Majlinda KETA/ Akreditimi i universiteteve shqiptare dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm i Shqipërisë

611
Sigal

( Ato që nuk kam dëgjuar ende, por që mundemi)

Shekulli 21 është shekulli kur mbarë shoqëria njerëzore po përballet me standardin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky standard zhvillimi po kthehet në një emërues të përbashkët të përpjekjeve qeverisëse dhe cilësisë së kontributeve shoqërore, pavarësisht modeleve ekonomike që aplikojnë apo regjimeve politike që preferojnë vendet dhe popujt e ndryshëm. Ky standard tashmë është bërë kryesfida edhe e botës së ideve, intelektualëve dhe kërkuesve shkencorë dhe në gjithë botën  akademike. Referuar të arriturës dhe të parriturës, të lavdërueshmes dhe kritikes në gjithë shekuj të njerëzimit HUMANIA ideore i është kthyer mendimit kritik për progresin dhe kënaqësinë njerëzore jo vetëm për sot, por edhe për brezat që do vijnë. Universitetet shqiptare, publike dhe jopublike, në vetvete duhet të përballojnë brenda misioneve të tyre, në mënyrë të vetëdijshme dhe shumë praktike sfidën në 3 dimensionet e saj.

Së pari, brenda organizimit shoqëror shqiptar universitetet duhet të dimensionohen në hapësirë e kohë me binomin e sistemit të vlerave njerëzore dhe pabarazisë që ka sjellë dhe do sjellë inovacioni, zhvillimi teknologjik dhe urban për sot dhe për nesër. Në vetvete ato duhet të ndërtojnë sjelljen e tyre, e cila domosdoshmërisht duhet të njohë ndërvarësinë, kufizimet, parimet e funksionimit dhe sistemin e vlerave etike me njëri tjetrin dhe të gjithë bashkë me sfidën e kohës. Të vlerësuar si një njësi e vetme, shtetërore, publike dhe jopublike, këto të dytat në proces licencimi, por dhe të parat në progresin e tyre konkurrencial, duhet të vlerësohen si bashkëplotësuese të njëra tjetrës në varësi të standardeve socio-ekonomike të zhvillimit të vendit. Kështu, procesi i akreditimit ka mundësi të një analize të gjendjes presente dhe për një bashkëqasje në favor të cilësisë më të mirë të edukimit universitar dhe konkurrencës për cilësi drejt tregut të punës. Të gjithë bashkë duhet të mund të konceptohen si të përshtatshme, krahasueshme dhe të konkurrueshme brenda rrjeteve universitare në hapësirat shqiptare, europiane apo globale. Mobiliteti i studentëve në këto hapësira të sipërpërmendura, programet e Bashkimit Europian si Erassmus Mundus, apo Erassmus + janë një standard pasqyrë për standardet e akreditimit.

Së dyti, cilësimi i tyre “Universitetet për zhvillimin e qëndrueshëm” ato duhet t’i vlerësojmë si asete operacionale, ku konsumojmë materiale, energji, përdorohen burime hidrike, konsumohen hapësira auditorësh si dhe të gjelbra po aq sa dhe shërbime të tjera që duhen ideuar në infrastrukturë dhe përdorim qasur standardit BIO të teknologjisë dhe inovacionit. Të gjithë bashkë duhet të tejkalojmë sfidën e  mirëideimit “green and  smart” (Europa e gjelbër dhe inteligjente), sikurse duhet të edukohemi me standardet e kësaj lloj sjellje. 23 vitet e tranzicionit kanë shfaqur një rendje të ndërtimit infrastrukturor modern të tyre, por që pak qasen me sjelljet e përgjegjshme të humanes ideuse të përdorimit të energjisë diellore, llambave dhe pajisjeve ekonomike e përmbi të gjitha me standardet e përgjegjësisë për ruajtje dhe riciklim të shumësisë së materialeve të orendive dhe pajisjeve universitare. Kemi pak bioteknologji të aplikuar në infrastruktura dhe shumë pak biosjellje për biopërdorim. Nga ana tjetër kjo gjendje kritike është edhe një tregues i brendshëm  kritik i ndërgjegjes institucionale apo bioponencës intelektuale për cilësinë e “pronës” së tyre, kur në fakt universitetet nevojiten të jenë MODELET e Biohumanes, në ideim e përdorim. Duhet nënvizuar se qëndrimi me këtë standard ka një dimension shumë më pozitiv në stafet e arsimit parauniversitar. Liria akademike dhe ndërgjegjja institucionale lipset të bëhet më etike, më e kodifikuar ndaj këtij dimensioni të universiteteve  lidhur kjo dhe me mirëmenaxhimet e suksesshme ekonomike të brendshme. Akreditimi në proces i universiteteve shqiptare mund të vetëvlerësohet me këto dimensione si për publiken dhe për jopublikët.

Si standard angazhues pro zhvillimit të qëndrueshëm, universitetet duhet t’i konsiderojmë edhe si njësi operacionale të aftësimit të studentëve për jetën, kjo pasi duhet të ekzistojnë me dhjetëra ideime dhe menaxhime institucionale pro standardit të vlerësueshëm të jetës së studentit me përdorimin e infrastrukturës universitare (ambiente, auditorë, laboratorë, biblioteka etj), në përfitimet përmes legjislacionit institucional, lokal, kombëtar apo europian për shërbime shëndetësore, transporti, këshillimi karriere, punësimi apo argëtimi. Akreditimi në vijim nuk mund t’i anashkalojë këto cilësi të angazhimit të universiteteve shqiptare në favor apo disfavor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Procesi i akreditimit të universiteteve që presim të gjithë bashkë është një rast i rivlerësimit të menaxhimit të brendshëm të universiteteve shqiptare, publike dhe jo publike. Procesi do sjellë analiza, formulime inovative apo riformulime të politikave të tyre të brendshme, hartime dhe ndërtime të “kodeve të brendshëm” në favor të “pastrimit” nga jo cilësorja profesionale  dhe jo e moralshmja shoqërore që publikisht do prodhonin publikisht një “data base”, arshivë të “pastërtisë” së Shqipërisë bazuar tek “pastërtia” akademike  e duke paraprirë modelin e një shoqërie që e ka tejkaluar në debit-detyrimin që ka me ligj për certifikimin e figurave që do realizojnë protagonizmin akademik në vend e që do duhet të flasim jo “post mortum” për fenomene e alternativa zhvillimi, por që do paraprijmë suksesin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend. Kjo do të ndikojë drejtpërsëdrejti rezultatshmërisë të punës me kolegë e studentë duke formëzuar etikë në institucion dhe edukim. Falë standardeve të akreditimit ne do të fitojmë më shumë etikë institucionale, sfidë më vetë kjo e administratës shqiptare në këto 23 vite.