Matura Shtetërore, 51 mijë të rinj luftojnë për statusin “student”

478
Sigal

 MAS/ Zv.ministrja Malaj publikon datat e provimeve dhe guidën e Maturës

51 mijë të rinj do të jenë pjesë e procesit të maturës shtetërore 2014. Këtë të mërkurë është mbyllur procesi i plotësimit të Formularëve A1 dhe A1Z, ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur edhe datat e provimeve të cilat nisin me gjuhën shqipe dhe letërsinë në 30 maj. ”Ka përfunduar aplikimi i maturantëve. Janë marrë masa që orët e konsultimeve të jenë pjesë e maturës shtetërore. 90% e maturantëve kanë informacionet e nevojshme për Maturën Shtetërore. Kemi nxjerrë datat e provimeve mënyrën si do realizohen dhe kohën. Sot duam të lançojmë edhe guidën e maturantit”, u shpreh Nora Malaj, zv/ ministre e arsimit dhe sportit.

Ndërkohë autoritetet e arsimit, si pjesë të procesit të maturës shtetërore kanë bërë publike edhe guidën e maturës, një udhërrëfyes për të gjithë ata të rinj që do të zgjedhin universitetet shqiptare. Në guidë janë përfshirë, koeficentët, përllogaritja e pikëve, por edhe mënyra se si duhet të përzgjidhet dega. Duke folur për guidën, Malaj tha se, nuk do të jetë vetëm për maturantët si individët, por edhe për prindërit e tyre për të parë dhe të dinë se çfarë pritshmërie të kenë.

“Kuotat ende nuk janë përcaktuar se sa janë pasi është duke u punuar për këtë gjë. Nga kandidatët e vjetër janë 6 mijë maturantë që konkurrojnë sërish”, -tha Malaj.

 Muaji i karrierës

 Zv/ministres së Arsimit dhe Sportit, znj.Nora Malaj deklaroi të mbyllur procesin e regjistrimit të Maturës Shtetërore. Aktualisht, sipas saj, janë regjistruar 51.255 maturantë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe maturantët nuk kishin asnjë lloj problematike. “Aktualisht jemi pas përfundimit të fazës së parë të plotësimit të Formularit A1/A1Z, sot dhe për gjithë muajin në vazhdim po shpallim “Muajin e zhvillimit të karrierës” që lidhet pikërisht me fazën që ka të bëjë me mënyrën sesi maturantët do të realizojnë procesin e bashkëbisedimit me universitetet si publike dhe private në kuadër të përzgjedhjes që ata do të bëjnë duke njohur problematikat që kanë, duke u dhënë mundësi kështu në qasjen që ata do të bëjnë dhe mënyrën si ato do të jenë pjesë në procesin e përfundimit të Maturës Shtetërore për të vazhduar më pas universitetin. Ta kenë tashmë të qartë programin që ata kanë dhe mënyrën se si do të realizohet” tha Malaj.

 Pyetësori për njohjen e maturës

Nga inspektimi që Inspektorati i Arsimit Shqiptar i bëri situatës, është hartuar plani i aktiviteteve që do të ndjekin hap pas hapi zhvillimin e nevojshëm që duhet të ketë çdo maturant për procesin e Maturës Shtetërore. Nga një anketim i pyetësorit të përmbledhjeve që është bërë, ka rezultuar se njohja e Maturës Shtetërore në rang republike njihet nga rreth:

• 99% e maturantëve që janë në procesin e Maturës Shtetërore.

• 75% e nxënësve janë informuar nga mësuesit kujdestar duke krijuar pikërisht dhe atë që quhet qendra, këndi, apo grupi i Maturës Shtetërore në çdo shkollë.

• 55% janë njohur nëpërmjet drejtuesve të shkollës e medias.

Nga orët e konsultimit të vendosura, 88% e nxënësve realizojnë orët e konsultimit të vendosura mbi planin e një grafiku të qartë, ende nuk i kanë realizuar ato 22% e nxënësve.

• 97% e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën e dytë si gjuhë alternative.

• 90% e nxënësve kanë informacion për sistemin e kreditimeve dhe për mënyrën se si do të bëjnë përzgjedhjen e lëndëve në listën e Maturës Shtetërore.

•10% e tyre është ende e panjohur.

 Guida e maturantit

“Aktualisht, sot duam të lançojmë dhe guidën e maturantit, një tjetër prioritet që i kemi dhënë si Komitet i Maturës Shtetërore”,- tha zv/ministrja Malaj. Sipas saj, Guida është një material i përcaktuar për çdo maturant, ku aty mund të orientohet qartësisht problematika që ai ka në të gjitha fazat që maturanti do të ndjekë në procesin e Maturës Shtetërore për t’u orientuar drejt provimeve, për të parë se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre. “Dhe kështu ne mbyllim fazën e dytë shumë të rëndësishme të njohjes së çdo maturanti me detyrimin që ata kanë, njëkohësisht realizojmë një pritshmëri shumë të madhe, pasi kjo guidë nuk do të jetë vetëm për maturantin si individ, por do të jetë edhe për prindërit, i cili do t’i ndihmojë në qasjen dhe rezultatin e pritshëm që ne kemi”, u shpreh Malaj.

Datat e provimeve të maturës

 Gjuha e huaj – 19 maj 2014

 Gjuha Shqipe – 30  maj 2014

 Matematika – 9 qershor 2014

 Provimet me zgjedhje – 18 qershor 2014