MASH: Lëndët që maturantët nuk duhet të zgjedhin si Z1 dhe Z2 në plotësimin e formularit

627
Sigal

Kushtet që duhet të kenë kujdes maturantët për plotësimin e Formularit A1Z

 Provimet e Maturës Shtetërore, kanë marrë një vëmendje të madhe nga maturantët që janë në shkollë aktualisht dhe që kanë plotësuar Formularin A1. Po ashtu një vëmendje të madhe provimet kanë edhe nga ata personat që e kanë mbaruar shkollën vitin e kaluar, por që nuk kanë mundur të shpallen fitues, por që do të konkurrojnë sërish këtë vit që vjen. Kategoria e personave që e kanë mbaruar shkollën vitet e kaluara, do të plotësojnë Formularin A1Z, i cili do të fillojë në datë 15 prill për t’u plotësuar. Maturantët ashtu siç është bërë e ditur do të japin katër provime, ku dy provime do të jenë me detyrim dhe dy provime do të jenë me zgjedhje. Sipas rregullores së publikuar nga MASH, për provimet me zgjedhje maturantët duhet të kenë kujdes në zgjedhjen e lëndëve. Në lidhje me zgjedhjen e këtyre lëndëve po ju paraqesim tabelën, e cila tregon se kush janë lëndët që nuk mund të zgjidhen së bashku. Më konkretisht nuk mund të zgjidhen nga një maturant si dy lëndë me zgjedhje dy lëndë gjuhë të huaja që janë si gjuhë e parë në shkollë. Si shembull: Nuk mund të zgjidhet anglishtja si gjuhë e huaj e parë, po ashtu nuk mund të zgjidhet anglishtja si gjuhë e huaj e dytë për provime me zgjedhje. Në tabelë maturantët do të gjejnë të gjitha alternimet e lëndëve që nuk mund të zgjidhen si lëndë me zgjedhje.

 MASH: Bursa për studentët shqiptarë në Bullgari, kriteret që duhen plotësuar dhe afatet

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se, janë hapur aplikimet për bursa studimi për studentët shqiptarë. Në zbatim të Programit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, Qeveria e Republikës së Bullgarisë ofron për këtë vit bursa për pjesëmarrje të studentëve dhe specialistëve shqiptarë në kursin veror të gjuhës, letërsisë dhe kulturës bullgare pranë Universitetit “Sv. Kliment Ohridiski” të Sofjes dhe Universitetit “Sv. Kiril i Metodi” të Veliko Tërnovos në Bullgari për një periudhë tre javore korrik-gusht 2013 ose gusht 2013. Pala bullgare përballon shpenzimet për ushqimin, akomodimin dhe programin mësimor dhe kulturor, ndërsa shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje do të mbulohen nga vetë pjesëmarrësit në kurs.

Dokumentet që duhen dorëzuar

Të interesuarit të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Politikave dhe Programeve Ndërkombëtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, deri më 10 maj 2013, dokumentacionin përkatës sipas listës së mëposhtme:

1. Kërkesën për ndjekjen e kursit veror të gjuhës bullgare;

2. Curriculum Vitae;

3. Vërtetim për ndjekjen e studimeve dhe listë notash;

4. 1 (një) Letër reference;

5. Dëshmi për njohjen e gjuhës bullgare (nëse ka);

6. Raportin mjekësor;

7. Fotokopjen e kartës së identitetit/pasaportës ;

8. 2 (dy) fotografi.

Theksojmë se për bursat e ofruara për kursin e verës në Bullgari duhet të aplikojnë kryesisht studentë të gjuhës bullgare pranë Departamentit të Gjuhëve Sllave e Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

 Bursa për studime universitare dhe pasuniversitare në Indonezi

Ministria e Besimeve Fetare të Republikës së Indonezisë, në kuadër të Programit për Shkëmbimin Arsimor, ofron për shtetasit shqiptarë 5 (pesë) bursa për studime universitare në programin “Bachelor” deri në 4 vjet, për studime pasuniversitare në programin Master deri në 18 muaj ose për programin PhD deri në 36 muaj pranë universiteteve shtetërore islamike të Indonezisë. Bursat e studimit sipas niveleve të sipërpërmendura ofrohen në të gjitha degët e programet e studimit, duke përjashtuar degët e mjekësisë. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe ngrënies mbulohen nga pala indoneziane. Kandidatët për studime universitare dhe pasuniversitare duhet të plotësojnë kushtet e domosdoshme për aplikim; të mos e kalojnë moshën 30 vjeç për nivelin “Bachelor”, moshën 40 vjeç për nivelin master dhe moshën 45 vjeç për nivelin doktoraturë; duhet të kenë njohuritë e domosdoshme të gjuhës angleze dhe të jenë të pajisur me certifikatën e TOEFL-it, si dhe certifikata të tjera të kualifikimeve të domosdoshme të kërkuara për këtë aplikim.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin në Sektorin e Integrimit Evropian dhe IPA-s, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës

Për studime universitare:

1. Kërkesën për studime, duke specifikuar degën që dëshiron të studiojë;

2. Vërtetimin e notave për tri vitet e shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës;

3. Raportin mjekësor për aftësi studimi;

4. Certifikatën e lindjes dhe fotokopjen e kartës së identitetit;

5. Dëshmi penaliteti;

6. CV;

7. 4 fotografi, 4 cm x 6 cm;

Për studime pasuniversitare:

1. Kërkesën për studime pasuniversitare;

2. Fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë dhe të diplomës së master-it (nëse ka);

3. Listën e notave;

4. CV;

5. Dy letra rekomandimi;

6. Programin e studimit;

7. Raportin mjekësor për aftësi studimi;

8. Fotokopjen e kartës së identitetit ose të pasaportës;

9. Dëshmi penaliteti;

10. 4 fotografi 4cm x 6 cm.

Për më tepër informacion për mënyrën e aplikimit dhe detaje të tjera referojuni adresës së mëposhtme të Drejtorisë së Politikave dhe Programeve Ndërkombëtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.