MAS dhe organi akuzës nisin hetimet për zbulimin e korrupsionit

599
Sigal

Dyshimet për lekët e nxënësve në shkollat e Durrësit

Pas ngjarjes me drejtoreshën e një shkolle 9-vjeçare në Durrës, konfliktit dhe shkarkimit të pamotivuar nga drejtoresha e DAR, duket se problemet kanë nisur të marrin një rrugë tjetër. Në denoncimet e saj, drejtoresha e shkollës “Shaqe Mazreku” rendiste edhe faktin sipas të cilës “sulmi ndaj meje ka lidhje edhe me ambiciet e “para dashësve” të cilët prej vitesh kanë bërë allishverishe me lekët e mbledhur nga nxënësit”. Drejtoresha, tashmë e shkarkuar nga detyra, pas denoncimit, ka bërë edhe llogaritjet e saj “për 40 shkollat që ka sot Durrësi dhe vlerat monetare të mbledhura nga çdo nxënës, shumëzuar me numrin e tyre dhe rezultonte një shumë marramendëse e barabartë me afro 300 milion lekë në vit”. Aludimet e zonjës Adelina Qerama, duket se kanë qenë një sinjal i mirë për organin e akuzës, i cili duket se ka nisur hetimet e para për zbulimin dhe evidentimin e ndonjë afere korruptive, por fillimisht ka qenë zyra e kryeministrit  Rama që ka treguar interesimin për atë ç’ ka denoncoi në faqet e “Telegraf” drejtoresha e shkarkuar tashmë. Në një pohim për gazetën, zonja Qerama tha se “do ti shkoj deri në fund ankimeve dhe denoncimeve të mia ndaj drejtoreshës së DAR Durrës, kam besim se organet e drejtësisë do të veprojnë sipas ligjit”. Por denoncimi i drejtoreshës së shkarkuar, ishin një spunto tjetër për organet e hetimit. Fakti është se mjaft prindër ankohen se veç 10 mijë lekëshit që shkollat u marrin fëmijëve të tyre çdo fillim viti për “pagesën e rojës dhe për punimin meremetues në klasa dhe ambiente shkollore”, atyre u kërkohen edhe 5 mijë lekësha gjatë muajve në vazhdim. Ankesat e tyre, mjaft prindër, veçse në media, kanë nisur ti bëjnë edhe në portalin e Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar marrjen e masave dhe nisjen e kontrolleve. Nga ana e saj, MAS duket se e ka marrë seriozisht situatën e krijuar në Durrës dhe ka nisur verifikimet dhe hetimet e veta, për të kontrolluar vijueshmërinë ligjore të konfliktit dhe akuzat e ngritura nga zonja Qerama dhe prindërit e nxënësve. Fakti është se në shkollat e Durrësit, prej vitesh është krijuar një rrjet korruptiv, që ka abuzuar me lekët e mbledhura nga nxënësit, madje ka pasur edhe akuza publike lidhur me denoncimet dhe zbulimin e faturave fiktive për gjoja “shpenzime për lyerje, pajisje shkollore, rroga e rojës”, apo edhe “ekskursione me nxënësit” kur ato bëheshin nga drejtuesit dhe tarafet e tyre jashtë shtetit. Të gjitha këto fakte dhe denoncime që deri dje kishin mbetur “të fjetura”, sot duket se po dalin dhe publikohen edhe nga prindërit dhe mësuesit e disa shkollave. Në këtë proces nuk po mungojnë edhe denoncimet që vijnë në portalin e MAS dhe media, nga drejtues shkollash, gjë e cila ndihmon jo vetëm dikasterin e arsimit por edhe organet e hetimit për të zbuluar jo majën e ajsbergut, por ndoshta rrjetin që ka abuzuar dhe tenton të abuzojë me paratë dhe kontributet e nxënësve.

Ben Delimeta