MAS publikon rezultatet e testit. Mësuesit në kaos

471
Sigal

Kaos në shumicën e kandidatëve për mësues, të cilët iu nënshtruan testimit kombëtar të mësuesve. Edhe pse MAS publikoi rezultatet e testit para afatit (ishte parashikuar data 22 dhjetor për zbardhjen e tyre), shumica e kandidatëve për mësues nuk u orientuan dot për të gjetur rezultatin e testit të tyre. Shkak i gjithë kësaj ishte shpallja e rezultateve nëpërmjet ID-ve dhe jo nëpërmjet emrave. Rezulton që mësuesit nuk e kanë ID e tyre për të konfirmuar rezultatin. Nuk dihet zyrtarisht shkaku i kësaj ngatërrese, pra, se pse mësuesit nuk e kanë ID-në e tyre, ndërsa nënkuptohen shumë të tilla. “Një nga mbikëqyrëset (nuk dihet kë institucion arsimor përfaqësonte) gjatë testimit erdhi në çdo bankë, na ngjiti bar-kodin në test dhe vetëm kaq… Hyri, ngjiti bar-kodin, doli. Nuk na tha njeri që paskemi një ID, ndryshe nga ID e kartës së identitetit me të cilën u regjistruam të gjithë për t’iu nënshtruar testimit”, thotë për “Telegraf” një nga kandidatet për mësuese, pjesëmarrëse në këtë testim. Ndërsa të gjithë e prisnin këtë ditë me ankth, për të marrë vesh nëse e kanë fituar të drejtën për të qenë pjesë e sistemit arsimor apo jo, duhet të presin të nesërmen për t’u paraqitur në DAR/ZA-të përkatëse sipas njoftimit të MAS. “Por, nga ta di unë, se në këtë mënyrë, rezultati im që do më japë DAR-i, në fakt, është vërtetë i imi dhe jo i ndonjë tjetri? Pse kjo ngatërresë? Pse nuk na i dhanë ID-të gjatë testit, kur na vunë bar-kodet? A kemi të bëjmë këtu me transparencë?” rreshton një sërë pyetjesh një nga pjesëmarrëset në këtë test. Ndërsa shprehet skeptike edhe përsa i përket rezultateve. “Mesa vura re, rezultatet ishin shumë të ulëta. Unë jam testuar për mësuese Gjuhë-Letërsie. Siç dihet Letërsia është një lëndë shumë subjektive dhe nuk mund të ketë vetëm një përgjigje. Testi ishte organizuar në mënyrë të tillë që kishte hapësirë për t’u shprehur. A më kanë kuptuar si duhet korrigjuesit e testeve? Mos janë edhe ata njësoj si unë që do t’i nënshtrohen provimit për të mbajtur vendin e punës? Kush më ka korrigjuar mua? Gjithsesi, unë po flas pa marrë ende rezultatin. Të shohim nesër…” u shpreh një nga kandidatet për mësuese. Ndërkohë, MAS njoftoi se mësuesit-fitues do të fillojnë punë në janar të vitit që vjen. Ndërsa ankimimet rreth rezultateve do të bëhen deri në 22 dhjetor. Të gjithë ata mësues që duan të kontestojnë pikët e marra, duhet të drejtohen drejt drejtorive rajonale arsimore.