ku ky problem është edhe më shqetësues se në gjimnazet e tjera), pyetjeve drejtuar nga “Telegraf”.

 – Ju jeni një ndër të shumtët maturantë, që e kundërshtojnë kategorikisht futjen e gjuhës huaj si provim të detyruar shtetëror, pse?

-A.M: Normalisht ne duam që të dalim sa më mirë në provimet e maturës, dhe për këtë po mundohemi, pasi shumë prej nesh u janë nënshtruar edhe kurseve private jashtë mësimit, të cilat nuk kushtojnë pak, të themi të drejtën. Futja e gjuhës së huaj është një ngarkesë shumë e madhe për ne dhe nuk mendoj se është e drejtë, dhe për vetë faktin se në shkollë nuk i kushtohet kësaj lënde ndonjë rëndësi e veçantë në mësimdhënie. Kjo do të thotë, që ne duhet ta rifillojmë dhe njëherë nga fillimi, ose të futemi në kurs tjetër dhe të tejngarkohemi.

 -Çfarë veprimi keni planifikuar ju si maturantë, të ndërmerrni për këtë problem?

-A.M: Ashtu si dhe shokët tanë që e refuzuan në masë këtë provim vitin e kaluar, edhe ne do të vazhdojmë deri në fund të bëjmë të njëjtën gjë, ose do të dalim të protestojmë nëpër rrugë.

 Ndërkohë që përveç maturantëve, kundër janë dhe gjuhëtarë, dekanë dhe akademikë të njohur, ku mes të tjerash shprehen se: Duhet t’i jepet më shumë rëndësi Gjuhës Shqipe, e cila të jepet si provim i veçantë në Maturë, dhe asnjë gjuhë e huaj nuk duhet të jetë e detyruar.

Gerjola Çaushi