Lidhjet e politikës së djathtë me Qeverinë “mbajnë në këmbë” Rektoratin

453
Sigal

Zbulohen skandalet që ushqejnë paligjshmërinë e Universitetit të Mjekësisë

“Rezistenca” e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë me gjithë paligjshmëritë që kanë rrjedhur që nga krijimi i këtij universiteti si “një sajesë elektorale” dhe që vijon me emërimin dhe jo zgjedhjen e Rektores Jera Kruja, apo me përbërjen e Këshillit të Administrimit si dhe rekrutimet e pedagogëve në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë, tregon për lidhje të forta nga të dyja palët e politikës. Do të ishte e mjaftueshme të njihje vetëm përbërjen e këshillit të Administrimit që është në kundërshtim dhe në shkelje të plotë me Ligjin për Arsimin e Lartë, Neni 16 për Këshillin e Administrimit në pikën 4 dhe 5, pasi anëtarët e saj nuk e plotësojnë kushtin e gradave shkencore. Këshilli i administrimit është një strukturë politike e qeverisë “Berisha”, e përbërë nga këshilltari i ish Kryeministrit Berisha, ish zv/ministri i Financave, njerëz të besuar të ish Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, pra, nga njerëz të politizuar. Por si mbahet ende në këmbë ky Rektorat, kur duhej në fakt të ishte shkrirë që në shtator, me ardhjen e qeverisë së re? Shumë të përfolura janë lidhjet e ish Presidentit Bamir Topi me politikanë të sotëm të veshur me pushtet, që mesa duket nuk duan të prishin relatat, apo marrëveshjet, edhe pse në kurriz të elektoratit të majtë. Mjafton të përmendim këtu, rekrutimin e plot 120 pedagogëve të rinj nga qeveria “Berisha” me anë të një vendimi absurd, në prag të zgjedhjeve, pa zhvilluar konkurs. Të tjerë (ndoshta të papunë, pse jo dhe të majtë) mund të ishin në vend të tyre, më profesionistë dhe duke kaluar në konkurs, konform Ligjit për Arsimin e Lartë.

A duhet financuar Universiteti i Mjekësisë?

Në 23 janar do të zhvillohet një Konferencë Kombëtare për financimin e arsimit të lartë, ku çdo universitet publik do të japë propozime dhe sugjerime konkrete për sa i takon modelit të financimit që duhet të përdoret në këto institucione. Por, a duhet financuar Universiteti i Mjekësisë, duke pasur parasysh “Kartën e parimeve të skemës së financimit të arsimit të lartë”? Mësimdhënia akademike kërkon një formë mbështetjeje financiare nga qeveria, nëpërmjet së cilës akademikët realizojnë punë kërkimore dhe marrin pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme. Rritja e cilësisë kërkon patjetër investime më të mëdha për kërkimin shkencor. Universitetet janë institucionet kryesore të sistemit tonë të kërkimit shkencor. Qe ato të kthehen në qendra të fuqishme kërkimore, duhet të rrokin fusha dhe tema kërkimore shumë të rëndësishme për vendin, duhet të krijojnë grupet kërkimore, në mënyrë që të rrisin aplikimet për fonde kërkimore, në kuadër të programeve të mëdha të BE-së. Por, është shumë e rëndësishme që përpara se shteti të japë disa të ardhura nga buxheti i tij i pakët, është politika financiare dhe menaxheriale që bën vetë universiteti ajo që duhet të përballojë situatën financiare. Në kuadrin e autonomisë së rregulluar me ligj, Universiteti i Mjekësisë nuk ka bërë asnjë përpjekje të marrë mbi vete përgjegjësinë, për të mundësuar sigurimin e resurseve për përmbushjen e misionit të tij, për të qenë konkurrent me sisteme bashkëkohore të arsimit të lartë. Realiteti me të cilin përballet ky Universitet sot, është lënia pas dore në të gjitha aspektet, si nga baza materiale dhe nga ajo infrastrukturore. Ndërkohë që aty përgatiten të dalin mjekët e ardhshëm, që do të na shërbejnë të gjithëve! Rektorati i znj. Jera Kruja, Universitetin e Mjekësisë e ka parë si një shans përfitimi në tituj, referenca dhe ndere, kur buxheti i MAS është tepër i ulët dhe ndarja kërkon reformim të strukturës, buxhetit, ambienteve, kurrikulave dhe administratës. Në kushtet kur qeveria ka ristrukturuar, mes shumë debatesh, buxhetin e saj, është luks i tepërt të financohen para shtesë nga buxheti për të mbajtur në këmbë një strukturë fund e krye partiake si Universiteti i Mjekësisë. Në vend që qeveria të mbledhë fonde për të financuar kërkimet në fusha të ndryshme të sëmundjeve ngjitëse dhe atyre vdekjeprurëse, përse i duhet të financojë tekat e një Rektoreje të komanduar nga një strukturë politike? Skema e financimit e universiteteve bazohet kryesisht në performancën e tyre, në cilësinë e stafit, cilësinë e studentëve dhe cilësinë e kërkimit shkencor, por në fakt kjo performancë në UMT, nën “frymëzimin” e Rektoratit, zhvillohet vetëm në bazë të numrit të studentëve dhe jo në treguesit e tjerë cilësorë të kësaj performance. Përpara se të planifikohet ndonjë lloj financimi për UMT-në, Bordi i Akreditimit dhe Vlerësimit pranë MAS, në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, duhet të kryejë një inspektim të menjëhershëm, për t’u siguruar nëse ky universitetet kryen veprimtarinë në pajtim me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe politikat e tjera qeveritare dhe rregulloret në fushën e menaxhimit institucional dhe sistemet e sigurimit të cilësisë. Baza e vlerësimit sigurisht që duhej të ishte vetëvlerësimi i universitetit, i cili mundëson që stafi i universitetit, si një ekip, të kuptojë anët e forta dhe dobësitë e institucionit. Por ky dokument mungon.

 Universiteti i Mjekësisë, i paaftë për t’u vetadministruar

Dihet që ky universitet u krijua pa buxhetin përkatës, ndryshe nga sa ka ndodhur me strukturat e tjera të arsimit të lartë në vend. Por Universiteti i Mjekësisë, në kushtet e konkurrencës dhe autonomisë së përgjegjshme, përpara se të grabiste fondin e Fakultetit të Mjekësisë të destinuar për kërkim shkencor, investime e veprimtari akademike, duhet të njihte kostimin e aktiviteteve kryesore dhe të zhvillonte buxhetimin e këtyre aktiviteteve, me një limit të paracaktuar të burimeve financiare. Për këtë qëllim duhej të kishte zhvilluar një sistem menaxhimi efektiv dhe operacional, në funksion të autonomisë dhe përgjegjshmërisë, duke bërë ndryshime në sistemin e menaxhimit, në mënyrë që të ishte i aftë të operonte në mënyrë efikase. Sistemi i financimit të universiteteve me bazë studentin, kërkon që Institucionet Publike të Arsimit të Lartë të zhvillojnë mënyra të reja të menaxhimit dhe qeverisjes. Në UMT ka munguar totalisht përcaktimi i drejtimit strategjik të universitetit, i hapur dhe gjithëpërfshirës, me një vizion të qartë, që të reflektojë prioritetet, objektivat dhe qëllimet.

Statuti Organik Universitetit të Mjekësisë, antiligjor dhe antikushtetues

 Statuti Organik i Universitetit të Mjekësisë duhej të përmbante norma që të rregullojnë veprimtarinë e universitetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në garantim të autonomisë universitare dhe lirisë akademike të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Por Statusi që zbatohet nga Rektorati i UMT-së nuk ka lidhje me mjekësinë, është i papërshtatshëm dhe i pazbatueshëm. Ky Statut shkel hapur Kushtetutën dhe Ligjin për Arsimin e Lartë në vend, madje është i pamiratuar nga ish-ministri i Arsimit. Pra, jo vetëm që ka kaluar me ngut, por edhe nuk pasqyron specifikat që duhet të kenë fakultetet në përbërje të UMT-së dhe as vërejtjet dhe sugjerimet e bëra në mbledhjen e Senatit. Shqetësimi kryesor është se me anë të këtij Statuti privohen nga e drejta për të qenë shefa shërbimesh, apo për të kandiduar në postin e Rektorit dhe Dekanëve, një gjeneratë e tërë pedagogësh. Privohen nga e drejta për të kandiduar për postin e Dekanëve të fakulteteve të universitetit dhe për Rektorë mbi 60 % e Profesoratit. Kjo është shumë e rëndë. Sikur edhe një njeri i vetëm të privohet nga kjo e drejtë, është antikushtetuese. Për postin e autoriteteve të UMT-së mund të konkurrojnë individë të personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë, ose individë jashtë tij. Të gjithë anëtarët e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë kanë të drejta të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, çka përbën një parim kushtetues dhe të drejtë të patjetërsueshme të sanksionuar në Nenin 45, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo është vetëm një ndër pikat që janë shkelur në dokumentin e hartuar nga Rektorati i universitetit. Rektorja i jep të drejtë vetes së vet që të monopolizojë ciklet e studimeve, ndërkohë që ato janë ekskluzivisht atribute të dekanëve të fakulteteve. Rektorati ka funksion kontrollues. Lidhur me këto shqetësime, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka vënë në dijeni ish-ministrin e Arsimit dhe Shkencës, zotin Myqerem Tafaj, nga i cili nuk ka marrë asnjë përgjigje. Këtij shqetësimi të ngritur prej kohësh i janë bashkuar edhe pjesa më e madhe e stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Krijimi i universiteteve duhet mbështetur në ligj

 Shkëputja e Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Infermierisë nga struktura e Universitetit të Tiranës është bërë pa miratimin paraprak formal të Këshillave të fakulteteve respektive dhe të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Dhe për më tepër nuk ekziston asnjë vlerësim nga Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë mbi fizibilitetin e këtij projekti madhor dhe verifikimin e faktit thelbësor nëse këto njësi kryesore bazë mund të strukturoheshin pa cenuar standardet akademike në formën e universitetit të ri. Edhe më keq, nuk u morën parasysh edhe objeksionet e shëndosha të një grupi të konsiderueshëm profesorësh dhe akademikësh të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët argumentonin me forcë se ky projekt ishte i parakohshëm, veçanërisht në variantin me 5 fakultete përbërëse, sepse njësitë kryesore bazë të Farmacisë, Mjekësisë Dentare

dhe Shëndetit Publik nuk përmbushnin ende kriteret akademike sasiore dhe cilësore për të qenë fakultete të pavarura funksionale në të tri ciklet e studimeve.