Libri shkollor, të “zgjedhurit” e MAS “gllabërojnë” 25 milionë dollarë në vit

704
Centralizëm si në diktaturë e quajnë botuesit e librit shkollor, kalimin në tekstin shkollor unik nga ana e MAS. Por, nëse atëherë (pra në diktaturë) çdo gjë ishte në dorë të shtetit (partisë), sot e gjithë xhiroja vjetore, prej 25 milionë dollarësh, që qarkullon nga libri shkollor, do të përqendrohet te një apo dy botues (te individi), afër pushtetit. Në MAS po përgatiten për ndryshimin e nenit 47 të ligjit aktual për arsimin (i cili lejon librat alternativë, të aprovuar në ministri nga konkurrenca e lirë transparente e botuesve), Ligji nr.69 i vitit 2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i aprovuar me konsensus të plotë të dy palëve (PS – PD). Botuesit e librit shkollor shprehen se, me këtë projekt, duan të godasin pikërisht sistemin liberal demokratik, duke kaluar në tekst unik (pra, të shkojnë në centralizëm si në diktaturë).
Fryrja artificiale e problemeve me tekstin shkollor
Sipas botuesve, MAS, pasi fryu artificialisht në shtator problemet me tekstet shkollorë, që mund t’i kishte eliminuar sipas tyre, pasi kishte vërejtje të mjaftueshme nga mësuesit e gjithë shkollave të Shqipërisë -2014, (nuk e bëri sepse i dëmtoheshin botuesit miq), ka shprehur në media me anën e këshilltarëve të ministres dhe në draftin e arsimit që “për klasat: 1, 6,10, librat e shkencave natyrore, t’i bëjnë me përkthime librash nga Anglia”!? Botuesit zbulojnë edhe emrat e shtëpive botuese, të favorizuara nga ministrja (“Dudaj”, “Toena” etj.,), të cilat janë duke i bërë gati librat e zgjedhur, porse mbetet për t’u verifikuar në vazhdimësi. Ndërsa për botuesit e tjerë sipas tyre, gjithçka do të jetë farsë: Ata do ta kenë të pamundur të përgatisin libra me kualitet, pasi koha do të jetë e pamjaftueshme. Është fund mars 2015! Ndërsa librat e shkencave shoqërore (Gjuhë Shqipe, Gjeografi etj.), do t’i bëjnë “gjoja” me konkurrim, sipas botuesve, “pasi komisioni që do të zgjedhin ata për vlerësim, do të vlerësojë tekstet që ata vetë do të paracaktojnë miqësisht” shprehen skeptikë botuesit për “Telegraf”. 
Procedura e ndjekur në vite për librin shkollor nga ministria
Jepen programet e reja zyrtarisht botuesve 12 -18 muaj para, dhe përcaktohen afatet. Miratohen në mars – prill.
Në muajin mars – prill, vit pas viti në shkolla shkonte katalogu zyrtar i Ministrisë së Arsimit, për përzgjedhje. Në maj vinin kërkesat nga shkollat. 
Koha qershor –korrik ishte për shtypjen e librave. 
Muaji gusht, zyrtarisht, është për shpërndarjen e librave dhe fillim shtatori shitja dhe viti i ri shkollor. 
Pra, praktikisht, në kushte normale, ka mbaruar koha për përgatitje librash të rinj shkollorë. Po botuesit shprehen se nëse MAS do të punojë me seriozitet, konform ligjit, edhe tani, ka ende kohë të largojë nga katalogu librat me probleme shkencore – gjuhësore – ilustrative (ia kanë sugjeruar mësuesit e gjithë Shqipërisë), duke ulur me të drejtë (pa probleme gjyqësore), numrin mesatar të alternativave për një libër shkollor. Sipas botuesve, çdo përpjekje për të bërë libra shkollorë tani, do ishte një dështim, që do të sillte libra me cilësi më të ulët se ekzistuesit.
Pse MAS i futet një aventure të tillë? 
Botuesit akuzojnë MAS se do të verë dorë në xhiron e lekëve që lëvizin me librat shkollorë (e kanë shprehur në media këshilltarët e ministres: 25 milionë dollarë). Mënyra e fshehtë me të cilën po punon ministria, sipas tyre, me tavolina ku thërriten vetëm rrogëtarë që iu bëjnë lavde, ku botuesit, të cilët janë palë me MAS për librat shkollorë, nuk thërriten, me dashakeqësi nuk priten prej kohësh në takim nga ministrja, është mënyrë krejt jo transparente dhe patjetër që do të ketë një kosto të madhe negative morale dhe ekonomike. “Normalisht, ministria, po të donte përmirësim të sistemit, për të mos dëmtuar shkollën, duhet të pilotojë, eksperimentojë makete librash të rinj dhe pastaj të vendosi për t’i futur gjerësisht në shkollë. Tani kjo ministri, po piloton me librat ekzistues dhe me programe të reja! Gjë më absurde nuk është dëgjuar!”, shprehet një nga botuesit për “Telegraf” (të cilëve po ua ruajmë anonimatin, pasi ekziston frika e penalizmit të tyre nga MAS, duke i përjashtuar fare nga gara për librin shkollor).
Liberalizimi i librit shkollor versus teksti unik
Liberalizimi i librit shkollor, realisht 2006, konkurrenca e lirë, ishte një nga kushtet për paktin e Stabilizim –Asociimit të Shqipërisë në BE në 2005, ishte luftë kundër korrupsionit të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe solli libra më të mirë, një procedurë të aprovuar nga specialistët e Bankës Botërore dhe të Këshillit të Europës që e kanë asistuar Ministrinë e Arsimit në këtë proces (procedurë që duhet të përmirësohet vazhdimisht – jo të shkatërrohet). Me vetëm një tekst, nuk do të ketë më krahasim nga mësuesit, (baza e procesit të edukimit) dhe do t’i hiqet mundësia shumë teksteve cilësorë autorëve të shkëlqyer, që nuk kanë miq në ministri, për t’u futur në shkollë. Vetëm tregu (mësuesit – prindërit) mund të përcaktojnë librat dhe jo një komision me anëtarë partiakë në ministri.
“Klima që kanë krijuar (vetë ministria i ka prishur rregullat – jo botuesit dhe mësuesit), i çon në zgjidhje më të lehta – tekst unik, por jo në zgjidhjen më të mirë, pra i çon mbrapa. 
Të metat që u vërejtën në disa libra, asnjë gjë kryesore në librat e shkencave natyrore (që duan t’i përkthejnë – sikur Shqipëria nuk ka: matematicienë, fizikanë, kimistë, biologë të shkëlqyer, të specializuar, metodistë e didaktë), po i çon në veprime absurde – si përkthime librash nga jashtë, jo po Paskal Milo dhe të huajt na e bëjnë më mirë historinë etj. etj. (në kundërshtim me ligjin)!” shprehen botuesit. Sipas tyre, ministrja e Arsimit nuk ka forcën dhe guximin për të kundërshtuar këto eksperimentime të çuditshme, me qëllime përfitimesh, që i kërkohen nga lart, sepse nuk ka kapacitete në drejtimin e politikave në arsim, ka militantë. “Ministria nuk duhet të prishi ligjin e konkurrencës, por duhet të kontrollojë shkencërisht, çdo etapë, që ta zbatojë sa më mirë këtë ligj (ekzistuesin) dhe ta bëjë funksional. Kurrikula në çdo vend ka bazë organike edukimin kombëtar, që vjen nga dijet e lëndëve shoqërore dhe të shkencave të natyrës. Si do realizohet kjo me përkthime. Ngutja për të kryer procedura normale në kohë të pamjaftueshme, është revolucion kinez, jo procedurë normale demokratike.
Reformat në arsim në çdo vend kryhen në mënyrë lineare, për rreth 15 -16 vjet (aq sa zgjat formimi). Çdo reformë 1-vjeçare, me sëpatë, është antireformë, që do të sjellë dëmtime serioze të shkollës dhe procedura të mëdha gjyqësore me kosto të madhe për vendin – për çdo taksapagues, por jo për aventurierët e përkohshëm servilë, që punojnë në Ministrinë e Arsimit” shprehen botuesit e librit shkollor.

Projektligji për arsimin parauniversitar, ndryshimet për testin shkollor
Neni 6
Në nenin 47 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendas ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria.”.
2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
Sigal