Matura Shtetërore, firmoset udhëzimi për sesionin e dytë të provimeve

792
Dokumenti i Ministrisë së Arsimit, cakton datat, lëndët dhe mënyrën e zhvillimit të testimeve për sistemin parauniversitar 
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur udhëzimin për sesionin e dytë të provimeve të Maturës Shtetërore. Dokumenti përcakton mënyrën e organizimit, datat dhe lëndët. Provimet do të nisin më 26 gusht dhe do të vazhdojnë deri më 6 shtator. 

Gjithashtu në udhëzim përcaktohet edhe numri i pyetjeve dhe pikët për secilin test.
UDHËZIMI I PLOTË
PËR ORGANIZIMIN E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2017, SESIONI I DYTË
Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të neneve 26 dhe 51, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,

UDHËZOJ:
1. Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të jenë:
a) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1): 26 gusht 2017;
b) Matematikë (D2): 29 gusht 2017;
c) Gjuhë e huaj (D3): 1 shtator 2017;
d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2): 6 shtator 2017.
2. Provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të fillojnë në orën 10:00.
a) Provimet e lëndëve me detyrim të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
b) Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë.
3. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen me 37 pikë.
4. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 pyetje të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen me 30 pikë.
5. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje, të hyjnë në provim në orën 11:00 dhe ta përfundojnë atë në orën 13:00.
6. Në provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, do të marrin pjesë:
a) Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i parë.
b) Maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2016–2017 dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2017.
c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.
d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore nga MAS-i.
7. Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 6, germat “a” dhe “b”, të plotësojnë formularin Al Z për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore.
8. Kandidatët/kandidatët e përcaktuar në pikën 6, germat “c” dhe “d”, të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që u cakton DAR/ZA-ja e vendbanimit të tyre. Këta kandidatë të plotësojnë formularin A1Z në datat 21–23 gusht 2017.
9. Drejtori i shkollës të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, në datën 23 gusht 2017. Drejtori i DAR/ZA-së ta dërgojë këtë listë në AKP në datën 24 gusht 2017.
10. Provimet të zhvillohen të përqendruara në drejtoritë arsimore rajonale. ZA Tropojë, ZA Lushnjë dhe ZA Sarandë t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre. ZA Delvinë t’i zhvillojë provimet në qytetin e Sarandës.
11. Drejtoritë arsimore rajonale dhe drejtoritë e shkollave të marrin masa për njoftimin e maturantëve/kandidatëve për datat, mjedisin dhe orën kur do të zhvillohet secili nga provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë.
12. Drejtori i DAR/ZA-së, brenda datës 20 gusht 2017, të njoftojë zyrtarisht AKP-në për mjedisin ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë.
13. Në DAR-ët, ku numri i maturantëve /kandidatëve është më i madh se 500, të përdoren 2 mjedise.
14. Administrimi dhe zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të bazohet në urdhrin nr. 39, datë 31.1.2017, “Për miratimin e rregullores së Maturës Shtetërore 2017 në Republikën e Shqipërisë”.
15. Monitorimi dhe administrimi i procesit të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të kryhet nga përfaqësuesit e MAS-it dhe të institucioneve të vartësisë.
16. Shpenzimet e përfaqësuesve të MAS-it, në monitorimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të përballohen nga institucionet përkatëse, sipas dispozitave në fuqi.
17. Ngarkohen, për zbatimin e këtij udhëzimi, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria e Financave, AKP-ja, ISHA-ja, IZHA-ja, APAAL-ja, AKAFPK-ja, njësitë arsimore vendore dhe shkollat.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT
Lindita Nikolla
Shërbimi i Punësimit, marrëveshje me INSTAT-in
Në ditën e dytë të Panairit të Punës 2017, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me INSTAT në lidhje me ngritjen e një sistemi menaxhimi të informacionit. Sipas ministres Olta Xhaçka, sistemi do të mundësojë të studiohen individët, nevojat e tyre për punësim dhe mënyra si do paraqitet informacioni, që të jetë lehtësisht i asimilueshëm.

“Marrëveshja e bashkëpunimit mes Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe INSTAT është një përpjekje embrionike, në raport me ngritjen e një sistemi menaxhimi të informacionit megjithatë është një hap i parë i domosdoshëm, i cili shënon një moment të rëndësishëm. Pasja e një Sistemi Menaxhimi të Informacionit (MIS), do të thotë të studiohen individët, nevojat e tyre për punësim, mënyra si do paraqitet informacioni, që të jetë lehtësisht i asimilueshëm, të studiohet teknologjia që do përdoret për ta aksesuar atë, si dhe tregu i punës për të siguruar një përputhje dhe përshtatshmëri midis kërkesave dhe ofertave”, nënvizoi Xhaçka.
Sigal