MAS: Ja datat e provimit të maturës

693
Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2015
Gjuhë e huaj 23 Maj 2015
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 29 Maj 2015
Matematikë 09 Qershor 2015
Provime me zgjedhje 19 Qershor 2015
Maturantët do e nisin garën e tyre për në universitet në datë 23 maj, data në të cilën do të zhvillohet provimi i Gjuhës së Huaj. Ndërsa do vijojnë me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 29 Maj, me Matematikë në 9 Qershor dhe për ta mbyllur me provimet me zgjedhje në 19 Qershor. Datat e provimeve janë miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve në udhëzimin “Për zhvillimin e provimeve të MSH 2015”. Edhe pse matura nis me provimin e gjuhës së huaj në datë 23 maj, në fakt gara e maturantëve për në universitet starton më 29 maj me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, pasi pikët që do të marrë maturanti në provimin e gjuhës së huaj nuk do të ndikojnë në pikët që ata do grumbullojnë për garën në universitet. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar D3 është: Anglisht, Italisht, Frëngjisht dhe Gjermanisht, e cila është pasqyruar nga maturantët në Formularin A1/A1Z. Kandidatët e vitit të kaluar, që rezultuan mbetës në D3 janë të detyruar ta rijapin këtë provim, ndërsa kandidatët e tjerë, që aplikojnë me AlZ nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3. 
Masat për mbarëvajtjen e provimeve
1. Çdo DAR/ZA, brenda datës 25 maj 2015, merr nga shkollat listat e mbetësve të vitit 2014-2015, dhe në datat 25 e 26 maj i pasqyron ato në sistemin elektronik Matura online, sipas udhëzimit të dërguar nga AKP. Brenda datës 30 maj 2015, DAR/ZA dërgon në AKP, të printuar dhe në kopje elektronike, listat e mbetësve të vitit për çdo shkollë.
2. Drejtoritë e shkollave brenda datës 25 maj 2015, njoftojnë maturantët mbetës, që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2015, pa likuiduar më parë provimet e klasës.
3. Organizimi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 121, datë 25.02.2011, “Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë”.
4. Për provimet e Maturës Shtetërore të ndiqen procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, në Republikën e Shqipërisë, nr 1054/1 prot, datë 10.02.2015, miratuar me Urdhrin nr. 61, datë 10.02.2015 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit. 5. Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore të shfrytëzohen mjedise të institucioneve arsimore, sipas Rregullores së Maturës Shtetërore 2015 në Republikën e Shqipërisë , nr. 1054/1 prot, datë 10.02.2015, kreu V, “Përzgjedhja e qendrave dhe mjediseve të zhvillimit të provimeve të Maturës” neni 19, ndërsa provimi i detyruar i gjuhës së huaj do të zhvillohet në mjediset shkollore të organizuara dhe planifikuara nga DAR/ZA-të përkatëse.
6. Teza e provimit shkollor “Gjuhë dhe letërsi greke” për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke, të përgatitet nga DAR Gjirokastër.
7. Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane”(Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi do të zhvillohet me datën 19 maj 2015 pranë shkollave përkatëse.
8. Teza e provimit “Gjuhë frënge” (DELF B2 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet me datën 19 maj 2015 pranë shkollave përkatëse.
9. Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore të bëhet sipas grafikut të hartuar nga AKP-ja dhe të miratuar nga MAS. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare tërheqin në AKP, një ditë para provimit, të gjitha materialet e provimit. Materialet e provimit do të jenë të paketuara për çdo mjedis më vete. Procedurat e shpërndarjes dhe grumbullimit të materialeve të provimit të maturës janë parashikuar në Kreun VI të Rregullores së Maturës Shtetërore 2015, nr. 1054/1 prot, datë 10.02.2015, miratuar nga Ministri i Arsimit dhe i Sportit.
Administrimi i provimeve
1. Administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2015 të bazohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, nr. 1054/1 prot., datë 10.02.2015.
2. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtarë e Provimeve, brenda muajit prill 2015, të përcaktojnë llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje).
Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore
1. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të fillojnë në orën 10.00.
2. Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje përcaktohen në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015 nr.1054/1 prot, datë 10.02.2015.
3. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.
4. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë.
5. Provimet e detyruara të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.
6. Testi i provimit të detyruar të gjuhës së huaj hartohet nga AKP dhe administrohet dhe vlerësohet nga DAR/ZA.
7. DAR/ZA-të brenda datës 10 qershor 2015 dërgojnë në AKP, në formë elektronike dhe të printuara, rezultatet e provimit të gjuhës së huaj (D3).
8. Provimet me zgjedhje të zgjasin 3 orë. Maturantët/kandidatët që do të japin provim të MSh njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provim në orën 11.30 dhe do të përfundojnë atë në orën 13.00.
9. Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.
Sigal