Lindita Nikolla: “Do të futen në vlerësim të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar”

427
Sigal

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla në takim me gazetarët

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla priti dje në ambientet e ministrisë, në një takim informal, gazetarët e medias së shkruar dhe asaj vizive. “I njihja pak a shumë problemet e arsimit, por nuk e prisja që problematika të ishte kaq e gjerë dhe situata kaq e vështirë”, u shpreh Ministrja gjatë këtij takimi. Znj. Nikolla tregoi se aktualisht dikasteri që ajo drejton po bën një punë kolosale në terren, në kontrollin e stafit pedagogjik, kriteret e punësimit të tyre, numrave të tejngopur të mësuesve nëpër shkollat e gjithë rretheve në mbarë Shqipërinë, proces që ka mbaruar në Tiranë, Elbasan dhe aktualisht po punohet në Durrës. Gjithashtu puna në terren ka sjellë edhe diktimin e shkollave nëpër zona të largëta, të cilave vetëm emri u ka ngelur si “shkollë”, pasi rrinë hapur për vetëm pak nxënës (për shkak të migrimit të banorëve) me një staf pedagogjik të reduktuar. Si zgjidhje për këtë problem, ministrja Nikolla dha shkrirjen dhe më pas bashkimin me shkollat më të afërta, duke mos harruar që nxënësve t’u vihet në dispozicion një mjet udhëtimi për shkak të largësisë që do kishin nga shkolla ku do të vijonin mësimin. Ministrja e Arsimit u shpreh se po punohet fort për të arritur objektivat dhe për të përmbushur programin që qeveria ka për arsimin. Në këtë tryezë bisedimi, u diskutua Matura Shtetërore, e cila sipas ministres kërkon një reformim, por duke e bërë këtë gradualisht, për të mos krijuar trauma te maturantët e ardhshëm. Për të, ishte e rëndësishme të ndërhyhej në administrimin e këtij procesi, ku problematika ka qenë dhe më e gjerë. Pyetjes së “Telegrafit” sesi do të operohej me koeficientët e shkollave të mesme, e cila në fakt është një ngërç në Maturën Shtetërore dhe favorizon prurje jocilësore në degët më të mira në universitetet publike, ministrja e Arsimit iu përgjigj se aktualisht për këtë po punohet. Sipas saj, “po punohet për ngritjen e një organizmi të drejtë e të pavarur vlerësimi për të bërë në këtë mënyrë edhe renditjen, sipas cilësisë të shkollave. Gjithashtu ne jemi shprehur qartë edhe për akreditimin e universiteteve publike dhe jopublike. Në këtë aspekt do të ndryshohet skema e financimit të arsimit të lartë, sipas performancës së universiteteve, duke rritur financimet për atë universitet, që ofron performancë dhe cilësi më të lartë”. Gjithashtu, institucionet arsimore publike, sipas Nikollës, do të gëzojnë mbështetjen maksimale në rritjen e funksionalitetit dhe rreptësisë ndaj rasteve të abuzimit dhe falsifikimit në arsim. Një tjetër problem që u trajtua ishte dhe Reforma e Altertekstit. “Duhet të reformohet tërësisht kurrikula e arsimit parashkollor, në kontekstin e reformës kurrikulare të arsimit bazë” u shpreh Nikolla, ndërsa do punohet fort deri në unifikimin e teksteve me Kosovën.  Gjithashtu për sa i përket drejtuesve të shkollave, sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, u shpreh se “prindërve dhe komunitetit do t’i krijohen mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, në rastet kur këta të fundit nuk i shërbejnë interesit më të mire të nxënësve. Krijimi i “Kartës së Performancës së Shkollës” do t’u ofrojë prindërve informacion mbi standardet, cilësinë e mësimdhënies, shkallën e kënaqësisë së prindërve me punën e shkollës, dhe renditjen e saj në performancë”. Gjithashtu ministrja e Arsimit dhe e Sportit, nuk la pa përmendur edhe Sportin duke iu përgjigjur dhe interesimit të gazetarëve që mbulojnë këtë fushë. Ajo u shpreh se shkollat duhet t’i rikthehen fuqishëm edukimit sportiv nëpër shkolla. Të gjitha palestrat po lirohen nga marrëdhëniet me të tretët dhe do krijohen kushtet ku fiskultura të ketë rëndësinë e vet dhe nxënësit të shfrytëzojnë në maksimum ambientet sportive në shkollat e tyre. Gjithashtu kthimi i klasave sportive, apo dhe i kampionateve, spartakiadave që zhvilloheshin më parë është në fokusin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ndërsa vetëm politika afatgjata do të sillnin impakte pozitive në sportin shqiptar. Problematika që mbart sistemi ynë arsimor është i madh, por ministrja Nikolla, premtoi që do të punojë fort deri në minimizim të tyre. Në fund të këtij takimi, Nikolla premtoi një bashkëpunim të mirë me shtypin, për të përmbushur misionin e informimit sa më saktë dhe sa më qartë.