Ligji që favorizon mafien e arsimit

675
Sigal

Skanadal/ Korrupsioni që ka “gllabëruar” arsimin parauniversitar shqiptar, deri në instancat më të larta

Sistemi ynë arsimor është kapluar nga problematika të shumta, të cilat dalin më tepër në pah tek Matura Shtetërore. Dekanë, pedagogë, specialistë të arsimit, por dhe vetë shoqëria shqiptare kupton dështimin e plotë të Maturës Shtetërore. Notat fiktive, korrupsioni i mësuesve, por dhe politikat arsimore që janë ndjekur për të favorizuar investime private në fushën e arsimit të njerëzve të mbuluar me pushtet kanë bërë që përzgjedhja e studentëve që bën sistemi për në arsimin e lartë, mos të jetë sipas meritokracisë edhe pse në fakt emërtohet “sistemi meritë-preferencë”. Kështu, shumica e nxënësve të shkollave të mesme nga zonat e thella të Shqipërisë, apo nëpër fshatra, kanë dalë me një mesatare për tu admiruar, me 10 absolute. Nëse këto nota do të ishin reale kjo është një gjë për të cilën çdo gjithkush do e shihte me admirim. Por a ndodh vërtetë kështu, apo kemi fiktivitet të notave? Ndodh që këta nxënës të rretheve, apo zonave të thella duke përfituar nga sistemi aktual për Maturën Shtetërore që është sistemi meritë-preferencë, përzgjidhen për shkak të mesatares shumë të lartë duke marrë kështu degët më të mira. Vihet re që nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës, Durrësit apo të qyteteve të mëdha të Shqipërisë me traditë në arsim, të rrallë janë ata që marrin preferencat e para, kjo për shkak se ata spostohen nga nxënësit e rretheve me mesatare 10. Por, natyrshëm lind pyetja, nëse mund të bësh një krahasim të shkollave të Tiranës për shembull me shkollat e fshatrave, apo të zonave të thella, përsa i përket cilësisë? Megjithëse ekziston një koeficient më i lartë për shkollat e mesme në Tiranë, që është 1,1 në krahasim me shkollat e këtyre zonave, prapë ky koeficient notën 9 e bën 9,9 ndaj ky koeficient është i pallogaritshëm dhe nuk është vlerësuar siç duhet pasi 9,9 prapë është më poshtë se 10. Specialistë të arsimit japin gjykimin e tyre se nota 9 e një gjimnazi në Tiranë, për shembull i “Petro Ninit”, i “Sami Frashërit”, i “Qemal Stafës”, etj nuk mund të ketë të krahasuar as me 10-ën e këtyre shkollave të mesme në zonat e thella. Këta nxënës, pa dashur t’i gjykojmë pasi nuk po gjykojmë ata po sistemin aktual të përzgjedhjes së kandidatëve për në universitet, çuditërisht i kanë 10 gjuhët e huaja dhe s’dinë ta shkruajnë atë, ndërsa nxënësit e qyteteve të mëdha i kanë të mbrojtura gjuhët e huaja nëpër qendra të ngritura në bashkëpunim me ambasadat e huaja në Tiranë dhe me organizmat ndërkombëtare, të certifikuara nga Ministria e Arsimit dhe prapë nuk e kanë 10 këtë notë në dëftesë. Atëherë natyrshëm lind pyetja nëse duhet të ekzistojë në sistemin tonë arsimor ky disnivel kaq i madh në cilësi, por jo i pasqyruar në notë. Këtë e vërtetojnë dhe prurjet e studentëve në universitete, cilësia e të cilëve lë për të dëshiruar, vijnë me notën 10 absolute nga gjimnazet e fshatrave dhe zonave të thella dhe ngelin që në vitin e parë në universitet. Kështu falë këtyre notave absolute, rreth 75 % e këtyre nxënësve të zonave të thella marrin degët më të mira, 16 % e fituesve janë nga zonat e dyta dhe vetëm 6% të fituesve janë nga Tirana. Kjo, sipas dekanëve të fakulteteve, ka bërë që shumica e tyre të ngelin që në vitin e parë. Kështu, në Fakultetin e Mjekësisë, e cila është një nga fakultetet më të “sulmuara” nga maturantët, 60% e studentëve nga matura 2012 kanë ngelur që në vitin e parë. Ky është realiteti mashtrues i këtij sistemi paradoksal. Një arsye tjetër, sipas burimeve tejet konfidenciale, që ka sjellë këtë katrahurë në sistemin arsimor, është që vetë ligji dhe kriteret janë bërë që degët më të mira t’i marrin maturantë pikërisht nga këto zona të thella, dhe zona të varfra, në mënyrë që maturantët e Tiranës, Durrësit, apo dhe qyteteve të mëdha të Shqipërisë të jenë të detyruar, kjo dhe për shkak të mundësisë ekonomike të familjarëve, për t’i çuar në universitete private, ku ministra, ish ministra, deputetë janë aksionerë apo pronarë vetë, apo me emër tjetër, duke favorizuar kështu vetveten dhe fakultetet e tyre. Për të mos zhvlerësuar shkollën e mesme duhet që medoemos të ndryshojnë kriteret e hyrjes në shkolla të larta, pse jo edhe të rikthehet konkursi, të paktën për degët më të kërkuara që përbëjnë preferencën e parë, të dytë, pse jo dhe të tretë. Kjo gjë është kërkuar së fundmi nga shumë dekanë e pedagogë duke e quajtur për një arsye apo tjetër të dështuar Maturën Shtetërore. Kështu, sipas pedagogëve të Mjekësisë në Tiranë, ashtu sikurse 60% e të ardhurve të vjetshëm kanë ngelur, pse sivjet të jetë ndryshe, duke u bazuar dhe parë edhe zonat se nga ishin fituesit, sipas listës së parë të shpallur. Ata janë të bindur se, edhe sivjet do të ndodhë e njëjta gjë, ndoshta dhe më keq. Cilësia e studentëve që hyjnë në vitet e para, është një problem që ka prekur pothuaj të gjitha universitetet në Tiranë. Ky është një alarm që ngrihet për arsimin e lartë dhe “meritokracinë” ku gjoja bazohet sistemi i Maturës Shtetërore. Mendimi që vjen natyrshëm është që konkursi duhet të jetë kryefjala e degëve më të kërkuara. Duhet që tashmë universitetet të përzgjedhin vetë se cilët kandidatë e meritojnë të marrin statusin e studentit në institucionin e  tyre. Ashtu siç ndodh edhe në disa universitete, siç është Universiteti i Arteve, i Sportit, apo degë si Arkitektura, etj ku në bazë të konkursit përzgjidhen dhe talentet apo studentët që e meritojnë të jenë pjesë e këtij universiteti. Gjithashtu një tjetër problem, i cili nuk premton meritokraci në përzgjedhjen e studentëve është dhe nota fiktive, apo e thënë shqip blerja e notave. Kështu një qytetar, në një qytet verilindor, të cilin nuk po e bëjmë publik ka treguar se i ka dhënë mësuesit kujdestar të nipit të vet 500 mijë lekë të vjetra, nga të cilat 100 mijë lekë do i merrte mësuesi, 100 mijë lekë do i merrte sekretarja dhe 300 mijë lekë do i merrte Drejtori i shkollës, në këmbim të një dëftese me të gjitha notat 10-ta. Pra, edhe pse pretendohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për në universitete është sistemi meritë-preferencë, vetëm meritë nuk duket me gjithë këto problematika që paraqit Matura Shtetërore. Ngelet në dorë të Qeverisë së re me politikat dhe masat e ndërmarra në arsim për të zgjidhur nyjen e Maturës Shtetërore një herë e përgjithmonë.

Matura shtetërore e dështuar. Universitetet të zgjedhin vetë studentët e tyre

Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra shprehet për problematikat e mëdha që kanë kapluar sistemin tonë arsimor parauniversitar, që sipas saj, duhet të ndërhyhet urgjentisht, pasi çdo gjë fillon nga edukimi. Por, gjithashtu, ajo shprehet për dështimin e Maturës Shtetërore dhe si rrugëzgjidhje jep që me autonominë  tyre, bazuar në Kushtetutë,  universitetet të përzgjedhin vetë studentët e tyre.

Si është cilësia e studentëve që vijnë në fakultetin tuaj?

Duke u nisur nga pikët, jemi pothuajse prej disa vitesh në të njëjtat kuota pikëzimi, që do të thotë Anglishtja ka prurjen në pikëzim më të mirë se gjuhët e tjera dhe kjo ka të bëjë me atë që unë prej vitesh po them: Që Matura Shtetërore, flas të paktën për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është e dështuar.

Çfarë duhet bërë për këtë?

Ajo që duhet bërë për mua është që shteti duhet ta fuqizojë sistemin arsimor, sepse çdo gjë nis nga edukimi. Po themi që jemi një shoqëri në krizë, po themi që kemi një sistem arsimor në krizë, po themi që kemi një zhvillim ekonomik të dobët, po themi që kemi një papunësi në rritje, kemi një shoqëri në depresion, kemi të rinj të cilët frekuentojnë kafenetë e pub-et dhe nuk kanë dëshirë të lexojnë një libër, kemi të rinj të cilët rrijnë vetëm e gjithë ditën rrjete sociale duke përdorur thjesht dhe vetëm një celular, por nuk e përdorin atë mjet për zhvillimin e tyre kulturor. I bie barra Qeverisë me masat, me strategjitë që duhet të marrë, i bie barra shoqërisë, i bie barra shkollës, stafit pedagogjik, i bie barra universiteteve që të shkundë nga një përgjumje që ka kapur mbarë shoqërinë duke filluar që nga klasa e parë fillore. Reforma fillon me sistemin parauniversitar, fillon me shkollën fillore, në sistemin 9- vjeçar, me shkollën e mesme dhe në fund të fundit shkolla e lartë është një majë piramide, e cila ndërtohet kur ka një bazë të shëndoshë dhe baza e shëndoshë për një sistem edukimi është sistemi parauniversitar. Nuk kemi sot studentë, është një kontingjent shumë i vogël i atyre studentëve që e duan shkollën, pjesa më e madhe nuk e duan shkollën. Kam përshtypjen se fajtorë jemi të gjithë, i gjithë sistemi e gjithë shoqëria, është shkolla, janë mësuesit, janë nxënësit, janë prindërit, pedagogët, është ministria, pra, e gjithë shoqëria shqiptare ka shumë faj në këtë katandisje lënguese të sistemit arsimor në Shqipëri.

Ju thatë që Matura Shtetërore është e dështuar. Si mendoni ju, cila është mënyra më e mirë për të ardhur në universitet?

Në universitet mënyra më e mirë është që Matura Shtetërore mbyll një cikël, që është cikli i shkollës së mesme. Cikli i shkollës së lartë është një institucion tjetër, që duhet ta menaxhojnë universitetet, që bazuar në Kushtetutë kanë autonomi akademike, që do të thotë janë vetë universitetet që duhet të përzgjedhin studentët më të mirë dhe çfarë e si  duhet të bëhet kjo.