Matura Shtetërore, në 16 Shtator shpallen fituesit

620
Sigal

UDHËZIMI/ Proceduarat e pranimit dhe regjistrimit të fituesve, të shpallur nga AKP-ja

Ministria e Arsimit ka publikuar dje procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015. Njëherësh, ka njoftuar se fituesit do të shpallen më datë 16 shtator. Në këtë udhëzim thuhet se pranimi i kandidatëve do të bëhet sipas listave emërore të renditura nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Kandidatët fitues përcaktohen nga AKP në bazë të dy parimeve: parimit të meritës, që përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollë së mesme, të provimeve të maturës shtetërore dhe sipas parimit të preferencës.

Listat paraprake të kandidatëve fitues do të shpallen në faqen zyrtare elektronike të MAS dhe AKP. Institucionet e Arsimit të Lartë, publiket, do të tërheqin listat në formë të shkruar dhe elektronike, në AKP nga ora 11.00 deri në orën 13.00 të datës 16 shtator 2014. AKP ia dërgon listat ne format elektronik me poste elektronike njësive arsimore vendore (Drejtorive Arsimore Rajonale/Zyrave Arsimore (DAR/ZA», brenda datës 16 shtator 2014. Rektoratet dhe dekanatet, brenda datës 16 shtator 2014, të shpallin në mënyrë të qartë dhe në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse listat paraprake te fituesve, datat dhe oraret e veprimeve te regjistrimit on-line nga sekretaritë mësimore, procedurat përkatëse si dhe listën e dokumenteve plotësues.

 Zgjedhja e kandidatëve fitues për regjistrimin

Kandidatet fitues në listat paraprake, kanë të drejtë të bëjnë dy zgjedhje në momentin e regjistrimit online: a. të konfirmojnë dhe kryejnë regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar në listat paraprake të shpallura, duke ndërprerë konkurrimin;

b. të vazhdojnë konkurrimin për të fituar një preferencë më të larte duke bërë zgjedhjen përkatëse gjatë procedurave të regjistrimit on-line. Këta kandidatë, së bashku me kandidatët që nuk janë shpallur fitues në listat paraprake, konkurrojnë për vendet e mbetura bosh të kandidatëve fitues, të cilët nuk kanë kryer regjistrimin on-line.

 

Regjistrimi në programin fitues

Kandidati fitues në listat paraprake, për t’u regjistruar dhe ndjekur më pas studimet në programin përkatës të studimit në IAL, ndjek: Procedurat e regjistrimit on-line (vetëm për fituesit në listat paraprake); Procedurat e regjistrimit me dokumentacion pranë sekretarive të IAL-ve publike, ku janë shpallur fitues me listën përfundimtare. Vetëm pas përfundimit të kësaj procedure brenda afateve të parashikuara, kandidati do të rezultojë i regjistruar në programin e studimit, ku ishte shpallur fitues në listat paraprake.

 

Procedurat e regjistrimit on-line

Kandidati i shpallur fitues ndjek procedurën e regjistrimit on-line në programin e studimit që ka fituar, në portalin e Maturës Shtetërore, sipas procedurës së mëposhtme:

a. Regjistrimi on-line kryhet ne cilindo kompjuter qe ka akses intemeti, nga data 17 Shtator 2014 deri në orën 24:00 të datës 22 Shtator 2014, për të bërë zgjedhjen e tij. Kur kandidati nuk arrin të realizojë procedurën e regjistrimit on-line, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit, ku është shpallur fitues, e cila do te kryeje procedurën e regjistrimit on-line të kandidatit. Regjistrimi on-line pranë sekretarive mësimore bëhet nga data 17 Shtator 2014 deri me date 22 Shtator 2014, nga ora 08:00, deri në orën 18:00. Kandidati që paraqitet për të kryer regjistrimin on-line pranë sekretarisë mësimore, duhet të paraqesë vetëm një dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Sekretaria mësimore pajis menjëherë kandidatët me fletë regjistrimin në preferencën e përzgjedhur, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak (on-line ose në sekretaritë mësimore) brenda datave të përcaktuara për çfarëdo lloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve.

 

Shpallja e listës përfundimtare dhe dokumentet për regjistrimin

AKP shpall, brenda datës 29 shtator 2014, listën përfundimtare të kandidatëve fitues.

Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga data 1 Tetor 2014 deri më 7 Tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatet fitues. Kandidatet dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësue:

a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm

fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, (e pa noterizuar);

b) 2 fotografi personale;

c) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IAL-së përkatëse;

d) Deklaratën, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit.

 

 

DAR Tiranë: Filluan aplikimet për praktikën profesionale. Ja dokumentet

Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë (DART) njofton se kanë filluar regjistrimet për kandidatët që duan të zhvillojnë praktikën profesionale për vitin shkollor 2014-2015. Kandidati për praktikën duhet të dorëzojë në DART:

1. Kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale pranë DART (sipas shtojcës 5 “Formati i aplikimit”, bashkëlidhur “Rregullores për organizimin dhe zhvillimin e praktikave profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit”).

2. CV e praktikantit.

3. Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit.

4. Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë “Master Shkencor”, “Master professional” në mësuesi.

5. Fotokopje e noterizuar e listës së notave të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë.

6. Raport mjeko-ligjor.

7. Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.

8. Dokument i vendbanimit.

Afati i regjistrimit të praktikantëve: 10 – 25 shtator. Lista e IAPP ku praktikanti do të fillojë praktikën profesionale shpallet në DART në datën 25 SHTATOR. Praktikanti fillon praktikën profesionale pranë IAPP në datën 26 shtator 2014 dhe e përfundon atë në datën 25 qershor 2015.

 

Gjirokastër, pranga pedagogut, mori 100 mijë lekë për një 5

Policia ka arrestuar në flagrancë një pedagog, pasi akuzohet për korrupsion pasiv si person që ushtron funksione publike. Pedagogu u kap me 10 mijë lekë të reja, të cilat ia kishte marrë një studenteje në këmbim të notës kaluese. Policia bën të ditur se i arrestuari është Hamit Ismailati, pedagog i infermierisë në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Në momentin e arrestimit në portofol iu gjetën dhe sekuestruan 565 Euro dhe 28.500 lekë të reja, përveç shumës 10 mijë lekë që ia kishte dhënë studentja.

 

MAS studentëve të huaj: Ja dokumentet për të studiuar në universitetet tona

Studentët e huaj që aplikojnë individualisht në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit apo në kuadër të Marrëveshjeve Shtetërore dypalëshe ose shumëpalëshe, për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë të studimeve, për vitin akademik 2014-2015, do të përzgjidhen për programin e studimit të kërkuar, në bazë të dosjeve të aplikantëve. MAS njofton studentët e huaj të paraqesin në Drejtorinë e Integrimit dhe Projekteve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në periudhën 10 shtator 2014 – 1 tetor 2014 dokumentet e mëposhtme:

a. Formularin e aplikimit;

b. Vërtetim që nuk ka qenë i ndjekur penalisht dhe që nuk është në ndjekje penale, në vendin e origjinës, i lëshuar 3 muajt e fundit;

c. Fotokopjen e njësuar të dokumentit personal të identitetit;

d. Fotokopjen e njësuar të origjinalit të legalizuar të diplomës së shkollës së mesme e shoqëruar nga një dokument të lëshuar nga autoritetet arsimore kompetente që dëshmon se mbajtësi i diplomës ka të drejtë të ndjekë studimet në institucione të arsimit të lartë në vendin e tij/saj;

e. Certifikatë e njohjes së gjuhës shqipe, lëshuar nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument që provon njohjen e gjuhës shqipe në nivelin e kërkuar (për shembull, diplomë e kryerjes së një cikli studimi në gjuhën shqipe, etj);

f. Kopjen e njësuar të origjinalit të lejeqëndrimit për shtetasit e huaj, lëshuar nga Ministria e Brendshme, nëse disponohet nga aplikuesi;

g. Curriculum Vitae;

Ministria e Arsimit dhe Sportit i dërgon Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, brenda datës 3 tetor 2014, dokumentacionin përkatës të aplikantëve të përzgjedhur për të kryer procedurat e mëtejshme të regjistrimit në programet e studimit përkatës. Shtetasit e huaj brenda datës 17 tetor 2014 paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse për të përfunduar procedurat e regjistrimit në programin përkatës të studimit.