MAS të hetojë të gjitha emërimet e mësuesve në kundërshtim me ligjin!

470
Sigal

Skandalet në arsim, reagon bashkëshorti z. Hibo i mësueses së Gjuhë-Letërsisë në Devoll

Denoncimi i botuar në gazetën “Telegraf” më datë 26/06/2014 mbi skandalet në arsim, ka bërë që në redaksi të vijnë informacione për raste të tjera të ngjashme, ku përveç nepotizmit, konkurseve fiktive, falsifikime të deri notave të diplomës, mbajtja në arsim të të pashkolluarve e lënien pa punë të dhjetëra të tjerëve me diploma, e profesionistë të lëndëve përkatëse. Këto denoncime të kësaj natyre e dhjetëra të tjerë të publikuara apo që do publikohen, do të jenë objekt në ditët që vijnë në gazetën “Telegraf”, por është urgjente që Ministria e Arsimit të ndërhyjë menjëherë për këto skandale. Ndërkohë dhe prokuroria e organet e drejtësisë, duhet të nisin hetimet për këto skandale që rëndojnë në cilësinë e mësimdhënies në shkollat tona.

Por lidhur me shkrimin e një dite më parë në “Telegraf”, ka reaguar bashkëshorti i zonja Anila Hibo, aktualisht mësuese Gjuhë-Letërsie në shkollën 9-vjeçare të fshatit Poloskë, rrethi Devoll. Z. Hibo ve në dispozicion të “Telegraf” dokumente që sipas tij, vërtetojnë të kundërtën e asaj që denoncon informacioni i botuar në gazetën “Telegraf”. Për lexuesin, duhet të themi shkurt se dje në “Telegraf” thuhej se një zooveterinere me shkollë të mesme jep Gjuhë-Letërsi në shkollë, kur shumë mësues të kësaj dege janë pa punë, se kjo mësuese është një ndër 12 mësuesit e Devollit që në nëntor të vitit të kaluar u larguan nga puna nga AUDITI pasi u gjetën në kundërshtim me ligjin, se pra, dikush për motive çfarëdo, por jo ligjore, mbanë në punë të pushuarit, mes të cilëve dhe zonjën Anila Hibo…. Mes të tjerave, në reagim, bashkëshorti i saj pohon se ajo e ka diplomën e shkollës së lartë(në fakt vërtetim), se ka mbaruar dhe për gjuhë-letërsi këtë vit(pa çka se në këtë punë, siç thotë dhe vetë, gruaja i punon prej 7 vitesh), por ‘harron’ se kur ka filluar punë si mësuese gjuhë-letërsie, ishte në kundërshtim me ligjin, gjë për të cilën u pushua nga AUDITI dhe pse dikush e mbajti në punë… Është e drejta e tij për reagimin. Për këtë, sjellë dhe faksimile të këtyre dokumenteve.

Ja një analizë referuar këtyre dokumenteve e reagimit të bashkëshortit të mësueses:

1- Thotë që ‘gruaja ka dhënë Gjuhë-Letërsisë prej 7 vjetësh, edhe pse nuk kishte diplomën përkatëse, të cilën e ka marrë vetëm përpara 2 muajsh’?. Pra, dhe pse me diplomë zooveterinere, ka qenë e emëruar në kundërshtim me ligjin.

2-Thotë se ‘riemërimi i saj si mësuese Gjuhë-Letërsie (pas pushimit nga puna në nëntor 2013 pas një auditimi në ZA Devoll), fituar në bazë të konkurrimit të organizuar nga Z. A Devoll në janar 2014”. Po dhe kjo është sërish në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Nuk është faji i saj që futet në një konkurs në kundërshtim me ligjin, por i atyre që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, kundër vendimit të Auditit. Më konkretisht për reaguesin dhe sqarim për lexuesin: Në janar të vitit 2014, zonjën Hibo ende nuk e kishte marrë diplomën e nivelit të dytë për mësuesi. Sipas ligjit, znj.Hibo ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit, pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale (edhe pse  bashkëshorti e quan të ezauruar këtë kusht, pasi ajo ka dhënë 7 vjet mësim, edhe pse në kundërshtim me ligjin), si dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit. Pra, është shkelur ligji.

3-Thotë që ka rimarrë pozicionin e punës me anën e konkursit (siç përmendëm më lart). Po dhe në janar të vitit 2014, me ligj, duhej të skualifikohej, pasi ende nuk kishte marr diplomën për mësuesi!

4-Thotë që ajo është akuzuar kot, pasi ka diplomë e është vendosur me konkurs… Po kërkesat e ligjit, sanksionojnë që dhe pasi të diplomohet, duhet të bëj praktikën një vjeçare, gjë të cilin ajo nuk bërë pasi ka vetëm 2 muaj që ka marr diplomën.

5-Që të ushtrosh profesionin e mësuesit, në bazë të ligjit për Profesionet e Rregulluara, zonja duhet ti nënshtrohet Provimit të Shtetit, e vetëm pasi e merr atë provim, ka të drejtën të ushtroj profesionin e mësuesit.

PËRTEJ REAGIMIT

Reagimi i bashkëshortit lidhur sa më sipër, sqarohet qartë nga kërkesat e ligjit, pjesë të të cilit u analizuan më lart. Duke e falënderuar atë për reagimin, duhet të ndalemi shkurt në disa probleme që janë shumë më gjerë një interesi personal. Cili institucion apo person ka të drejtë të shkelë vendimin e Auditit, të ligjit, e të rikthej në punë 12 të pushuarit, mes të cilëve dhe zonja Hibo!?

Si janë zhvilluar konkurset e shumëpërfolura në fushën e arsimit!? Përse rrinë pa punë qindra mësues të kualifikuar e me diploma, me eksperiencë të gjatë, e lëndët mësimore i japin zooveterinerë, agronomë që nuk i lidh asgjë me gjuhë-letërsinë?! Kush po e drejton apo përfiton nga këta skandale në arsim, në kurriz të shkollimit të fëmijëve?! Është Ministria e Arsimit dhe e Sportit ajo që duhet të ndërhyjë në këtë katrahurë që po ndodh në sistemin tonë arsimor. Duhet të vihen para përgjegjësisë: Të gjithë drejtorët arsimorë të mëparshëm të cilët kanë emëruar mësues në kundërshtim me ligjin; si dhe të auditohen të gjitha emërimet e fundit për parregullsi në këtë proces, duke lënë në këtë mënyrë jashtë arsimit mësues që i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë pjesë e armatës së edukuesve të brezit të ri.