MAS ua “luan” botuesve. Rrezikohet përzgjedhja klienteliste e librit shkollor

504
Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur të luajë kukafshehti me botuesit e librit shkollor. Kështu, Udhëzimi “Për përzgjedhjen e teksteve shkollore më cilësore për vitin shkollor 2015-2016” është firmosur nga ministrja Nikolla në datë 26 mars, porse ai nuk është bërë ende publik në faqen zyrtare të MAS, duke lënë në errësirë botuesit për procedurat dhe mënyrën e përzgjedhjes të librit shkollor 2015-2016. Ashtu siç edhe denoncuan më parë, botuesit e librit shkollor akuzojnë MAS për mos transparencë, gjë e cila është reflektuar në këtë udhëzim. Udhëzimi nuk përcakton afatet e procesit të përzgjedhjes së librit shkollor dhe për më tepër përfundimet e komisionit të përzgjedhjes do të shkojnë direkt në MAS, duke centralizuar në këtë mënyrë procesin dhe e gjithë kjo, sipas botuesve, mund të sjellë përzgjedhje klienteliste të librit shkollor. Përzgjedhja e teksteve shkollore për vitin shkollor 2015-2016, për klasat II-V të nivelit fillor, VII-IX të nivelit të mesëm të ulët dhe X-XII të nivelit të mesëm të lartë, do të mbështetet në Katalogun 2014-2015. Ndërsa për tekstet shkollore të klasës së I dhe të VI, për të cilat do të bëhet konkurs nuk thuhet asgjë në këtë udhëzim. 
PËRZGJEDHJA E TEKSTEVE SHKOLLORE
– Në çdo shkollë të arsimit parauniversitar, drejtori i shkollës do t’u krijojë mundësinë mësuesve që ta njohin katalogun e MAS-it për tekstet shkollore 2014-2015. Çdo mësues, bazuar në katalogun për tekstet shkollore, do të përzgjedhë tekstin shkollor më cilësor për lëndën/ët, sipas klasave dhe nivelit arsimor ku zhvillon mësim. 
– Në çdo DAR/ZA, me urdhër të posaçëm të drejtorit, caktohet komisioni për administrimin e dokumentacionit të përzgjedhjes (KADP) në nivelin e njësisë arsimore vendore dhe komisionet e administrimit të procesit në qendrat e plotësimit të formularëve. Anëtarët e KADP-it dhe anëtarë e komisioneve të qendrave do të nënshkruajnë deklaratën individuale për konfliktin e interesit, si dhe për mbarëvajtjen e procesit të numërimit dhe të regjistrimit të rezultatit. Një përfaqësues i MAS-it monitoron zbatimin e këtij udhëzimi në çdo komision. Të gjithë mësuesit/drejtuesit e shkollave, të njoftuar paraprakisht për kohën dhe për qendrën ku do të plotësojnë formularët, të paraqiten me kartën e identitetit. Formularët, pasi mbyllen në zarfin e nënshkruar nga plotësuesit, i dorëzohen komisionit. KADP-ja, menjëherë pas marrjes në dorëzim të materialeve, të sjella nga të gjithë komisionet e qendrave, hap zarfet, lexon formularët dhe regjistron rezultatet në formularët përmbledhës. Të dhënat e këtyre formularëve hidhen në formatin elektronik dhe dërgohen në MAS. KADP -i sistemon të gjithë formularët sipas klasave dhe niveleve arsimore dhe ia dorëzon me procesverbal përfaqësuesit të MAS-it, i cili i dorëzon këto dokumente te Komisioni për administrimin e dokumentacionit në MAS.
– Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ngrihet Komisioni për administrimin e dokumentacionit (KAD). KAD-i merr në dorëzim materialet e ardhura nga DAR/ZA-të; plotëson tabelën përfundimtare të rezultateve dhe i paraqet Ministrit raportin përfundimtar për procesin. Të gjithë formularët e mësuesve, formularët përmbledhës e procesverbalet e KADP-ve të DAR/ZA-ve dhe raporti përfundimtar i KAD-it të ruhen për një vit.

Udhëzimi dhe formulari i nxjerrë nga MAS
 
Sigal