MAS, asnjë penalitet për shtëpitë botuese që vonuan shpërndarjen e teksteve shkollore

44
Fillimi i javës së dytë të shkollës, është shoqëruar me probleme, të cilat vijojnë që nga dita e parë e shkollës. Në shumë rrethe të vendit, por dhe në kryeqytet ende nuk është bërë pajisja e plotë e disa shkollave me tekste shkollore. Ky problem vazhdon të jetë i tillë në katër klasa të dyta të shkollës “Pjetër Budi” në kryeqytet, të cilët ende nuk janë pajisur me libra. Si kjo shkollë ka dhe shumë të tjera në Tiranë, të cilat kanë këtë problematikë, si pasojë e vonesës së teksteve nga shtëpitë botuese, por në disa raste dhe si pasoje e neglizhencës së afateve nga këto shtëpi botuese. Vetë mësuesit e kësaj shkolle, që japin mësim në klasat e katërta, shprehen se kanë vështirësi gjatë mësimdhënies, si pasojë e mungesës së teksteve. Mënyra e vetme, që ora e mësimit të zhvillohet, është ajo e ndjekjes së mësimit me anë të fotokopjeve të dhëna nga mësuesit. Situatën tejet problematike e ka pranuar dhe drejtori i kësaj shkolle, Albert Zhupa, i cili pranon kushtet aktuale të mësimdhënies, por pohon se faji është i shtëpive botuese, të cilat kanë nxjerrë justifikime të ndryshme për vonesat e teksteve shkollore. Problematika ka dhe në rrethe të tjera, si në Tropojë, Pogradec, Fier, në zona të thella, ku ende nuk është bërë pajisja e plotë e shkollave me tekste shkollore. Në lidhje me këtë situatë, nuk dihet nëse Ministria e Arsimit do të vendosë penalitete për këto shtëpi botuese, të cilat përmes justifikimeve të ndryshme vonojnë procesin e shpërndarjes së teksteve shkollore, pasi në këtë mes të prekur janë vetëm nxënësit e shkollave, të cilët janë të detyruar të punojnë me fotokopje në rastin më të mirë, edhe pse ka thuajse dy javë që viti i ri shkollor ka filluar.