Mariglen Shehu: Skandal i Altertekst, Gjeografia që kufirin e Greqisë e çonte në Vlorë

621
Sigal

Flet z. Mariglen Shehu, administratori i shtëpisë botuese “Erik”: Për të gjitha shtëpitë botuese ka vërejtje. Kur kritikohet dhe Kadareja?!

Alterteksti, pika e nxehtë e ditëve të sotme, gjithmonë ka pjellë çudira. Skandali i radhëss është komisioni që ka kaluar tekstin e Gjeografisë që ka qarkulluar në treg dhe që kufirin e Greqisë e sillte në Vlorë. Këtë fakt tronditës për arsimin dhe historinë tonë e ka bërë të ditur z. Mariglen Shehu, administratori i shtëpisë botuese “Erik”, në një intervistë për “Telegraf”. “Ka dhe tituj që nuk janë të arrirë. Për shembull, ka një libër gjeografie, nuk ja kujtoj dot shtëpinë botuese, e cila ka qarkulluar në treg dhe e ka vënë kufirin e Greqisë në Vlorë. Besoj se duhet të jetë hequr, apo të paktën të jetë korrigjuar”, shprehet z. Shehu. Ai mendon se Alterteksti ka nxjerrë dhe shumë libra cilësore, përveç skandaleve të këtij lloji. Sipas tij, shtëpinë botuese “Erik” vetëm cilësia e ka çuar në treg, duke qenë se nuk ka asnjë suport politik. Fashikujt me vërejtje për shtëpitë botuese, orientimi i MAS për shtëpitë botuese në përzgjedhjen e teksteve shkollore, cilësia e titujve, mënyra e mëparshme e përzgjedhjes së teksteve si dhe  ndikimi i njohjeve për t’u përzgjedhur nga shkollat janë temat që trajtohen në këtë intervistë.

  Kur ka filluar shtëpia botuese “Erik” të jetë pjesë e Altertekst?

Shtëpia botuese “Erik” është futur që në konkurrimin e parë të Altertekst dhe ka 85 tituj teksti shkollor nga klasa e 1-12, të fituar në këto konkurse të bëra nga qeveria e mëparshme. Kemi tituj librash me tirazhe mbi 20 000 copë, siç është fizika nga klasa e VI-XII, etj.

 A kishte vërejtje në fashikujt e MAS për shtëpinë tuaj botuese?

Sigurisht që ka vërejtje. Nuk mund të pretendojmë që niveli i mësuesve, të cilët kanë bërë vërejtjet, të jetë i njëjtë në të gjitha krahinat, ndryshe e shikon një mësues fshati dhe ndryshe një mësues në kryeqytet. Nuk mund të pretendojmë të kundërtën. Ka vërejtje për të gjitha shtëpitë botuese, edhe për ato më të mirat, siç janë “Albas”, “Pegi”, “Mediaprint”, “Edualba”, etj., normalisht që do të kishte dhe për neve. Në fashikuj të gjithë kanë vërejtje. Bëhen vërejtje për Kadarenë e madh, apo Dritëroin, e jo më për ne, që edhe shpesh herë jemi sulmuar nga konkurrentët. Të vetmen gjë që unë nuk pranoj, është marrëdhënia e biznesit që paska Agim Leka me shtëpinë botuese “Erik”. Unë jam administratori i kësaj shtëpie botuese dhe këtë person nuk e njoh, e jo më të kem marrëdhënie biznesi me të. Për herë të parë jam prezantuar me të në takimin që  u bë në ambientet e MAS me shtëpitë botuese për të folur për Altertekst.

 Ju vetë si shtëpi botuese, si vepruat pas orientimit të MAS për heqjen nga ana e juaj të disa titujve të librit?

Ne e diskutuam dhe e pamë të udhës që të heqim disa tituj, të cilat nuk kishin një tirazh të madh. Hoqëm gjithsej 8 tituj dhe me vetëdijen e plotë, jo se nuk ishin cilësore, por duke qenë se tirazhi i tyre ishte më i vogël, atëherë dhe dëmi financiar për ne nuk do të ishte shumë i madh.

 A është e drejtë mënyra sesi Ministria e Arsimit veproi këtë vit, duke ia lënë në dorë shtëpisë botuese heqjen e disa titujve nga tregu? Nuk do të ishte më mirë që të ishin specialistët e MAS të përzgjidhnin titujt më cilësorë?

Realisht nuk kishte kohë fizike mjaftueshëm për t’iu futur këtij procesi. Mos harroni, që në shumicën e rasteve kemi 7 alternativa për një libër shkollor. Po të llogarisësh librat e një klase të caktuar si dhe vitet e shkollës (12 klasat), numri i teksteve do të ishte shumë i madh. Nuk mund të kalohen nëpër duar gjithë ato libra në një kohë kaq të shkurtër dhe të vendosësh për më cilësorin. Do të bëheshin gabime. Nga ana tjetër, kjo punë ka nisur dhe unë kam rreth 8 000 tituj stok. Ku t’i çoj unë ato? Unë i kam fituar me konkurs, kështu që MAS nuk mund të m’i heqë kështu papritur. MAS, ndoshta për vitin tjetër duhet të zhvillojë një tjetër konkurs, ndërsa për këtë vit nuk ka kohë, sepse në gusht libri duhet të dalë në treg.

 Pra, MAS paska vepruar drejt, sipas jush?

Kjo për dy arsye:

Së pari, nuk ka më kohë për të përzgjedhur dhe për më tepër që edhe shtëpitë botuese të llogarisin dëmin financiar që mund t’i shkaktohet.

Dhe së dyti, jam futur në konkurs dhe autorët e librit kanë punuar për të nxjerrë produktin e tyre. Duhet të vazhdojë kështu, ndërsa për vitin tjetër duhet të fillojë puna pa hyrë viti shkollor.

 A mund të ketë tituj në treg që nuk janë cilësorë?

Ka dhe tituj që nuk janë të arrirë. Për shembull, ka një libër gjeografie, nuk ja kujtoj dot shtëpinë botuese, e cila ka qarkulluar në treg dhe e ka vënë kufirin e Greqisë në Vlorë. Besoj se duhet të jetë hequr, apo të paktën të jetë korrigjuar. Po kjo përbën një skandal për librin shkollor.

 Si keni vepruar ju për të përzgjedhur autorët e librit?

Autorët i kemi përzgjedhur duke u bazuar në CV-të e tyre, duke marrë pedagogët e lëndëve të shkollës së mesme, por edhe profesorët e universiteteve. I kemi ndërthurur njohjen e lëndës dhe të mësimdhënies nga pedagogët e shkollave të mesme me nivelin elitar të profesorëve të universitetit.

 A ka pasur kritere miqësie, krahinore, politike në përzgjedhjen e titujve të librave?

Ndonjë gjë të vogël edhe mund të ketë pasur. Nuk mund të bëhemi më katolik se Papa. Jetojmë në Shqipëri. Por unë mund të flas vetëm për shtëpinë botuese që unë përfaqësoj, dhe ne nuk kemi pasur asnjë mbështetje politike, vetëm cilësia na ka çuar në treg.

 Si veprohej në përzgjedhjen e tekstit shkollor?

Çdo gjë bëhej e fshehtë, pa emra autorësh, pa emrin e shtëpisë botuese, paraqitej vetëm lënda në një zarf. Dhe kur bëhej përzgjedhja, atëherë shtëpitë botuese i dilnin për zot tekstit të vet.

 Sa kanë ndikuar njohjet për t’u përzgjedhur nga shkollat?

Sigurisht që kanë ndikuar njohjet. Por mjaftonte fakti që teksti e kishte kaluar komisionin. Por ka pasur dhe raste, si për shembull me librin e anglishtes, teksti që ka ardhur nga jashtë dhe është anglisht-anglisht. Ne nuk kemi mësues që të japin këtë nivel anglishteje. Anglishtja jonë ishte më e thjeshtë, më e kuptueshme me autor Dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Elbasan, e cila u spostua nga tregu për t’u futur anglishtja e ardhur nga jashtë, me orientime nga lart. Dekania ishte në forumet socialiste atë kohë dhe teksti ynë nuk kishte sesi të përzgjidhej. Këtë vit do të luftojmë për ta pasur në treg, është një set librash nga kl. III-IX në të njëjtën linjë, me të njëjtën autor.