Majlinda Keta: Ligji për Arsimin e Lartë është llogore, apo amfiteatër antik për filozofinë e zhvillimit?

526
Sigal

Majlinda Keta, Lektore e Filozofisë së Integrimit Europian – FSHS, Universiteti i Tiranës, në intervistën për “Telegraf”, duke  i bërë një skaner p/ligjit “Për Arsimin e Lartë”, thekson kritikat e saj, që bashkohen me ato që i kanë bërë stafet akademike,  dhe zonja Keta i bën edhe një herë thirrje kryeministrit Rama, që të reflektojë e të dëgjojë mendimet e botës akademike, sepse, siç thekson zonja Keta, ndodh që “ Një ministri edhe mund të kapitullojë nën mediokritet, një shtet e kemi parë të rënë edhe nga krimi dhe nga anarkia që mbolli politika, POR kur kapitullon para politikës akademizmi, merr fund kombi”.

-Zonja Keta, sapo kemi marrë deklaratat e para të zëvendësministrit Mazniku, pas vlerësimit nga auditoret universitare të projekt ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri, ku pohon që kjo nuk është reformë e partisë. Cili është komenti juaj?
– Shqipëria e mendjes dhe e novatorëve, që ka ruajtur deri diku institucionalizmin për shtetformimin dhe vetë qenësinë e kësaj tokë, të banuar prej shqiptarëve, rrallë ka gjetur qasje të plota me politikën. Më vjen një situatë e njëjtë me Shqipërinë e 1924-ës, kur Konica i madh, tek “Komedija e partive dhe rreziku që qëllon në derë”,  shprehej: “…Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipërija- fjalë fatale – vdes- ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët/U ruajt nga rastet,/U VRA nga politikanët”.. S’ka dyshim se politikanët – turma e errët e njerëzve, që e përdorin politikën, jo si një udhë, po si një qëllim, – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë”. Këtu mund të gjesh një “sëmundje” të hershme të politikanëve shqiptarë, pas së cilës duhet ta përgatisësh veten mbi “normalen” e politikës dhe akademizmit, po aq sa duhet të betohesh për rolin që t’i pranosh vetes, se do të duhen dhjetëra vite angazhim, kontribute, mendje, fjalë të guximshme dhe modelesh novatore, por, mbi të gjitha, ndërgjegje shtetformuese që të arrijmë që politika DUHET të heshtë, pasi flet akademizmi. Ndërsa kërkoja në median e shkruar qëndrimin e akademizmit në maj 2010, gjeta një shkrim të tillë “Ligji i arsimit, ku shkelet Kushtetuta”, një shkrim nga znj.  Zirina Llambro, ku vazhdon : “….Në një letër dërguar Kryeministrit të vendit Sali Berisha, Universiteti i Tiranës ka listuar këto dhe një sërë argumentesh të tjerë, lidhur me shkeljet e vërejtura në projektligj, duke kërkuar që ai të mos miratohet, por të diskutohet sërish me komunitetin akademik……”. Më vjen keq që diskutimet në departamentet tona, por dhe ato çfarë Senati i UT-së relatoi për grupin e hartuesve të projektligjit pranë Ministres, filloi po me këtë pohim “Ligji shkel Kushtetutën për autonominë e universiteteve…..”. A mund të më thoni se a mund të quhet sjellje e dënueshme e “Partisë në Universitet” ajo e mbrojtjes së respektimit të Kushtetutës? Ka një të vërtetë të madhe që kryeministrit Rama dhe Presidentit të Republikës duhet t’i rëndojë ajo sipas së cilës, “Kush janë ato që guxojnë që nën ftesa të ekzekutivit, nën financa publike, nën kosto publike, në Shqipëri dhe interesat europiane të vendit, të mund të ofrojnë “me trimëri” e për më tepër “të mbrojnë” një ligj antikushtetues! Një ministri edhe mund të kapitullojë nën mediokritet, një shtet e kemi parë të rënë edhe nga krimi dhe nga anarkia që mbolli politika, POR, kur kapitullon para politikës akademizmi, merr fund kombi. Kryeministri Rama zotëron gjithë vullnetin dhe intuitën analitike, që të shkojë në vlerësim të situatës dhe të përcaktojë rrugëzgjidhjet aty ku çalon institucionalizmi. Sërish do thërres në ndihmë Konicën e madh: “ Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të mëshehur nën to intriga e për të shfrytëzuar zëmërime të veçanta”. Në se nuk do kisha folur e shprehur mendimet sa herë që më është kërkuar institucionalisht, por edhe kam ndjerë se më duhet edhe sensibilizimi publik për reforma të pretenduara, qysh nga 2009-ta, në Arsimin e Lartë, nuk do kisha marrë riskun të shprehesha edhe për ju sot. Cilësia e edukimit në Shqipëri nuk reformohet dhe ruhet me sistem part-time, me shkëputje dhe pa shkëputje nga karrigia. Ai është detyrim i përditshëm, është punë në grup, është model personal akti sa edhe zë publik me peshën në vendin dhe kohën e duhur. UT—ja ka një armatë të tërë akademikësh dhe intelektualësh.
– Ju besoni se Komisioni për Reformën në Arsimin e Lartë do të reflektojë ndaj kritikave të p/ligjit?
– Besoj kjo është fundi i deklaratës? E them këtë, pasi nga zëdhëniet e nxituara të politikës, vetëm fjalitë e fundit duhen dëgjuar (qesh). Ky është një mesazh, që do parë si reflektim, ndërkohë që unë publikisht i kërkoj kryeministrit Rama, kryeministrit që vlerëson dhe ka ngritur karrierën e tij nga marrëdhënie të kuruara me publikun dhe grupet e interesit: “Vlerësojeni këtë qëndrim të mendimit nga auditoret studentore! Kjo nuk është luftë nga 2 llogore. Ky koncepsion është shumë miopik. Unë e shoh dhe e besoj se ky është si një amfiteatër antik, ku diskursi në të do të prodhojë vlerësimin mendor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, filozofia juaj politike e shpallur në 2013. Universitetet mbeten baza e elitarizmit dhe e prodhimit të sjelljes shtetformuese, ndaj, së bashku, na lipset të jemi të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm për ndikimin e zgjedhjeve, përmes vendimmarrjeve tona, për zhvillimin e qëndrueshëm në hapësirat jo vetëm shqiptare, por edhe shqipfolëse, ballkanike dhe europiane”. Shiheni vlerësimin e përgjegjshëm të universiteteve si një standard i bashkëpunimit të përgjegjshëm me politikbërjen, për t’i siguruar këtij zhvillimi, gjeneratat e reja, si mbështetëse dhe promotore të shpejtësive më të mëdha në ecje”. Reflektimi kritik dhe qëndrimi i përgjegjshëm duhet të na karakterizojë në këtë bashkëpunim.
– Si gjendet një zë publik i arsimit i të majtës, pas kësaj përvoje të radhës?
– Unë arsimin e shoh si një e mirë e përgjithshme dhe përgjegjësi publike. Mbështes koncepsionet e Konferencës së UNESCO në 2009-tën për Universitetet, ku, pas debateve mes 150 vendeve, konsensusi u bë për Arsimin e Lartë, si një e mirë publike. Nuk do pranoja kurrsesi që ky projekt ligj të hynte në kundërshti me ligje e Deklarata Europiane,(gjëra që i kemi precizuar në oponencat tona si FSHS), kjo pasi ai duhet të kishte pasur qasje e bashkëmbështetje edhe me ligje shqiptare, si ai për kërkimin shkencor dhe inovacionin në Shqipëri. Ne duhet të heqim dorë nga sindromi ZERO, ground zero, deri sa u ula në karrige. Pasi, në të kundërt të saj, do të duhet të rimonim nga llogoret “Çfarë bëje ti bej efendi……….”, e do të shihnim se heshtanakët ndaj keqzhvillimeve në çdo profesion e zhvillim fushe, janë po aq të rrezikshëm për qëndrueshmërinë e zhvillimeve në këtë vend, po sa dhe keqbërësit e ndërgjegjshëm, apo nga paaftësia. Nëse do i referohesha se ku më afekton “majtas”, do të thosha se dëshira ime, pos 2013-ës, ishte që filozofia e ndryshimeve në arsim (asnjë nuk e quaj reformë deri tani) të paraprihej nga filozofia “Më të mirët, për të mirat publike si arsimi”, për një popullatë të lodhur nga financat e paqëndrueshme dhe të kërcënueshme jo rrallë nga “piramidat hajne, vampire”  të politikës shtet, këtu kam parasysh firmat piramidale apo të lulëzuarit e 100 universiteteve pa standard e certifikim ndërsa volën finaciarisht shqiptarët dhe sot i kanë lënë në mes të rrugës. Si e majtë? Do të doja mos të përjetoja një “duel” tjetër me studentët e mi, që anarkizmi dhe antishqiptarizmi në fillim të këtij viti akademik, i thërrisnin në rrugë për të bllokuar jetën universitare nën pretekst të “JO, rritjes së pagesës për studentët në universitete publike”, ndërsa unë me kolegë mundoheshim t’i bindnim se qeveria për çdo ndryshim diskuton, debaton, ndërton marrëveshje, përkundrejt kësaj të mire publike. Jemi dhe duhet të kontribuojmë në një reformim për dobi të cilësisë konkurruese. Unë besoj se e majta i konsideron si institucion studentët. Sot, në përfundim të provimit të Filozofisë së Integrimit Europian (lënda ime në vitin e tretë filozofi), u lumturova ndërsa dëgjoja përgjigjen e tyre, pas pagesave, “Jo pedagoge nuk ishin rritur…..kishit të drejtë!”. Unë këtu u ndjeva pak “e majtë”, fituese për politikat universitare, sepse pjesën tjetër, në se më perceptojnë të tillë, unë e jap lehtësisht përmes modelit tim si pedagoge dhe aktiviste publike për arsimin. Fakti që ne jemi shprehur me mendje dhe laps në dorë, nen për nen, për projektligjin, është vlerësimi që ne i bëjmë nevojës për ndryshim edhe nën këtë qeverisje, por edhe seriozitet në bashkëpunimin. Ne na duhet të bëjmë refleksionet tona kritike për një universitet konkurrues, sikurse kryeministrit lipset t’i sigurohen skuadra mendimi, modelimi dhe ligjërimi kushtetues nga intelektualë dhe akademikë që realisht kuptojnë, bashkëmbështesin dhe pasurojnë filozofinë e tij për një Shqipëri me zhvillim të qëndrueshëm.

-Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA