Ligji për arsimin e lartë, Nikolla: Nuk ka kompromise për cilësinë

489
Qeveria shqiptare miratoi sot ligjin e ri për Arsimin e Lartë të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe që në thelb të tij do të ketë financimin në bazë të performancës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në një deklarate për mediat nga kryeministria bëri të ditur se ky ligj vlerëson mundimin e studentëve dhe prindërve. “Ligji për Arsimin e Lartë, sjell një mori ndryshimesh, ku në thelb është cilësia e Arsimit të Lartë, pasi ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë”.
Ministrja e Arsimit tha se koha e universiteteve që bëjnë sikur japin mësim ka marrë fund. “Ky ligj është për studentët shqiptarë. Ky ligj rrit besimin e prindërve se koha dhe financat e tyre shpërblehen. Sot, Ministria, Universtietet, profesorati, si dhe Agjencitë e tjera të arsimit, janë mjete në funksion të këtij qëllimi, pra arsimit cilësor”.
Nikolla nënvizoi se ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të përformancës. “Kjo, pasi taksat e shqiptarëve duhet të prodhojnë maksimumin e vlerës. Dhe skema moderne që ofron ligji i ri, duhet të stimuloj një Arsim të Lartë më cilësor, duke rritur kërkimet shkencore, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për rrjedhojë, një arsim të denjë dhe mjaft cilësor për të rinjtë e të rejat. Kjo skemë, shtoi Nikolla, krijon mundësi për bursa për studentët me rezultatet ekselente, apo studentët që zgjedhin degë me prioritet kombëtar”.
Ajo tha se ligji i ri vjen edhe në ndihmë të optimizimit të financave publike. Sipas saj, në këtë mënyrë do të optimizohet financimi publik për ata që kanë më shumë nevojë, duke gjeneruar ekselencën dhe të mirën publike. “Universitetet do të kenë autonomin më të lartë, duke ndërtuar ato vetë stafin akademik, duke i dhënë vetë atyre mundësinë të zgjedhin studentët, numrin e studentëve…etj”, tha Nikolla.
Ky ligj mbështet senatin dhe rrit standardizimin e aktorëve të arsimit të lartë. “Ligji i ri do të rrisë cilësinë e pedagogëve, do të rris standardet e mësimdhënies, duke ofruar konkurencë të denjë për Arsimin e Lartë”, tha ajo.
Nikolla tha se ky ligj nuk dërgon para publike në institucionet private, por e kundërta shtyn privatin të financojë në sektorin publik.
Ministrja e Arsimit bëri të ditur se ky ligj përmbyll një fazë të rëndësishme të reformës në arsim, por përpara kemi ende rrugë për të përmbyllur deri në fund këtë reformë rrënjësore në arsimin e lartë me qëllim pas disa viteve, kjo refomë të kujtohet si një pikë kthese e arsimit shqiptarë
Sigal